Protestuesit e rinj në Indi i kanë dhënë fund javëve të tëra demonstratash dhe kanë festuar në rrugë këtë të shtunë, pasi ministri i Arsimit dha dorëheqjen dhe qeveria e kryeministrit Narendra Modi pranoi kërkesat e tyre, përfshirë reformimin e sistemit të provimeve, i cili është përballur vazhdimisht me skandale kopjimi dhe rrjedhje të tezave. Kriza më e rëndë politike e mandatit të tretë të Modit arriti kulmin këtë javë, kur mijëra protestues marshuan drejt Parlamentit, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. LEXO edhe...Miqësia e veçantë Meloni-Modi, kryeministri indian i dhuron çokollatat e personalizuara ‘Melody’ Të rinjtë përbëjnë një bazë të rëndësishme elektorale për Partinë Bharatiya Janata (BJP) të Modit. Megjithatë, të rinjtë që e quajnë veten "Cockroach Janta Party" (Partia Popullore e Buburrecave) dolën në rrugë që nga fundi i qershorit, pasi tezat e provimit kombëtar u publikuan para kohe, duke detyruar autoritetet të organizonin një riprovim që preku rreth 2 milionë studentë. Ngjarja ndezi zemërimin e të rinjve edhe për mungesën e perspektivës dhe mundësive për punësim në Indi. Dorëheqja e ministrit të Arsimit, Dharmendra Pradhan, kërkesa kryesore e protestuesve, erdhi si surprizë, pasi Narendra Modi njihet për faktin se rrallëherë merr vendime nën presionin e protestave. Partia e Modit përballet vitin e ardhshëm me zgjedhje të rëndësishme në disa shtete federale. Lëvizje të ngjashme të udhëhequra nga të rinjtë kanë rrëzuar qeveri në vitet e fundit në Sri Lanka, Nepal dhe Bangladesh. Pas dorëheqjes së ministrit, në sheshin e protestave Jantar Mantar në kryeqytetin Delhi shpërthyen festime. Mijëra të rinj brohorisnin slogane fitoreje, kërcenin dhe festonin. Lëvizja "Cockroach Janta Party" (CJP), e cila organizoi protestat, njoftoi se do t'i japë fund demonstratave. "Ja dolëm", deklaroi themeluesi i CJP-së, Abhijeet Dipke, mes duartrokitjeve dhe brohoritjeve të protestuesve. Të rinjtë thërrisnin "Jai Hind", slogan patriotik që do të thotë "Fitore për Indinë", ndërsa nga altoparlantët dëgjohej himni kombëtar dhe mes turmës shpërndaheshin ëmbëlsira. Rrugët përreth zonës së biznesit Connaught Place, pranë vendit të protestës, u bllokuan për shkak të festimeve dhe turmës së madhe të protestuesve. Ministri i Shëndetësisë, J.P. Nadda, dhe ministri i Shtetit pranë zyrës së kryeministrit, Jitendra Singh, zhvilluan një konferencë të përbashkët për shtyp me dy përfaqësues të CJP-së, pas një raundi të ri bisedimesh që u zhvillua menjëherë pas dorëheqjes së Pradhanit. Udhëheqësit e protestës u bëjnë thirrje mbështetësve të largohen në mënyrë paqësore Ministri Nadda deklaroi se qeveria kishte pranuar të gjitha kërkesat e protestuesve. Këto përfshijnë reformimin e sistemit të provimeve, heqjen e procedimeve penale ndaj protestuesve dhe kompensimin e familjeve të studentëve që i dhanë fund jetës pas skandalit me rrjedhjen e tezave. "Cockroach Janta Party deklaron se po i jep fund protestës me mirëbesim", tha zëdhënësi i CJP-së, Saurav Das. "Të gjitha kërkesat e ekipit tonë janë pranuar. Prandaj u kërkojmë protestuesve të tërhiqen dhe të kthehen në shtëpi në mënyrë paqësore", shtoi një tjetër zëdhënës, Ashutosh Ranka. "Në fund të fundit kemi fituar. Përpjekjet, puna dhe durimi juaj u shpërblyen", u tha Ranka mijëra protestuesve të mbledhur në Jantar Mantar pas kthimit nga negociatat, duke i ftuar të largoheshin në mënyrë të qetë. Edhe partitë opozitare kishin mbështetur kërkesat e të rinjve dhe gjatë gjithë javës bllokuan punimet e sesionit të parlamentit, duke vënë në rrezik miratimin e disa projektligjeve të rëndësishme të qeverisë. Pamjet e policisë që përdorte gaz lotsjellës kundër protestuesve shtuan zemërimin e opinionit publik, megjithëse autoritetet mbrojtën veprimet e tyre duke argumentuar se po zbatonin ligjin. Dharmendra Pradhan njoftoi dorëheqjen përmes një postimi në rrjetin social X. "Duke marrë parasysh situatën e krijuar në Jantar Mantar dhe në mbarë vendin, në mënyrë që forcat antikombëtare të mos përfitojnë nga kjo situatë... i kam dërguar kryeministrit letrën time të dorëheqjes", shkroi ai. "Kam respekt të thellë për aspiratat, ndjenjat dhe pritshmëritë legjitime të të rinjve të vendit." Rikthehet interneti dhe rihapen stacionet e metrosë Protestuesit kishin kërkuar dorëheqjen e Pradhanit pas rrjedhjes së tezës së provimit kombëtar të pranimit në fakultetet e mjekësisë në muajin maj, skandal që çoi në anulimin e rezultateve dhe zhvillimin e një riprovimi për rreth 2 milionë kandidatë. Protestat pasqyruan gjithashtu pakënaqësinë në rritje të të rinjve për mungesën e vendeve të punës dhe kërkesën për më shumë përgjegjësi nga qeveria. Aktivisti Sonam Wangchuk, i cili zhvilloi një grevë urie 26-ditore në mbështetje të lëvizjes së të rinjve, e cilësoi dorëheqjen e ministrit si "një fitore të paqes, durimit dhe këmbënguljes", në një reagim në platformën X. Pas njoftimit për dorëheqjen, autoritetet federale rikthyen internetin celular në zonën e protestës, pasi e kishin bllokuar për pjesën më të madhe të javës. Po ashtu u rihapën edhe stacionet e metrosë në dhe përreth zonës së protestave, të cilat kishin qëndruar të mbyllura për katër ditë. SI.E./ReportTv.al Indi Narendra Modi Dharmendra Pradhan Komento Komente Sondazhi i ditës: Epoka e re e kërkesave, mendoni se reagimi i Ramës për protestat është i duhuri? Po 63.3% Jo 29.8% Nuk e di 6.9% Vota total: 2464 Sondazhi i ditës: Epoka e re e kërkesave, mendoni se reagimi i Ramës për protestat është i duhuri?
