Lajme Zone
Italia “josh” rrobaqepëset shqiptare, fasonerit në vend mbeten me punonjëse nga Filipinet
EkonomiJOQ Albania
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Italia “josh” rrobaqepëset shqiptare, fasonerit në vend mbeten me punonjëse nga Filipinet

Prej disa javësh, agjencitë e punësimit kanë publikuar oferta për rrobaqepëse shqiptare që duan të punojnë në fabrikat e veshjeve në Itali. Punësimi ofrohet me kontratë të rregullt italiane dhe pagë neto që nis nga 1,300 euro në muaj.

Prej disa javësh, agjencitë e punësimit kanë publikuar oferta për rrobaqepëse shqiptare që duan të punojnë në fabrikat e veshjeve në Itali. Punësimi ofrohet me kontratë të rregullt italiane dhe pagë neto që nis nga 1,300 euro në muaj.

Paketës së punës i shtohen 13 paga në vit, pushime të paguara dhe akomodim i siguruar nga punëdhënësi. Kandidatet duhet të kenë të paktën një vit eksperiencë në industrinë fason dhe të jenë 20–50 vjeç. Sipas një agjencie të kontaktuar nga Monitor, kërkesa vjen nga fabrika veshjesh në Pisa, Bergamo dhe Peruxhia.

Rekrutimi lidhet me vështirësitë që po has industria italiane e tekstilit, veshjeve dhe këpucëve për të gjetur punonjës. Sipas të dhënave të Unioncamere dhe Ministrisë Italiane të Punës, në këtë sektor parashikohen rreth 7 mijë punësime në korrik dhe rreth 20 mijë gjatë tremujorit korrik–shtator 2026. Vështirësia për plotësimin e vendeve të punës në sektor arrin në 56.2%, shumë mbi mesataren e përgjithshme prej 42.6% për të gjithë sektorët në Itali.

Një tjetër faktor që po ndikon në organizimin e prodhimit është rregullorja europiane 2024/1781, e cila kufizon shkatërrimin e produkteve të pashitura të veshjeve dhe këpucëve. Për kompanitë e mëdha, ndalimi hyri në fuqi më 19 korrik 2026, ndërsa për kompanitë e mesme do të zbatohet nga viti 2030.

Kërkesa e Italisë për rrobaqepëse shqiptare vjen në një moment të vështirë për fasonët në vend. Edhe pse prej vitesh sektori ankohet për mungesë punonjësish, numri i të punësuarve ka ardhur në rënie. Sipas INSTAT, në vitin 2024 në industrinë e tekstileve dhe këpucëve punonin rreth 41.2 mijë persona, rreth 8 mijë më pak se në vitin 2022, një rënie prej 19.4%.

Në vitet e fundit, fabrikat shqiptare kanë rekrutuar edhe punonjëse nga Nepali, Filipinet dhe Birmania, ndërsa kanë zgjeruar aktivitetin drejt zonave rurale për të gjetur fuqi punëtore.

Por sektori po përballet njëkohësisht me rënien e porosive, forcimin e lekut dhe rritjen e kostove të punës. Sipas Shoqatës ProEksport Albania, vetëm gjatë vitit 2025 manifaktura humbi rreth 12 mijë vende pune.

Të dhënat e INSTAT tregojnë gjithashtu se eksportet e tekstileve dhe këpucëve vijojnë rënien. Në janar–korrik 2026 ato arritën në 59.8 miliardë lekë, 7.7% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Në këtë situatë, largimi i rrobaqepëseve me eksperiencë drejt tregjeve europiane mund ta vështirësojë edhe më shumë pozicionin e fasonëve shqiptarë. Për fabrikat vendase, humbja e punonjësve të kualifikuar rrezikon të sjellë vështirësi jo vetëm në rekrutimin e stafit të ri, por edhe në përmbushjen e kontratave dhe porosive të ardhshme.