Lajme Zone
Investimi në Zvërnec, Rama për “Channel 4 News”: Është absurde të mendohet se Shqipëria ecën përpara pa standarde europiane
PolitikëEuronews Albania
Ky artikull është pjesë e një historie me 4 burime — Krahaso mbulimin →

Investimi në Zvërnec, Rama për “Channel 4 News”: Është absurde të mendohet se Shqipëria ecën përpara pa standarde europiane

Kryeministri Edi Rama u bë pjesë e një reportazhi të rrjetit televiziv britanik “Channel 4 News” për çështjen e investimit në Zvërnec, ku deklaroi se është absurd mendimi se Shqipëria mund të ecë përpara me një projekt që nuk përputhet me standardet europiane.

Kryeministri Edi Rama u bë pjesë e një reportazhi të rrjetit televiziv britanik “Channel 4 News” për çështjen e investimit në Zvërnec, ku deklaroi se është absurd mendimi se Shqipëria mund të ecë përpara me një projekt që nuk përputhet me standardet europiane. Rama u shpreh se investimi nuk synon të shkatërrojë Zvërnecin, por ta rigjenerojë atë, duke theksuar se në proces janë përfshirë arkitektë dhe projektues peizazhi me eksperiencë në zona ligatinore. “Janë përfshirë arkitektë të nivelit më të lartë dhe projektues peizazhi të njohur për punën e tyre në zonat ligatinore. Në të njëjtën kohë, ne po bëjmë në mënyrë të pavarur vlerësimin e ndikimit në mjedis. Pra, projekti nuk synon ta shkatërrojë atë vend të bukur. Synon ta rigjenerojë”, tha Rama. Duke folur për shqetësimet e ngritura nga Komisioni Europian për standardet mjedisore, kryeministri tha se është normale që institucionet europiane të jenë të kujdesshme, ndërsa theksoi se Shqipëria është në proces negociatash për anëtarësim në Bashkimin Europian. “Është shumë mirë që Komisioni është i shqetësuar. Nuk mund të jetë ndryshe. Dhe, meqë ra fjala, ne po negociojmë për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Europian. Prandaj vetë ideja se ne mund të ecim përpara me një projekt, apo me çfarëdo projekti, që nuk përputhet me standardet europiane është absurde”, u shpreh ai. Gazetarja: A keni rishqyrtuar ndonjë nga politikat tuaja lidhur me projektin në Sazan dhe Zvërnec, prej nga nisi gjithçka, për shkak të rrezikimit të habitatit të flamingove dhe habitateve të tjera atje. Edi Rama: Jo. Nuk ka nisur asnjë projekt. Gazetarja: Unë e kam parë. Edi Rama: Jo. Gazetarja: Atëherë çfarë kam parë? A nuk duhet t’u besoj syve të mi? Edi Rama: Do t’ju tregoj çfarë keni parë, por nuk ka nisur asnjë projekt. Dhe, sa i përket Sazanit, që e përfshitë në pyetjen tuaj, në Sazan nuk ka as projekt dhe as marrëveshje. Përfshirja e Sazanit këtu është krejt e panevojshme, sepse ende nuk kemi asgjë në Sazan. Gazetarja: Por zoti Kushner dhe zonja Trump i lidhën të dy projektet, apo jo? Ata thanë se projektet janë të lidhura. Edi Rama: Po, ideja është e lidhur. Gazetarja: Atëherë ma shpjegoni, sepse unë shkova në Zvërnec dhe pashë vendin ku projekti kishte nisur dhe më pas ishte ndalur. Edi Rama: Jo. Projekti nuk ka nisur në Zvërnec. Gazetarja: Atëherë çfarë pashë me gardhet dhe kështu me radhë? Edi Rama: Do t’ju shpjegoj. Nuk është fillimi i projektit. Janë vetëm përgatitje për kryerjen e punimeve paraprake, përpara se të jepet leja, bazuar në vlerësimin mjedisor, gjeologjik dhe hidrologjik. Gazetarja: Por zakonisht vlerësimi mjedisor bëhet përpara se të futen buldozerët, sepse ata mund të dëmtojnë mjedisin. Zakonisht dërgohen disa shkencëtarë për të bërë vlerësimin. Edi Rama: Buldozerët janë përdorur për të hapur kalimin për njerëzit, për komunitetin, për të krijuar rrugë përmes pronës private, në mënyrë që njerëzit të mos pengoheshin të lëviznin. Gazetarja: Por njerëzit kalonin edhe më parë në rrugën me rërë. Ata u bllokuan vetëm pasi u vendos gardhi. Edi Rama: Përsëri, nëse doni faktet, unë po jua them faktet. Gazetarja: Zoti Kushner tha se ju ishit në jaht me ta kur zbuluan ishullin në vitin 2020. Edi Rama: Më ftuan t’i bashkohesha disa njerëzve në një jaht që ndaloi në Shqipëri për t’u furnizuar me karburant, rrugës për në Mal të Zi. Ishte jahti i Nat Rothschild. Pranova ftesën dhe shkova. Aty takova Jared-in dhe Ivanka-n. Nuk e di nëse kishin dëgjuar më parë për Shqipërinë. Por mund t’ju them me siguri se nuk kishin ndonjë interes të drejtpërdrejtë për Shqipërinë. Ata ishin shumë të interesuar për historinë dhe vendin ku ndodheshin. Më pas, disa muaj më vonë, u takova me Jared-in në Davos. Ai më shprehu interesin për të eksploruar mundësinë e investimit. Sigurisht që i thashë po. Si mund t’i thosha jo? Për mua kjo ishte gjëja më normale. Ky do të jetë një nga zhvillimet më të jashtëzakonshme që do t’i ndodhin Europës pas shumë kohësh. Nuk kanë ndodhur shumë gjëra të jashtëzakonshme në Europë këto vitet e fundit. Gazetarja: Pse është kaq i jashtëzakonshëm? Edi Rama: Sepse nuk do të jetë ashtu siç e imagjinojnë njerëzit, gabimisht. Ashtu siç e imagjinoni edhe ju, gabimisht. Gazetarja: Unë nuk po imagjinoj. Kam parë atë që Jared Kushner publikoi në Instagram dhe disa nga planet e tjera. E kuptoj që ato nuk janë planet përfundimtare. Edi Rama: Ajo që u publikua në Instagram ishte vetëm një prezantim paraprak. Projekti ka evoluar, procesi ka evoluar. Tani janë përfshirë arkitektë të njohur botërisht dhe projektues peizazhi me përvojë të madhe në zonat ligatinore. Në të njëjtën kohë, ne po kryejmë në mënyrë të pavarur vlerësimin e ndikimit në mjedis. Projekti nuk synon të shkatërrojë një vend të bukur. Ai synon ta rigjenerojë atë. Gazetarja: Duket sikur ju kanë lënduar personalisht këto akuza. Edi Rama: Jo, jo. Nuk jam i lënduar. Gazetarja: Megjithatë, duket se i merrni shumë personalisht. Është interesante. Edi Rama: Nuk jam i lënduar. Gazetarja: Sepse duket se i merrni shumë personalisht. Edi Rama: Dëgjoni, gjithçka është personale. Kushdo që e bën punën e tij ose të saj me pasion, e përjeton personalisht. Por nuk jam i lënduar. Kjo më ka ndihmuar. Rama intervistën për “Channel 4”: Kam reflektuar për protestat dhe i kuptoj protestuesit