Erjon Vishkulli, i riu nga Elbasani që mbeti i dëmtuar në sy gjatë protestave të dhunshme në Tiranë, ka reaguar publikisht pas ndërhyrjeve kirurgjikale në Shqipëri dhe në klinikën “Gemelli” në Romë, ku iu nënshtrua një operacioni të dytë që rezultoi me sukses. Përmes një mesazhi emocionues, ai ka falënderuar familjarët, miqtë dhe shqiptarët kudo në botë për mbështetjen dhe solidaritetin e treguar gjatë kësaj periudhe të vështirë.
Vishkulli shprehet se mesazhet, telefonatat dhe lutjet e njerëzve i kanë dhënë forcë, shpresë dhe kurajë për të përballuar sfidën me shikimin, ndërsa shpreh besimin se gjithçka do të kalojë me sukses. Ai ka falënderuar gjithashtu Zotin për jetën dhe forcën që i jep çdo ditë.
Reagimi i plotë:
Në këto momente të vështira të jetës sime, ku pas një dhimbjeje të madhe po përballem edhe me një sfidë tjetër të rëndësishme për shikimin e syrit, dua të shpreh mirënjohjen time më të sinqertë për të gjithë. Një falënderim i veçantë për të gjithë shokët, miqtë, familjarët dhe shqiptarët kudo që ndodhen në botë, që më kanë qëndruar pranë me mesazhe, telefonata, fjalë të ngrohta dhe lutje. Çdo fjalë e juaja më ka dhënë forcë, shpresë dhe kurajë për të vazhduar përpara. Në një moment kur zemra ka nevojë për mbështetje, ju më treguat se nuk jam vetëm. Solidariteti, dashuria dhe respekti që më keni dhuruar kanë një vlerë të jashtëzakonshme për mua. Faleminderit të gjithë shqiptarëve, kudo që jeni, që më keni treguar se zemra shqiptare është gjithmonë pranë njëri-tjetrit, në ditët e mira dhe sidomos në ditët e vështira. Dhe mbi të gjitha, falënderoj Zotin për forcën, për jetën dhe për shpresën që më jep çdo ditë. Lutem që kjo sfidë të kalojë me sukses dhe që të gjithë të kemi shëndet e bekime. Zoti ju shpërbleftë secilin për dashurinë dhe mbështetjen tuaj! Mirënjohje pafund, U shtofshin Shqiptarët e mirë

