Lajme Zone
Ina Zhupa në Parlamentin italian, në fokus protestat, trashëgimia kulturore dhe zonat e mbrojtura: Partneriteti me Italinë duhet të ndihmojë në ndërtimin e një Shqipërie më europiane
PolitikëBalkanWeb

Ina Zhupa në Parlamentin italian, në fokus protestat, trashëgimia kulturore dhe zonat e mbrojtura: Partneriteti me Italinë duhet të ndihmojë në ndërtimin e një Shqipërie më europiane

Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, zhvilloi takime në Senatin dhe Dhomën e Deputetëve të Italisë me drejtuesit e komisioneve parlamentare Roberto Marti, Luca De Carlo dhe Federico Mollicone.

Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, zhvilloi takime në Senatin dhe Dhomën e Deputetëve të Italisë me drejtuesit e komisioneve parlamentare Roberto Marti, Luca De Carlo dhe Federico Mollicone. Gjatë takimeve, Zhupa diskutoi për situatën politike në Shqipëri dhe protestat mbi 150-ditore, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe zonave të mbrojtura, si dhe mësimin e gjuhës shqipe në shkollat italiane. Ajo theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit parlamentar mes dy vendeve për ruajtjen e pasurive kombëtare, mbështetjen e diasporës shqiptare dhe përshpejtimin e integrimit europian të Shqipërisë. Statusi i plotë i Ina Zhupës: Gjatë vizitës në Senatin dhe Dhomën e Deputetëve të Italisë pata kënaqësi të takoja Roberto Marti, kryetar i Komisionit të Përhershëm për Kulturën, Trashëgiminë Kulturore dhe Arsimin Publik, dhe Luca De Carlo, kryetar i Komisionit të Përhershëm për Industrinë, Tregtinë, Turizmin, Bujqësinë dhe Prodhimin Agro-ushqimor. Në Dhomën e Deputetëve, zhvillova takim me Federico Mollicone, kryetar i Komisionit të Përhershëm për Kulturën, Shkencën dhe Arsimin. Gjatë këtyre takimeve bashkë me nënkryetarin e partisë Agron Gjekmarkaj i informova për situatën aktuale në Shqipëri dhe protestat që kanë mbi 150 ditë që zhvillohen duke theksuar rëndësinë e respektimit të lirive dhe të drejtave demokratike.

Një vëmendje të veçantë i kushtova mbrojtjes së trashëgimisë kulturore shqiptare dhe problematikave që lidhen me ligjin për trashëgiminë kulturore, i cili ka hapur rrugën për koncesione në këtë fushë, një mekanizëm që e kundërshtoj për rrezikun që paraqet për administrimin dhe ruajtjen e pasurisë sonë kombëtare. Ndarja e përvojës italiane dhe mbështetja e saj janë të rëndësishme për të garantuar standarde më të larta mbrojtjeje dhe administrimi të trashëgimisë.

Diskutuam gjithashtu për zonat e mbrojtura dhe domosdoshmërinë e respektimit të standardeve europiane, në mënyrë që pasuritë natyrore të Shqipërisë të ruhen nga ndërhyrjet që cenojnë biodiversitetin dhe interesin publik. Mbrojtja e tyre është një detyrim ndaj brezave të ardhshëm dhe një kusht për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit.

Një tjetër çështje e rëndësishme ishte mësimi i gjuhës shqipe në shkollat italiane për fëmijët e komunitetit shqiptar. Ruajtja e gjuhës, identitetit dhe lidhjeve kulturore është thelbësore për brezat e rinj të shqiptarëve që jetojnë në Itali dhe për forcimin e marrëdhënieve mes dy popujve.

Italia është një partner strategjik i Shqipërisë, që e ka mbështetur vendin tonë në procese të rëndësishme zhvillimi dhe integrimi europian. Forcimi i këtij partneriteti, përmes dialogut parlamentar dhe bashkëpunimit konkret, është një mundësi për të çuar përpara çështje me rëndësi për Shqipërinë, për të mbrojtur pasuritë tona kombëtare dhe për të përshpejtuar rrugën drejt Bashkimit Europian.

Bashkëpunimi me Italinë duhet të shërbejë për një Shqipëri më europiane, me institucione demokratike, trashëgimi kulturore të mbrojtur dhe pasuri natyrore të ruajtura.

© BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb