Islanda ka votuar kundër rifillimit të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duke i dhënë fund përpjekjes së qeverisë për të rikthyer në tryezë procesin e integrimit. Sipas transmetuesit publik islandez RÚV, kampi kundër rifillimit të bisedimeve ka siguruar shumicën e votave në referendumin ku rreth 270 mijë votues ishin thirrur të përgjigjeshin me “po” ose “jo” ndaj pyetjes nëse vendi duhet të rifillonte negociatat e anëtarësimit me BE-në.
Referendumi e gjeti Islandën të ndarë për çështje të rëndësishme, veçanërisht për të ardhmen e industrisë së peshkimit dhe sigurinë e vendit.
Mbështetësit e rifillimit të negociatave argumentuan se anëtarësimi në BE mund të ndihmonte në uljen e normave të larta të interesit dhe të forconte sigurinë e Islandës në një periudhë të tensionuar ndërkombëtare, përfshirë luftën në Ukrainë dhe debatet rreth Grenlandës.
Kundërshtarët, nga ana tjetër, paralajmëruan se anëtarësimi do të cenonte sovranitetin e vendit, veçanërisht kontrollin mbi ujërat dhe industrinë e peshkimit.
Qeveria islandeze e kishte përshkruar procesin si një moment “tani ose kurrë”, ndërsa kryeministrja Kristrún Frostadóttir u kishte bërë thirrje qytetarëve të merrnin pjesë në votim. Pas rezultatit, kryeministrja pritet të komentojë publikisht vendimin dhe pasojat e tij për qeverinë dhe marrëdhëniet e Islandës me Bashkimin Evropian.
Një “po” në referendum nuk do të nënkuptonte anëtarësim të menjëhershëm në BE, por vetëm rifillimin e negociatave. Në rast të një anëtarësimi të ardhshëm, Islanda do të përballej edhe me çështjen e politikës së përbashkët të peshkimit të BE-së, një nga temat më të ndjeshme për vendin.
Islanda aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2009, në një periudhë kur kriza financiare globale kishte goditur rëndë ekonominë e vendit. Negociatat nisën, por një qeveri euroskeptike i dha fund procesit në vitin 2013. Pavarësisht kësaj, Islanda është tashmë pjesë e tregut të vetëm evropian përmes Marrëveshjes së Zonës Ekonomike Evropiane dhe është pjesë e zonës Shengen.
Rezultati i referendumit të 30 gushtit tregon se, për momentin, shumica e votuesve islandezë nuk mbështesin rikthimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Top Channel

