Policia e Elbasanit ka dalë me një njoftim lidhur me incidentin e armatosur të regjistruar këtë të shtunë në një lokal. Policia bën me dije se autori, Poli Boriçi është vënë në pranga teksa është sekuestruar dhe një pistoletë me të cilën ai tentoi të vriste 50-vjeçarin, Ermir Bitoci, alias Ermir Këndezi. Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve që sollën këtë ngjarje. “Elbasan/ Finalizohet operacioni policor i koduar “Reagimi”. Tentoi të vriste me armë zjarri një shtetas, reagimi në kohë dhe me profesionalizëm i shërbimeve të Policisë çon në pranga autorin e dyshuar. Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë me të cilën autori tentoi të vriste 50-vjeçarin. Pas marrjes së njoftimit, rreth orës 13:00, se në ambientet e jashtme të një lokali, në lagjen “28 Nëntori”, Elbasan, një shtetas kishte tentuar të vriste me armë zjarri shtetasin E. K., 50 vjeç, shërbimet e Policisë organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit. Falë reagimit të menjëhershëm të Policisë dhe veprimeve profesionale të kryera në kuadër të operacionit “Reagimi”, u bë i mundur identifikimi dhe kapja e autorit të dyshuar, shtetasit P. B., 52 vjeç. Njëkohësisht, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, armën e zjarrit pistoletë me të cilën autori tentoi të vriste 50-vjeçarin. Nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore dhe procedurale për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit”, thuhet në reagimin e policisë. Incidenti me armë në Elbasan, arrestohet autori. Detaje nga ngjarja
