Federata Uellsiane e Futbollit (FAW) është bërë organizata e parë kombëtare që ka tërhequr zyrtarisht mbështetjen për presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm. Sipas raportimit të Sky News, FAW i ka dërguar një letër zyrtare FIFA-s, ku shpreh humbjen e besimit ndaj Infantinos pas polemikave të fundit lidhur me planin për të përfshirë investitorë privatë në të drejtat tregtare të Kupës së Botës.
Në deklaratën e federatës thuhet se “dështimet në qeverisje, procese, lidership, vlera, menaxhimin e palëve të interesuara, komunikim dhe gjykim të shëndoshë” kanë bërë që Gianni Infantino të humbasë besimin e Federatës Uellsiane për të vazhduar në krye të futbollit botëror.
“Pamundësia për të vendosur interesin e futbollit mbi çdo gjë tjetër është një dështim që nuk mund ta pranojmë”, thuhet më tej në reagimin e FAW.
Infantino u detyrua javën e kaluar të tërhiqej nga plani për t’u shitur investitorëve privatë një pjesë e të drejtave të Kupës së Botës, pasi projekti hasi në kundërshtim të fortë nga federatat evropiane.
Të 55 federatat anëtare të UEFA-s ranë dakord të bojkotonin aktivitetet e FIFA-s në shenjë proteste, duke e detyruar presidentin e organizatës të tërhiqej nga iniciativa.
Ndërkohë, edhe Federata Angleze e Futbollit ka mbështetur kërkesën e UEFA-s për një votë mosbesimi ndaj drejtimit aktual të FIFA-s, duke bërë thirrje për një rishikim të plotë të mënyrës se si qeveriset organizata.
Sipas mediave britanike, disa kandidatë nga UEFA dhe konfederata të tjera po shqyrtojnë mundësinë për të sfiduar Infantinon në zgjedhjet e ardhshme, nëse ai nuk vendos të largohet më herët.
Gianni Infantino pritej të kandidonte për një mandat të katërt në krye të FIFA-s, por zhvillimet e fundit kanë vënë në pikëpyetje të ardhmen e tij, ndërsa pritet që edhe federata të tjera t’i bashkohen Uellsit në tërheqjen e mbështetjes. Top Channel

