Lajme Zone
Italia, Maldini zbulon prapaskenat e dorëheqjes dhe përplasjen me Malago: Pep Guardiola u tundua shumë të pranonte ofertën, presidenti s'e respektoi marrëveshjen
SportReport TV
Ky artikull është pjesë e një historie me 3 burime — Krahaso mbulimin →

Italia, Maldini zbulon prapaskenat e dorëheqjes dhe përplasjen me Malago: Pep Guardiola u tundua shumë të pranonte ofertën, presidenti s'e respektoi marrëveshjen

Ish-drejtori i ekipit kombëtar italian del hapur pas dorëheqjes së tij: "Malago na telefonoi dhe na tha: 'Duke filluar nga sot, rregullat po ndryshojnë. Unë vendos trajnerin dhe ju e miratoni'.

Pas dorëheqjes nga posti i drejtorit teknik të kombëtares italiane dhe presidentit të Club Italia, ish-kapiteni i Milanit, Paolo Maldini, ka folur për herë të parë për atë që ndodhi gjatë javëve të fundit, duke nisur nga përgjigjja e tij pozitive ndaj Malago, kreut të Federatës. “Më telefonoi në Pashkë dhe më tha, ekziston mundësia që unë të bëhem president i Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), ti je personi që do të doja të kisha me vete. Unë i dhashë gatishmërinë time. Për mua, në futboll ekzistojnë vetëm dy gjëra, Milani dhe kombëtarja. Pastaj nuk e dëgjova më. LEXO edhe...Alarm në Ceuta, inteligjenca: Rrezik konkret për terrorizëm! Pas valës së emigrantëve dyshohet se ka një organizim të koordinuar Një ditë para zgjedhjeve, Malago më telefonoi përsëri. Më tha 'nesër votohet, ka mundësi të mira, do të doja të ishe me mua'. I përgjigjem, 'të flasim'”. Një bisedë që, në fund, çoi në një marrëveshje mes të dyve: “Më kërkoi të bëhesha president i Club Italia. Nuk bëhej fjalë vetëm për ringritjen e kombëtares. Duhej të rindërtonim futbollin italian.” Ky rindërtim do të duhej të përfshinte edhe Leonardon: “Me të më lidhin miqësia, vlerat dhe parimet. Leo ka një aftësi të madhe organizative, përveçse kemi një mirëkuptim shumë të mirë me njëri-tjetrin. Kështu nisëm. Dhe menduam për një rol të ri, drejtimin teknik. Drejtoria teknike nuk ka ekzistuar kurrë në organigramën e kombëtares, trajneri i raportonte drejtpërdrejt presidentit. Por kjo nuk ishte e drejtë, trajneri ka nevojë të konsultohet dhe të shkëmbejë mendime.” Megjithatë, vetëm 16 ditë më vonë erdhën dorëheqjet e të dyve: “Marrëveshjet u ndryshuan, për pasojë, e vetmja gjë që mund të bënim ishte të jepnim dorëheqjen. Madje, të hiqnim dorë nga nënshkrimi i kontratës katër vjeçare që duhej të niste më 1 gusht.” Çështja kryesore e mosmarrëveshjes ishte zgjedhja e trajnerit të kombëtares, fillimisht propozimi për Pep Guardiolën, më pas kthesa drejt Andrea Pirlos, zgjedhje që Malago nuk e pranoi kurrë plotësisht. “Fillimisht pyeta, kush e zgjedh trajnerin e kombëtares? Malago m’u përgjigj: trajnerin e zgjidhni ju dhe unë e miratoj. Kjo ishte marrëveshja. Pastaj ngjarjet bënë që kjo gjë të ndryshonte.” Guardiola ishte përpjekja e parë - Për rolin e trajnerit të kombëtares, përpjekja e parë e madhe u bë me Pep Guardiolën. “Është trajneri që mishëron më shumë futbollin teknik dhe ofensiv. Nëpërmjet disa miqve kishte shprehur idenë se do të donte të drejtonte një kombëtare. Shkuam ta takonim në Barcelonë, hëngrëm drekë së bashku dhe folëm për një ditë të tërë. Ai ishte shumë i tunduar. Ishte shumë pranë pranimit. Madje kishte filluar të shkruante formacionet nëpër fletë...” Më pas, megjithatë, erdhi refuzimi i ish-trajnerit të Barcelonës dhe Manchester Cityt: “Për shkak të lodhjes. Guardiola vjen nga dhjetë vite rraskapitëse në Premier League. Ka kryer një ndërhyrje kirurgjikale në shpinë. Dëshiron të pushojë. Por ishte një diskutim shumë serioz, studiuam ekipet, nga U-17 e lart. Kështu kaluam te Andrea. Malago dinte gjithçka, e informuam hap pas hapi.” Sa i përket pretendimit se Guardiola kishte kërkuar një pagë prej 20 milionë eurosh, Maldini e mohon: “Absolutisht jo. Paratë nuk kanë qenë kurrë temë diskutimi. Pep na tha qartë, më jepni një euro më pak se sa merrte trajneri i fundit dhe për mua është në rregull.” Zgjedhja ra te Pirlo - Pasi u mbyll ëndrra Guardiola, zgjedhja e Maldinit dhe Leonardos ra mbi Andrea Pirlon: “Ne donim një trajner të ri, i cili ta përqafonte projektin dhe të kishte një karrierë të nivelit të lartë. Nga ana teknike, kur flas me Pirlon, e gjej jashtëzakonisht të përgatitur. I shoqëruar dhe i mbështetur nga një drejtor teknik dhe një këshilltar, ai do të kishte qenë trajneri ideal.” Por ky opsion nuk u realizua kurrë plotësisht për shkak të një marrëveshjeje të