Italia ka vendosur 27 qytetet kryesore të vendit nën nivelin më të lartë të alarmit shëndetësor për shkak të temperaturave ekstreme, ndërsa vala e të nxehtit vazhdon të prekë pjesë të mëdha të Europës.
Ministria italiane e Shëndetësisë njoftoi se qytete nga veriu në jug, përfshirë Romën, Milanon, Torinon, Napolin dhe Palermon, janë vendosur në alarm të kuq, që nënkupton rrezik serioz për shëndetin e popullsisë nga temperaturat e larta dhe të zgjatura.
Temperaturat në disa zona të Italisë kanë arritur deri në 40 gradë Celsius. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin daljet nga ora 11:00 deri në 18:00, të qëndrojnë në ambiente të freskëta dhe të konsumojnë mjaftueshëm ujë.
Vala e të nxehtit, e shkaktuar nga një anticiklon me origjinë nga Afrika e Veriut, pritet të vazhdojë edhe ditët në vijim. Shkencëtarët theksojnë se ndryshimet klimatike po i bëjnë këto episode më të shpeshta, më të gjata dhe më intensive.
Temperaturat ekstreme kanë shkaktuar viktima në Itali, përfshirë punëtorë që ishin të ekspozuar ndaj nxehtësisë gjatë punës. Një 19-vjeçar që punonte në mbledhjen e domateve dhe një marangoz 40-vjeçar, kanë humbur jetën të dy në zonën e Lombardisë. Gjithashtu, një roje sigurie në Bolonjë dyshohet se ka humbur jetën nga një sëmundje e shkaktuar nga nxehtësia, ndërsa ndodhej në makinën e tij.
Ndërkohë, thatësira ka rënduar situatën në bujqësi, duke prekur prodhimin e kulturave dhe furnizimin me ujë në disa zona.
Qytetet turistike, si Roma, po marrin masa për të ndihmuar banorët dhe vizitorët, duke ofruar ambiente të freskëta dhe duke zgjatur oraret e vizitave në monumente gjatë mbrëmjes.

