Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masën “arrest në burg” për shtetasen turke Julide Yazici, 32 vjeç, e cila u arrestua në Shqipëri pasi rezultoi e shpallur në kërkim nga autoritetet turke. Yazici, e cila sipas të dhënave të bëra publike ka përfituar azil politik në Francë, akuzohet nga drejtësia turke për dhënie ndihme logjistike për një organizatë terroriste dhe pjesëmarrje në organizatë terroriste.
Siç raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, ajo ishte shpallur në kërkim për përfshirjen e dyshuar në protesta në mbështetje të të drejtave të kurdëve, të zhvilluara disa vite më parë në Turqi.
Sipas dosjes së autoriteteve turke, gjatë kontrolleve në një banesë në Stamboll janë gjetur prova që lidhen me hetimin, ndërsa Yazici dyshohet gjithashtu se ka qenë e përfshirë në një aktivitet ku janë përdorur mjete shpërthyese artizanale.
Për këtë çështje, ajo është dënuar në mungesë me 4 vite burgim nga drejtësia turke.
Në seancat gjyqësore në Shqipëri, Yazici ka deklaruar se është e persekutuar politikisht për shkak të qëndrimit të saj kundër presidentit turk Recep Tayyip Erdogan. Ajo ka pretenduar se, në rast se ekstradohet drejt Turqisë, i rrezikohet jeta. Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe avokatët e saj.
Prokuroria ka kërkuar vijimin e masës së sigurisë, duke argumentuar se procedura lidhet me kërkesën për ekstradim dhe aktet e përcjella nga autoritetet turke.
Me vendimin e Apelit, Yazici do të vijojë të qëndrojë në burg në Shqipëri, ndërsa pritet të vijojë procedura gjyqësore lidhur me kërkesën e autoriteteve turke për ekstradimin e saj. Top Channel

