Pak para orës 14:00, Këshilli Federal i Federatës Italiane të Futbollit (FIGC) përfi mbledhjen, ku presidenti Giovanni Malagò zyrtarizoi emërimin e Roberto Mancinit si trajner i ri i Kombëtares së Italisë.
Rikthimi i Mancinit në krye të “Axurrëve” shënon fillimin e një kapitulli të ri për përfaqësuesen italiane. Ai rikthehet në stolin ku përjetoi suksesin më të madh të karrierës si trajner, duke e shpallur Italinë kampione të Europës, por edhe një nga momentet më të vështira, pas dështimit për të siguruar kualifikimin në Kupën e Botës.
Vendimi i FIGC-së erdhi pas një periudhe të trazuar për futbollin italian. Andrea Pirlo u tërhoq nga gara për postin e trajnerit, ndërsa në federatë pati ndryshime të rëndësishme me largimin e figurave të njohura si Paolo Maldini dhe Leonardo. Presidenti i ri, Giovanni Malagò, vendosi t’i besojë eksperiencës së Mancinit, duke e konsideruar atë njeriun e duhur për të rikthyer Italinë në elitën e futbollit botëror.
Në garën për pankinën, Mancini doli fitues përballë Antonio Contes, ndërsa Claudio Ranieri pritet të marrë një rol të rëndësishëm si drejtor teknik i kombëtares.
Për 61-vjeçarin nis kështu aventura e dytë në drejtimin e Italisë, me objektivin për të rindërtuar skuadrën, për të rikthyer identitetin e saj dhe për ta bërë sërish konkurruese në arenën ndërkombëtare.
Karriera e Roberto Mancinit nisi shumë herët. I lindur më 27 nëntor 1964 në Jesi, ai debutoi në Serie A në moshën vetëm 16-vjeçare dhe shpejt u konsiderua një nga talentet më premtues të futbollit italian.
Megjithatë, emri i tij u bë legjendë me fanellën e Sampdorias, ku kaloi 15 sezone dhe u shndërrua në simbol të periudhës më të lavdishme të klubit. Në sezonin 1990/91 ai udhëhoqi skuadrën drejt fitimit të Scudettos së parë dhe të vetme në histori, ndërsa së bashku me Gianluca Viallin krijoi një nga dyshet më të famshme sulmuese të futbollit italian, të njohur si “Binjakët e Golit”.
