Lajme Zone
Investigimi/ Media italiane sjell rastin tronditës: Jetë të shkatërruara pasi bënë dhëmbët në Shqipëri
PolitikëSyri
Ky artikull është pjesë e një historie me 3 burime — Krahaso mbulimin →

Investigimi/ Media italiane sjell rastin tronditës: Jetë të shkatërruara pasi bënë dhëmbët në Shqipëri

Simone Del Vecchio, nga Barletta e Italisë, u godit nga katër arreste kardiake pas një ndërhyrjeje dentare në Tiranë. Prej dy vitesh jeton mes shtratit dhe karrocës me rrota, i asistuar nga familja. Hetimi i ‘LA REPUBBLICA’ vë në qendër rreziqet e turizmit dentar dhe dëshmitë e pacientëve të tjerë.

Simone Del Vecchio, nga Barletta e Italisë, u godit nga katër arreste kardiake pas një ndërhyrjeje dentare në Tiranë. Prej dy vitesh jeton mes shtratit dhe karrocës me rrota, i asistuar nga familja. Hetimi i ‘LA REPUBBLICA’ vë në qendër rreziqet e turizmit dentar dhe dëshmitë e pacientëve të tjerë. L’IMMEDIATOLexo edhe:‘Edhe një episod’? Si të mos lejojmë shpërqendrimet digjitale të na prishin gjumin Kishte udhëtuar drejt Shqipërisë me qëllim që të zgjidhte problemet e tij me dhëmbët, i tërhequr nga kostot më të ulëta krahasuar me Italinë. Sot, në moshën 39-vjeçare, Simone Del Vecchio, me origjinë nga Barletta, e kalon pjesën më të madhe të ditës në shtrat ose në karrocë me rrota, nuk arrin të ushqehet vetë dhe ka humbur pjesën më të madhe të kujtimeve. Jeta e tij ndryshoi rrënjësisht pas një ndërhyrjeje odontologjike të kryer në Tiranë në mars 2024. Ngjarjen e rrëfen ‘LA REPUBBLICA’, e cila ka mbledhur dëshminë e vëllait binjak Marco Del Vecchio në kuadër të një hetimi mbi turizmin dentar në Shqipëri, një fenomen që ushqehet nga oferta ekonomike dhe paketa që përfshijnë kurimin, udhëtimin dhe qëndrimin. Ndërhyrja në Tiranë dhe katër arrestet kardiake Simone punonte si grafik dhe web designer dhe kishte nisur projekte të reja profesionale. Vuante nga piorrea, një patologji inflamatore që prek indet mbështetëse të dhëmbëve dhe që, në rastet më të rënda, mund të shkaktojë rënien e tyre. Më 13 mars 2024 iu nënshtrua një ndërhyrjeje në një klinikë të Tiranës, ku iu hoqën të gjithë dhëmbët në një seancë të vetme. Sipas rindërtimit të publikuar nga ‘LA REPUBBLICA’, rreth një orë pasi u kthye në hotel me nënën e tij, 39-vjeçari u rrëzua ndërsa përpiqej të pinte ujë. Brenda një intervali të shkurtër kohor u godit nga katër arreste kardiake. Fillimisht i shtruar në terapi intensive në Tiranë, më pas u transferua në Bari falë ndërhyrjes së vëllait dhe shefit të reanimacionit të spitalit shqiptar. Simone qëndroi në koma për gati dy muaj. Pas zgjimit, në maj 2024, nisi një rrugëtim i gjatë shtrimesh spitalore dhe asistencë mes Barit, San Giovanni Rotondo-s dhe Chieti-t. Jeta e përmbysur: nuk flet dhe ushqehet përmes sondës Sot Simone jeton në Barletta, i asistuar nga prindërit, vëllai dhe specialistë të shumtë. Gjendja e tij, tregon Marco, është shumë e rëndë. Vuan nga kriza spastike të vazhdueshme, ka deficite të rëndësishme konjitive dhe nuk arrin të gëlltisë. Për t’u ushqyer përdor një PEG, një pajisje që lejon dhënien e ushqimit drejtpërdrejt në stomak. Komunikimi është i kufizuar në çaste të rralla kthjelltësie. Nuk kujton punën e tij, projektet profesionale e as çfarë i ka ndodhur. Kur familjarët përpiqen t’ia tregojnë ngjarjen, Simone preket dhe qan. Pak më vonë, megjithatë, harron sërish gjithçka. Vëllai Marco, i cili kishte kundërshtuar vendimin për t’u kuruar në Shqipëri, përshkruan një përditshmëri të shënuar nga nevoja për ta asistuar vazhdimisht dhe për të përdorur trajtime farmakologjike për t’i lehtësuar vuajtjet. Turizmi dentar në Shqipëri: çmime të ulëta dhe ndërhyrje invazive Historia e Simones është një nga rastet e trajtuara në hetimin e ‘LA REPUBBLICA’, i cili shqyrton fenomenin e turizmit dentar drejt Shqipërisë. Sipas të dhënave të ofruara për gazetën nga