Lajme Zone
Irani ka humbur kontrollin mbi Hormuzin? Cisternat kalojnë nën shoqërimin amerikan
BotëTop Channel

Irani ka humbur kontrollin mbi Hormuzin? Cisternat kalojnë nën shoqërimin amerikan

Irani mund të ketë humbur pjesërisht kontrollin mbi një nga korridoret kryesore të Ngushticës së Hormuzit: Këtë tregojnë sipas mediave të huaja të dhënat e trafikut detar global.

Irani mund të ketë humbur pjesërisht kontrollin mbi një nga korridoret kryesore të Ngushticës së Hormuzit: Këtë tregojnë sipas mediave të huaja të dhënat e trafikut detar global. Ky zhvillim vjen në kohën kur presidenti amerikan Donald Trump insiston se SHBA-ja ka “kontroll të plotë” mbi ngushticën, ndërsa Teherani vazhdon të pretendojë se korridori i rëndësishëm ujor është në duart e tij.

Sipas kompanisë Kpler, e cila monitoron trafikun detar përmes të dhënave satelitore, radarëve dhe informacioneve portuale, gjatë dy javëve të fundit më shumë se 80 për qind e naftës bruto që ka kaluar përmes Hormuzit ka ndjekur rrugën pranë ujërave të Omanit, e cila njihet nga Kombet e Bashkuara, por që Irani e konsideron si cenim të sovranitetit të tij mbi ngushticën.

Ndryshimi është i madh krahasuar me një muaj më parë, kur në këtë korridor nuk kishte pothuajse fare trafik tregtar. Analistët e Kpler vlerësojnë se kjo mund të konsiderohet dëshmi e faktit që Republika islamike mund ta ketë humbur të paktën pjesërisht kontrollin mbi këtë pjesë të ngushticës. Nga 1 deri më 19 gusht, në Hormuz kanë kaluar 236 anije. Vetëm 83 prej tyre përdorën korridorin iranian, ndërsa 148 kaluan me transponderët e fikur, për të ulur mundësinë që të identifikohen dhe të bëhen objektiv sulmi.

Sipas portalit amerikan Axios, SHBA-ja e ka menaxhuar prej disa javësh në heshtje korridorin e lundrimit pranë ujërave të Omanit. Çdo natë, rreth 15 deri në 20 cisterna kalojnë në dy kolona, një në hyrje dhe një në dalje të ngushticës, nën koordinimin e një task-force amerikane. Sipas Shteteve te Bashkuara, kjo ka bërë që në qarkullim të rikthehen rreth 10 milionë fuçi naftë në ditë, rreth gjysma e nivelit para luftës, por dukshëm më shumë se gjatë muajve të krizës. Top Channel