Lajme Zone
'Ishim ulur aty si budallenj, na kishin ngritur kurth' Orët dramatike kur ukrainasit mësuan se Trump dhe Putin kishin firmosur gjithçka pas krahëve të tyre
BotëReport TV
Ky artikull është pjesë e një historie me 4 burime — Krahaso mbulimin →

'Ishim ulur aty si budallenj, na kishin ngritur kurth' Orët dramatike kur ukrainasit mësuan se Trump dhe Putin kishin firmosur gjithçka pas krahëve të tyre

Për Donald Trump, ka ardhur koha që “Ukraina të ketë një president të ri”. Kjo është goditja e fundit e presidentit amerikan ndaj Volodymyr Zelenskyt, pas njoftimit të marrëveshjes mes Moskës dhe Uashingtonit për naftën ruse. Deklarata e Trump konfirmon shqetësimet e Kievit, ndërsa Kremlini e ka pritur me entuziazëm. I dërguari presidencial rus, Kirill Dmitriev, publikoi një kopertinë të revistës

Për Donald Trump, ka ardhur koha që “Ukraina të ketë një president të ri”. Kjo është goditja e fundit e presidentit amerikan ndaj Volodymyr Zelenskyt, pas njoftimit të marrëveshjes mes Moskës dhe Uashingtonit për naftën ruse. Deklarata e Trump konfirmon shqetësimet e Kievit, ndërsa Kremlini e ka pritur me entuziazëm. I dërguari presidencial rus, Kirill Dmitriev, publikoi një kopertinë të revistës Time, me fotografinë e presidentit ukrainas dhe mbishkrimin “The Endgame” (Fundi i lojës). LEXO edhe...Paralajmërimi i shërbimeve sekrete evropiane: Rusia po përgatit atentate në gjithë Evropën, në shënjestër drejtuesit e kompanive që ndihmojnë Ukrainën Por ajo që ka ndodhur në orët përpara njoftimit të marrëveshjes tregon shumë më tepër sesa deklaratat zyrtare. Kur Steve Witkoff dhe Jared Kushner informuan delegacionin ukrainas, që kishte mbërritur në Miami, se presidenti amerikan po përgatitej të lehtësonte sanksionet ndaj Rusisë, kishte mbetur vetëm një orë nga shpallja e vendimit. Dita e dytë e negociatave u anulua dhe përfaqësuesit ukrainas u larguan të zemëruar. Reagimi i Zelenskyt ishte i prerë: “Na përdorën si mbulesë”. Ndërkohë, teksa Trump dhe Putin festonin marrëveshjen, pesë bomba ruse goditën Zaporizhzhian, duke shkaktuar të paktën 15 viktima, mes tyre tre fëmijë. Delegacioni ukrainas, i kryesuar nga Kyrylo Budanov, kishte mbërritur në Florida për dy ditë bisedimesh mbi uljen e tensioneve, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve amerikanë, europianë dhe të NATO-s. Sipas gazetës Kyiv Independent, negociatorët ukrainas mezi u besonin fjalëve të Witkoff dhe Kushner, kur mësuan se Uashingtoni kishte vendosur të pezullonte sanksionet ndaj eksporteve ruse të naftës diesel. “Nuk ishte vetëm delegacioni ynë, por edhe ai europian. Ishim të gjithë ulur aty si budallenj”, u shpreh një zyrtar i lartë ukrainas, duke shtuar se gjithçka “dukej si një kurth”. Në një komunikim me gazetarët, ku mori pjesë edhe Corriere della Sera, Zelensky nuk e fshehu zhgënjimin. “Kjo nuk është aspak mënyra se si duhet ta trajtojnë njëri-tjetrin partnerët”, tha presidenti ukrainas. Sipas Axios, gjatë tetë orëve negociata, të dërguarit amerikanë shpjeguan se Trump kishte vendosur të vepronte pasi Kievi kishte shpërfillur kërkesat e përsëritura për të ndaluar sulmet ndaj rafinerive ruse. Për Uashingtonin, këto operacione ushtarake dëmtojnë Moskën, por njëkohësisht rrisin çmimet e karburanteve, duke goditur edhe konsumatorët amerikanë. “Zelensky po e interpreton gabim situatën. Duke vazhduar të godasë rafineritë, ai po dëmton marrëdhënien e mirë që ka ndërtuar me Trump”, tha një zyrtar amerikan. Nga ana tjetër, Kievi kishte propozuar një