Lajme Zone
Ilir Yzeiri: Reformat, keqkuptimi dhe mediokriteti
PolitikëReport TV
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Ilir Yzeiri: Reformat, keqkuptimi dhe mediokriteti

Reforma territoriale prek ndjenjat, emocionet e përkatësisë dhe të hapësirës. Shqiptarët ndër shekuj i kanë tjetërsuar territoret, por jo për faj të tyre. Hapësira dhe territori janë përmasa të vetëdijes së njeriut

Qeveria socialiste po krijon një traditë konfliktuale me publikun dhe nuk po arrin të bindë, sidomos shoqërinë civile, për nismat që ndërmerr dhe për reformat që kërkon të realizojë. E nisi me disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin për Zonat e mbrojtura në vitin 2024, vijoi me paraqitjen nga ish-ministri Manja të projektligjit për Kodin Penal në Republikën e Shqipërisë dhe e përfi tani me paraqitjen e Reformës Territoriale. Në rastin e parë, moskonsultimi me shoqatat ambientaliste dhe shpërfillja e shqetësimeve që ngrinin vazhdimisht ato, arriti kulmin me Zvërnecin dhe prodhoi protestën e flamingove. Në rastin e dytë, në atë të projektligjit për Kodin Penal në Republikën e Shqipërisë, të gjithë mbetën të shtangur kur panë se një projektligj për anën më dramatike të jetës në një komunitet, pra një projektligj që parashikon se kur një njeri gabon dhe cila mund të jetë masa e dënimit, pra heqja e lirisë, një projekltigj i tillë u kthye në një tekst komik e qesharak dhe sot askush nuk e di se çfarë bëhet me atë tekst. LEXO edhe...‘Territorialja’/ Banorët e Divjakës për të 10-ën ditë në protestë, kundërshtojnë bashkimin me Lushnjën: Do na vështirësohet marrja e shërbimeve! (VIDEO) Në ajër kanë mbetur vetëm copëzat e manualit komik të një projektligji qesharak. Dhe vijmë tani në fund të reforma territoriale. Unë mund ta kuptoj keqkuptimin me shoqërinë civile dhe shpërfilljen e tyre. E kuptoj përse qeveria dhe Ministria e Mjedisit ka shpërfillur dy nga organizatat më të mëdha të mbrojtjes dhe ruajtjes së mjedisit PPNEA-në dhe AOS-in. E kuptoj megallomaninë, mediokritetin dhe paaftësinë e atyre që me paratë e partnerëve europianë prodhuan një tekst qesharak të kodit penal, por e kam të vështirë të kuptoj se si përgjatë një viti që vazhdonin konsultimet për reformën territoriale, të ngarkuarit e asaj reforme nuk ishin sqaruar me përfaqësuesit e tyre, me të zgjedhurit e tyre. Në rastin e parë, pra, atëherë kur u shpërfillën organizatat mjedisore, të gjithë e pamë se çfarë ndodhi. Në rastin e dytë, ata që hartuan komedinë e Kodit Penal, tani janë fshehur e nuk dinë si të na e tregojnë pjesën e tretë apo vazhdimin e komedisë, dhe, në rastin e tretë, mungesa e komunikimit brenda partisë socialiste, prodhoi skena aspak dinjitoze, atë të djegies së teserave të PS-së në bashkitë që njihen si bastione të kësaj force. Meqë jemi këtu, do të doja të vija në dukje se reforma territoriale është një nga gjërat më të vështira për t’u bërë dhe, ashtu si ajo e zonave të mbrojtura, ka në vetevete jo thjesht një aritmetikë nurmash. Reforma territoriale prek ndjenjat, emocionet e përkatësisë dhe të hapësirës. Shqiptarët ndër shekuj i kanë tjetërsuar territoret, por jo për faj të tyre. Hapësira dhe territori janë përmasa të vetëdijes së njeriut. Ne të gjithë identifikohemi me origjinën tonë të largët edhe atehërë kur kemi lindur e jetojmë prej vitesh në metropol. Kam ndjekur disa herë reportazhe në Itali për zona të braktisura, qyteza e fshatra thuajse pa asnjë banor. Por të gjithë i therrasin ata me emrin e tyre dhe nuk ua kanë dëmtuar emërtimin. Nuk mund të jetë gjithnjë kriteri ekonomik një parim për të riemërtuar territorrin dhe hapësirën. Nëse ti e zhvesh atë territor nga emërtimi themeltar dhe i lë vetëm emërtimin asnjanës qytet apo fshat, ai kthehet në një rrënojë gjuhësore që herët a vonë mund të dalë nga qarkullimi hapësinor. Ndarja territoriale dhe emërtimi i hapësirës ka nisur herët që në kohën e mbretit Zog. Pastaj ka vijuar edhe në kohën e diktaturës kur hapësira u shenjua më së shumti nga kriteti ideologjik i emërtimit. Sot, pas kaq vitesh, nuk është normale që një reformë kaq e thellë të kryhet me mbledhje të mërzitshme ku dy përfaqësues të forcave politike shfaqen në mbledhjet e këtij komisioni si dy grindavecë. Një reformë e tillë do të duhej të përfshinte edhe antropologë, gjeografë, ekonomistë e historianë, ashtu siç pat bërë dikur qeveria e Zogut dhe ajo e komunistëve shqiptarë. Për ta përmbyllur, nuk mund të rri pa përmendur një shembull që më ka lënë mbresa. Është Belshi. Ky qytet dhe fshatrat e tij, si nga ana e kufirit me Elbasanin, ashtu edhe nga ana e kufirit me Kuçovën të mahnit me rregullin, harmoninë, dhe bukurinë e krijuar nga njerëzit. Të gjithë ata që kanë kaluar nga ky qytet për të dalë në Berat, besoj janë mrekulluar nga qytetërimi që ka kjo hapësirë. Belshi vetë ngjan si një qytet tjetër, i rregullt, i pastërt, me një bukuri që vjen nga harmonia me të cilën ata njerëz e mbajnë dhe e ndajnë hapësirën me njëri-tjetrin. Pastaj fshatrat, plot me pemishte e ullishta. Bizneset rrugës të mbledhuara e si kuti të bukura. Anës rrugës vendet e grumbullimit të mbeturinave si piktura. Bashkë me liqenet, atje, të duket vetja se po viziton Toskanën e famshme. Kjo krahinë e ky komunitet është shembulli se si e ka transformuar një nga zonat e vrafra të Shqipërisë- diku aty është Kosova që përdorej si vend internimi- në një hapësirë të begatë. Belshi mund të jetë një model për të gjithë ata që duan të ndërtojnë bashki të vogla, por rentabël. Mirëpo, nganjëherë, kjo më duket e vështirë sepse në ndërtimin e territorit luan rol kaosi dhe rregulli, jo kaosi i jashtëm, por kaosi mendor. Xh.K/ReportTv.al reforma territoriale ilir yzeiri Komento Komente Sondazhi i ditës: A mendoni se Shqipëria është e përgatitur për sezonin e zjarreve? Po 46.8% Jo 45.7% I/e dyzuar 7.6% Vota total: 1003 Sondazhi i ditës: A mendoni se Shqipëria është e përgatitur për sezonin e zjarreve?