Urdhri i Odontologëve të Shqipërisë, në vend operojnë rreth 150 klinika që ofrojnë paketa të turizmit dentar, të paktën njëqind prej të cilave vetëm në Tiranë. Ofertat shpesh përfshijnë fjetje, transferta nga aeroporti dhe ndërhyrje odontologjike me çmime ndjeshëm më të ulëta se ato italiane. Disa struktura i promovojnë shërbimet e tyre edhe përmes takimeve reklamuese të organizuara në Pulia, me evente të shpallura në Bari, Brindizi dhe Taranto. Promocionet arrijnë të reklamojnë kursime deri në 70%. Por pas përfitimit ekonomik, paralajmërojnë ekspertët e intervistuar nga gazeta, mund të fshihen rreziqe që lidhen me përshtatshmërinë e kurimeve, cilësinë e materialeve dhe kompleksitetin e ndërhyrjeve. “Më kanë hequr 26 dhëmbë në gjashtë orë”: dëshmitë e tjera Në hetim del në pah edhe rasti i Rossanës, emër i trilluar i një gruaje 57-vjeçare nga Pulia, e cila kishte zgjedhur Shqipërinë pasi kishte marrë një preventiv prej 6.700 eurosh, kundrejt 13-14 mijë eurove të kërkuara në Itali. E mbërritur në Tiranë për një skaner dentar (TAC), ajo tregon se iu nënshtrua një ndërhyrjeje që zgjati gjashtë orë, gjatë së cilës i u hoqën 26 dhëmbë. Më pas hasi probleme me implantet, me dhëmbë shumë të mëdhenj dhe të çrregullt, deri në pikën që iu desh të përballej me ndërhyrje të tjera. Sot, sipas dëshmisë së saj, nuk arrin më të përtypë normalisht dhe ushqehet me kos dhe pure të gatshme. Një paciente tjetër, një grua 61-vjeçare e përmendur me emrin e trilluar Laura, rrëfen vështirësi në të folur dhe në ngrënie pas një trajtimi që kushtoi 6.300 euro, kundrejt 15 mijë eurove të preventivuara në Itali. Janë dëshmi që ngrenë pikëpyetje mbi sigurinë e disa shërbimeve, pa mundur megjithatë të shtrijnë përgjegjësitë mbi të gjithë sektorin odontologjik shqiptar. Alarmi i dentistëve: “Shumë dhëmbë të hequr në vend që të kurohen” Për rreziqet paralajmëron edhe Nicola Cavalcanti, zëvendëspresident kombëtar i Komisionit të Regjistrit të Odontologëve dhe koordinator i grupit të punës për turizmin odontologjik. Sipas ekspertit, një nga problemet ka të bëjë me prirjen, të vërejtur në disa struktura, për të kryer heqje të shumta në vend që të vlerësohen trajtimet konservuese. Ndërhyrjet veçanërisht invazive mund të sjellin ndërlikime, sidomos kur parashikojnë anestezi të shumta dhe heqjen e menjëhershme të shumë dhëmbëve. Fabio De Pascalis, përfaqësues i Shoqatës Kombëtare të Dentistëve Italianë Bari-Bat dhe president i Komisionit të Regjistrit të Odontologëve Bat, vë në dukje gjithashtu vështirësitë që hasin profesionistët italianë kur duhet të ndërhyjnë për të korrigjuar trajtime të kryera jashtë vendit. Në disa raste, shpjegon ai, mungojnë informacione të sakta mbi materialet dhe sistemet e implanteve të përdorura, duke e bërë më të ndërlikuar programimin e kurimeve të mëtejshme. Edhe Urdhri Shqiptar denoncon praktikat e parregullta Që ekzistojnë problematika e pranon vetë Almiro Gurakuqi, president i Urdhrit të Odontologëve të Shqipërisë, i intervistuar nga ‘LA REPUBBLICA’. Gurakuqi bën dallimin mes profesionistëve të kualifikuar dhe strukturave që, sipas tij, përdorin praktika tepër invazive, duke denoncuar prirjen për të hequr dhëmbë që mund të kuroheshin. Urdhri shqiptar ka hapur disa procedime disiplinore mbi bazën e sinjalizimeve të pacientëve, por procedurat rezultojnë komplekse, edhe sepse kërkojnë pjesëmarrjen e të interesuarve dhe mund të sjellin shpenzime të tjera ligjore. Ndërkohë, në Barletta, familja Del Vecchio vazhdon ta asistojë Simonen, duke u përpjekur të lehtësojë pasojat e një ngjarjeje që ndryshoi plotësisht jetën e tij. Vëllai Marco, përmes dëshmisë së mbledhur nga ‘LA REPUBBLICA’, fton të reflektohet mbi rreziqet e besimit të zgjedhjeve të ndjeshme shëndetësore mbi bazën e përfitimit ekonomik, duke kujtuar se në qendër të çdo trajtimi duhet të jetë shëndeti i pacientit.