Ndërsa projektbuxheti 2027 po kalon në çdo komision, kërkesat e institucioneve për fondet e përcaktuara për vitin e ardhshëm janë parashtruar. Në Komisionin për Nismat Qytetare, drejtoresha e INSTAT, Lantona Sado, parashtroi kërkesën për më shumë para në drejtim të institucionit me qëllim realizimin e Censit të bujqësisë.
“Në lidhje me Censin e bujqësisë kemi kryer disa detyra kryesore, por 2027-ta duhet të na gjejë të aktivizuar, duke bërë investime në teknologji, mjetet teknike për Censin dhe në tetor duhet të kemi rekrutuar punonjës. 25 milionë lekë për staf shtesë, investimet në infrastrukturë 35 milionë lekë. Dua të theksoj se koha e alokimit të fondeve është vendimtare për realizimin e Censit, pasi procedurat e prokurimeve dhe rekrutimi i stafit kërkojnë kohë. Kërkesa jonë 2.3 miliardë lekë buxhet, INSTAT-it do t’i jepen 1.8 miliardë lekë, ka një diferencë të paplotësuar prej 530 milionë lekësh. Për Censin kemi planifikuar për 2027-ën, afro 736 milionë lekë”, u shpreh Sado.
Sipas Sados, mosrealizimi i Censit këtë vit erdhi si pasojë e vonesave në miratimin e ligjit dhe në financimin e nevojshëm për këtë proces. Ndërsa të tjera fonde shtesë INSTAT kërkoi edhe financim për 11 pozicione të reja pune në institucion.
Në të njëjtin komision, Autoriteti i Konkurrencës prezantoi kërkesat buxhetore të institucionit për vitin 2027 gjatë një seance dëgjimore në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, në kuadër të shqyrtimit të projektligjit “Për buxhetin e vitit 2027”.
Kryetari Denar Biba parashtroi nevojën urgjente për pajisjen me një godinë të re për Autoritetin e Konkurrencës, ndërsa theksoi se për vitin 2027 përparësi kryesore mbetet forcimi i kapaciteteve njerëzore.
“E nevojshme krijimi i një Drejtorie Integrimi dhe të një drejtorie të posaçme hetimi, pasi këto struktura janë të domosdoshme për përmbushjen e detyrimeve të institucionit në procesin e integrimit evropian dhe për ushtrimin e funksioneve të tij.” Top Channel