marrëveshje reciproke: Ukraina do të ndalonte sulmet ndaj impianteve të naftës në Rusi, nëse Moska do të ndërpriste bombardimet ndaj centraleve elektrike ukrainase. Por Trump kërkonte një ndërprerje të njëanshme të sulmeve nga Ukraina. Presidenti amerikan përsëriti dje akuzat ndaj Zelenskyt, duke deklaruar se ai “dëshiron t'i krijojë probleme botës dhe fermerëve” dhe se “nuk ka bërë mjaftueshëm për t'i dhënë fund luftës”. Në negociata duket se është përfshirë edhe një tjetër çështje e ndjeshme: shkëmbimi i informacioneve të inteligjencës amerikane me Ukrainën. Sipas Financial Times, Witkoff dhe Kushner kanë ngritur mundësinë e pezullimit të ndarjes së informacioneve të inteligjencës, nëse Kievi do të vazhdonte të shpërfillte kërkesat e Uashingtonit. Të njëjtin version ia ka konfirmuar Axios një zyrtar ukrainas. Megjithatë, një burim amerikan ka mohuar se është bërë ndonjë kërcënim. Sipas këtij burimi, të dërguarit e Trump vetëm u kanë kujtuar ukrainasve se Shtetet e Bashkuara i furnizojnë me municione dhe informacione të inteligjencës dhe se, për këtë arsye, Ukraina nuk duhet të ndërmarrë veprime që dëmtojnë konsumatorët amerikanë. Pavarësisht përfundimit të tensionuar të takimit, Witkoff i cilësoi diskutimet si “konstruktive”. Ai dhe Kushner mund të rikthehen në Moskë përpara fundit të muajit, me propozime të reja. Për Kievin, shqetësimi kryesor është se takimi në Miami mund të ketë shërbyer më shumë për të përgatitur negociatat e ardhshme mes Uashingtonit dhe Kremlinit, sesa për të arritur një marrëveshje me Ukrainën. Ndërkohë, bombardimet ruse kanë shkaktuar të paktën 19 viktima dhe 39 të plagosur në Ukrainë. Në Zaporizhzhia, pesë bomba të drejtuara goditën ndërtesa banimi, duke dëmtuar 26 pallate. Në Moskë, biseda telefonike mes Trump dhe Putin po festohet si fillimi i një marrëveshjeje të re mes dy vendeve. Këshilltari i Kremlinit, Yuri Ushakov, shpjegoi se presidenti rus i kishte pritur “me mirëkuptim” propozimet amerikane për uljen e tensioneve, megjithëse minimizoi mundësinë e rifillimit të negociatave trepalëshe. Ndërkohë, Moska ka hequr pjesërisht ndalimin e eksportit të naftës diesel, për të zbatuar marrëveshjen e arritur mes Putin dhe Trump. Reagimi më i ashpër nga Bashkimi Europian erdhi nga Kaja Kallas, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme. “Pezullimi i sanksioneve ndaj naftës diesel ruse i garanton Moskës të ardhura shtesë për të financuar luftën”, shkroi Kallas. Kjo ndodh në një moment kur ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian pritet të miratojnë nesër paketën më të gjerë të sanksioneve të reja kundër aparatit ushtarak rus që nga fillimi i luftës. Pavarësisht presionit amerikan, Ukraina po vazhdon sulmet brenda territorit rus. Një sulm me dronë ka dëmtuar qendrën e të dhënave të kompanisë teknologjike Yandex në rajonin e Kalugës, rreth 150 kilometra në jug të Moskës. Disa module të qendrës janë nxjerrë jashtë funksionit, ndërsa kompania ka paralajmëruar ndërprerje të mundshme të shërbimeve. Një ditë më parë, një tjetër sulm me dronë kishte shkaktuar zjarr në qendrën e Yandex në Sasovo, në rajonin e Ryazanit./CorrieredellaSera U.D/ReportTv.al lufta ne ukraine donald trump Volodymyr Zelensky vladimir putin Komento Komente Sondazhi i ditës: PS miraton me 85 vota Territorialen, a jeni dakord me ndarjen e vendit në 46 bashki? Po 59.6% Jo 34.4% Nuk e di 6% Vota total: 5183 Sondazhi i ditës: PS miraton me 85 vota Territorialen, a jeni dakord me ndarjen e vendit në 46 bashki?