Lajme Zone
Inteligjenca artificiale mund ta transformojë matematikën, por njeriu do të mbetet i domosdoshëm
EkonomiSyri

Inteligjenca artificiale mund ta transformojë matematikën, por njeriu do të mbetet i domosdoshëm

OpenAI njoftoi së fundmi se një prej modeleve të saj të inteligjencës artificiale kishte zgjidhur një nga problemet më të vështira të matematikës moderne: problemin e Navier-Stokes. Ekuacionet në themel të këtij problemi përshkruajnë lëvizjen e lëngjeve, si uji, por edhe të gazeve, si ajri, sipas përkufizimit shkencor.

OpenAI njoftoi së fundmi se një prej modeleve të saj të inteligjencës artificiale kishte zgjidhur një nga problemet më të vështira të matematikës moderne: problemin e Navier-Stokes. Ekuacionet në themel të këtij problemi përshkruajnë lëvizjen e lëngjeve, si uji, por edhe të gazeve, si ajri, sipas përkufizimit shkencor. Ekuacionet Navier-Stokes janë thelbësore për të kuptuar dukuri të tilla si rrymat oqeanike, qarkullimi i gjakut dhe lëvizja e ajrit rreth krahëve të avionëve. Megjithatë, matematikanët janë përpjekur për dekada të tëra të përcaktojnë nëse ekzistojnë zgjidhje të rregullta dhe të qëndrueshme për këto ekuacione.Lexo edhe:Miliona euro për kanalizimet, por Lezha përmbytet sërish! Shikoni pamjet Pikërisht për këtë arsye, Instituti Clay i Matematikës në SHBA, i cili ka për mision përhapjen e njohurive matematikore, e përzgjodhi problemin e Navier-Stokes si një nga shtatë problemet e Mijëvjeçarit. Këto janë problemet më të rëndësishme dhe më sfiduese të pazgjidhura në matematikën moderne. Për zgjidhjen e parë të saktë të secilit prej tyre ofrohet një çmim prej 1 milion dollarësh. Një problem që u kishte rezistuar brezave të tërë matematikanësh duket se është zgjidhur nga inteligjenca artificiale. Ndërsa këto përparime kanë shkaktuar tronditje në botën e matematikës, ato duket se janë vetëm maja e ajsbergut. Më 6 tetor 2026, OpenAI prezantoi zgjidhjet e më shumë se 300 problemeve të pazgjidhura prej kohësh, në shumicën e fushave të matematikës, të realizuara nga një model i ri i brendshëm i kompanisë. A shënon kjo fundin e matematikës si veprimtari njerëzore? Për t'iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet të shqyrtojmë më nga afër provat matematikore. Në përgjithësi, një provë është një argument që vërteton një pohim matematikor. Ajo nis nga supozime të pranuara përgjithësisht dhe vijon përmes një sërë hapash arsyetimi deri në vërtetimin e pohimit. Përpara se matematikanët ta pranojnë një argument si provë, duhet të verifikojnë saktësinë e çdo hapi. Kompjuterët po ndihmojnë gjithnjë e më shumë në këtë proces, por për rezultatet madhore të prodhuara nga inteligjenca artificiale, mbikëqyrja dhe ekspertiza e matematikanëve mbeten të domosdoshme. Megjithatë, edhe pasi një provë është verifikuar plotësisht, puna nuk përfn. Matematikanët nuk duan vetëm të dinë nëse një teoremë është e vërtetë, por edhe pse është e vërtetë dhe çfarë mund të mësojnë prej provës që e vërteton. Profesori Terence Tao nga Universiteti i Kalifornisë në Los Anxhelos është një nga matematikanët më të njohur në botë dhe një mbështetës i spikatur i përdorimit të inteligjencës artificiale në matematikë. Së fundmi, ai ka përdorur termin “përvetësimi i provës” për të përshkruar mënyrat e shumta se si matematikanët vazhdojnë të punojnë me një provë edhe pasi kanë vërtetuar saktësinë e saj. Ata mund ta riorganizojnë provën duke u mbështetur në koncepte më të natyrshme, të thjeshtojnë një argument të ndërlikuar, ta lidhin atë me njohuritë ekzistuese matematikore ose të nxjerrin metoda që mund të zbatohen edhe në fusha të tjera. Vetë ky proces përvetësimi mund të jetë shumë frytdhënës dhe të çojë në zbulime të reja matematikore. Puna vazhdon Edhe pasi një provë është përvetësuar plotësisht, puna matematikore rrallëherë përfn. Rezultatet e mëdha matematikore shpesh shërbejnë si pikënisje për probleme të reja ende të pazgjidhura. Për shembull, disa variante të rëndësishme të problemit të Navier-Stokes nuk mund të zgjidhen me metodat e përdorura në provën e propozuar së fundmi nga OpenAI. Kjo është tipike për zbulimet e mëdha: rëndësia e tyre qëndron jo vetëm te përgjigjja që u japin pyetjeve të vjetra, por edhe te konceptet e reja matematikore që sjellin dhe drejtimet e reja të kërkimit që hapin. Shpesh, një provë e vetme nuk mjafton. Matematikanët kërkojnë rregullisht prova të reja për rezultate që janë vërtetuar tashmë. Merrni, për shembull, teoremën e Pitagorës: a² + b² = c². Ajo shpreh lidhjen mes tri brinjëve të një trekëndëshi kënddrejtë. Ky rezultat u vërtetua që në lashtësi, por një libër i botuar në vitet 1920 përmbledh më shumë se 300 prova të teoremës së Pitagorës, të zhvilluara gjatë dy mijëvjeçarëve të fundit. Nëse qëllimi i vetëm i një prove do të ishte të vërtetonte saktësinë e një rezultati, të gjitha provat e tjera, përveç asaj të parës, do të ishin të tepërta. Por ndodh e kundërta: prova të ndryshme mund të zbulojnë këndvështrime të reja mbi arsyen pse një rezultat është i vërtetë, të nxjerrin në pah lidhje të reja me koncepte nga fusha të tjera të matematikës ose të sugjerojnë metoda të reja përgjithësimi. Pra, provat vlerësohen jo vetëm sepse verifikojnë rezultatet matematikore, por edhe për shpjegimin dhe kuptimin që ofrojnë. Është e vështirë të përcaktohet saktësisht se çfarë e bën një provë shpjeguese ose ndriçuese. Kjo mbetet një çështje që diskutohet ende në filozofinë e matematikës. Për këtë arsye, shpjegimi dhe kuptimi janë objektiva shumë më pak të qarta për inteligjencën artificiale sesa thjesht prodhimi i një prove të saktë. Përparimet e fundit në inteligjencën artificiale ka të ngjarë të transformojnë thellësisht mënyrën se si zhvillohet puna matematikore. Por matematika nuk konsiston thjesht në gjetjen e përgjigjeve të sakta për probleme të pazgjidhura. Provat duhet ende të kuptohen, të riorganizohen, të lidhen me rezultate të tjera dhe të përdoren për të ngritur pyetje të reja. Ndërsa modelet e inteligjencës artificiale bëhen gjithnjë e më të afta për të prodhuar prova, këto aspekte të tjera të kërkimit matematikor mund të marrin rëndësi edhe më të madhe. Në të ardhmen e afërt, mund të ketë më pak rëndësi se kush ose çfarë e prodhon një provë dhe më shumë rëndësi mënyra se si ajo mund të shërbejë për përparimin e matematikës.