mëparshme të Pirlos me një kompani ruse bastesh: “Kjo gjë sigurisht që ndikoi. Ne nuk e dinim. Opinioni publik bëri punën e vet. Por nuk kishte asgjë nga pikëpamja ligjore që mund ta pengonte Andrean të bëhej trajner i Kombëtares.” Sipas Maldinit, kjo situatë u përdor si pretekst për të mos zgjedhur ish-trajnerin e Juventusit si trajner të Kombëtares: “Pa dyshim që kjo çështje u përdor në mënyrë absolutisht të ekzagjeruar. Pirlo ishte i gatshëm t’i ndërpriste marrëdhëniet me kompaninë ruse të basteve. Është një person shumë korrekt dhe nuk e meritonte gjithë këtë zhurmë. Nxorrën kodin etik, dekretin e dinjitetit. Por nëse do të kishte pasur vërtet vullnet për ta emëruar trajner të kombëtares, nuk do të kishte pasur pengesa ligjore.” Mes alternativave ishin edhe dy trajnerë të tjerë: “Daniele De Rossi dhe Fabio Grosso. Tre kampionë bote. Por presidenti na tha se, bazuar në marrëveshjet që e çuan atë drejt zgjedhjes, me mbështetjen e të gjitha klubeve, përveç Lazios, ne nuk mund të preknim trajnerët e skuadrave të Serie A-së. Prandaj De Rossi dhe Grosso ishin të përjashtuar.” Përplasja me Malagonë - Duke folur për bisedën me Malago, Maldini shton: “Ai më telefonoi mua dhe Leonardon për të thënë: ‘Sipas meje, Pirlo nuk mund të merret më. Nga sot trajnerin e zgjedh unë. Nga sot ndryshojnë rregullat, unë vendos trajnerin e kombëtares dhe ju e miratoni.’ Por nëse unë kam një detyrë, nëse kam një përgjegjësi dhe synoj ta ushtroj atë, ky është një diskutim i papranueshëm. Morëm 24 orë kohë dhe paraqitëm dorëheqjet tona, për një kontratë që ende nuk kishte filluar. Nuk e di nëse kjo do të thotë të jesh i pakompromis dhe arrogant. Unë jam mësuar ndryshe. Nuk ekzistonin më kushtet e besimit për të kryer një punë që është jashtëzakonisht e madhe, por në të njëjtën kohë edhe emocionuese.” Më pas, për Malagon, ai shton: “Kishte një marrëdhënie të bazuar te besimi. Nëse bën një zgjedhje, pastaj duhet ta mbrosh. Le të bëjë krahasimin me kampionatin italian të 20 apo 30 viteve më parë.” Projekti i Maldinit dhe Leonardos - Plani i Maldinit dhe Leonardos parashikonte një revolucion të gjithanshëm: “Ne kishim filluar tashmë. Shkuam në Coverciano. Është një makineri e ndalur. Ka shumë njerëz që duan të bëjnë diçka, por nuk dinë çfarë të bëjnë. Presin një objektiv, udhëzime. Takimi me ta na dha shumë energji, në një rol që të frikëson.” Projekti parashikonte: “Një ndryshim rrënjësor. Metodologji pune krejtësisht të ndryshme, më ofensive. Formimin e talenteve të rinj. Mbështetje për të gjithë zinxhirin e ekipeve të moshave. Unë do të bëhesha president i Club Italias, i cili përbëhet nga 19 ekipe, ekipet e të rinjve, ekipet e femrave, beach soccer, futsal... Futsal? Tani futbollin e sallës e quajnë kështu.” Për Mancinin dhe Conten - Duke folur për mundësinë që Roberto Mancini të bëhej trajner i kombëtares (në fund Malago zgjodhi atë), Maldini shton: “Si mund të mos e vlerësoj Roberto Mancinin? Por ne kishim një projekt tjetër. Donim një trajner të ri, të ri në moshë. Mancini dhe Conte janë dy trajnerë të mëdhenj. Dhe nuk bëhet fjalë për miqësi.” Sa i përket pretendimit se Lega Serie A donte Antonio Conten si trajner të kombëtares, ai shpjegon: “Kam folur me Marottan, me Percassin, me presidentë dhe drejtues të tjerë dhe askush nuk më përmendi ndonjë emër. Lega u tregua korrekte me mua dhe më garantoi gjithashtu, nëse duhet të japim një dorë në aspektin ekonomik, ne jemi këtu. Por ata më njohin pak a shumë. Nëse duhet të vij këtu dhe dy emra janë zgjedhur tashmë, njëri nga Malago dhe tjetri nga Lega, çfarë kuptimi ka të më thërrisni? Shumë herë më është garantuar autonomia. Që ata të kishin një të preferuar të tyre, është normale. Por nëse kërkon bashkëpunim dhe parashikon një projekt të përbashkët, atëherë duhet ta ndash dhe ta ndërtoni së bashku”, tha Maldini për Corriere della Sera. Në fund Malago zgjodhi si trajner Roberto Mancinin, Maldini dhe Leonardo dhanë dorëheqjen pas 16 ditësh dhe projekti për ringritjen e futbollit italian nga themelet, duket se nuk ka nisur si duhet. S.Dh/ReportTv.al Roberto Mancini andrea pirlo Leonardo Pep Guardiola Paolo Maldini Giovanni Malago itali Komento Komente Sondazhi i ditës: GJKKO kërkon të kufizojë aksesin e mediave dhe të drejtave të gazetarëve gjatë seancave, a jeni dakord? Po 34.3% Jo 61.1% Nuk e di 4.7% Vota total: 4046 Sondazhi i ditës: GJKKO kërkon të kufizojë aksesin e mediave dhe të drejtave të gazetarëve gjatë seancave, a jeni dakord?