Lajme Zone
Ilir Demalia: Në emër të popullit të Kosovës
PolitikëReport TV
Ky artikull është pjesë e një historie me 6 burime — Krahaso mbulimin →

Ilir Demalia: Në emër të popullit të Kosovës

Më 16 shtator 2026, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpallën fajtorë katër ish-drejtuesit e UÇK-së për disa krime lufte. Thaçi u dënua me 25 vjet, Krasniqi me 25, Veseli me 18 dhe Selimi me 13 vjet burgim. Gjithsej: 81 vjet.

81 vite burg për katër nga njerëzit që historia e Kosovës i njeh si drejtues të luftës për çlirim. Nuk dua të hyj këtu në fajësinë apo pafajësinë juridike të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Për këtë flet gjykata, flet mbrojtja, flet prokuroria dhe, mbi të gjitha, do të flasë historia. LEXO edhe...Dënimi me 81 vite burg i 4 ish-krerëve të UÇK, Xhaçka: Historia nuk nisi në Hagë, por me agresionin serb ndaj popullit të Kosovës, mijëra gra u përdhunuan Por historia nuk është procesverbal gjykate. Dhe pikërisht këtu fillon pyetja që nuk mund të mbyllet me një togfjalësh juridik: çfarë po dënohet në Hagë dhe çfarë po rishkruhet në historinë e Kosovës? Më 16 shtator 2026, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpallën fajtorë katër ish-drejtuesit e UÇK-së për disa krime lufte. Thaçi u dënua me 25 vjet, Krasniqi me 25, Veseli me 18 dhe Selimi me 13 vjet burgim. Gjithsej: 81 vjet. Dhe ironia e parë e historisë është kjo: Gjykata që u krijua për të gjykuar krime të kryera në emër të individëve shqiptarë, sot flet në emër të Kosovës.Në emër të kujt? Të Kosovës që luftoi? Të Kosovës që u masakrua? Të Kosovës që u dëbua? Të Kosovës që u bombardua? Apo të një Kosove juridike të ndërtuar në Hagë, larg Prishtinës, larg fushëbetejave dhe larg kujtesës së atyre që jetuan luftën? Gjykata që u krijua nga presioni i miqve Nuk është sekret që krijimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës ishte produkt i një presioni të jashtëzakonshëm ndërkombëtar mbi institucionet e Kosovës. Kosova ishte një shtet i ri, ende i brishtë, që kishte nevojë jetike për mbështetjen e Perëndimit dhe veçanërisht të Shteteve të Bashkuara. Dhe Kosova pranoi. Pranoi një mekanizëm që në vetë natyrën e tij ishte jashtëzakonisht i pazakontë: një gjykatë që quhet “e Kosovës”, por që ndodhet në Hagë dhe që vepron përmes një strukture ndërkombëtare. Mund të thuhet se kjo ishte një domosdoshmëri e drejtësisë. Mund të thuhet gjithashtu se ishte çmimi politik që Kosova pagoi për mbështetjen ndërkombëtare. Por ajo që nuk mund të mohohet është paradoksi. Kosova e krijoi gjykatën nën presionin e aleatëve të saj dhe pastaj po gjykohet prej saj për një pjesë të historisë së luftës së saj çlirimtare. Sa demokratike është kjo? Sa e pavarur? Sa kombëtare? Dhe mbi të gjitha: sa e aftë është një gjykatë e tillë të kuptojë historinë pa e shkëputur atë nga konteksti i saj? Nga Reçaku në Hagë Kosova nuk filloi me Hagën. Kosova filloi me varret. Filloi me dëbimet. Filloi me shtëpitë e djegura. Filloi me fëmijët e vrarë. Filloi me gratë e dhunuara. Filloi me mijëra njerëz të dëbuar nga shtëpitë e tyre. Masakra e Reçakut u bë një nga momentet që ndryshuan perceptimin ndërkombëtar mbi luftën në Kosovë. Misioni i OSBE-së nën drejtimin e William Walker e bëri Reçakun një pikë qendrore të vëmendjes ndërkombëtare dhe rriti presionin mbi regjimin e Slobodan Millosheviçit. Pastaj erdhi Rambujeja. Pastaj NATO. Pastaj bombardimet. Pastaj tërheqja e forcave serbe. Dhe Kosova u çlirua. Historia nuk mund të shkruhet duke e hequr njërën nga këto hallka. Sepse është shumë e lehtë, nga një sallë gjykate në Hagë, të marrësh një episod të luftës dhe ta vendosësh nën mikroskop. Por një popull nuk jeton nën mikroskop. Një popull jeton në histori. UÇK-ja dhe paradoksi i çlirimit Këtu qëndron paradoksi më i madh. UÇK-ja nuk ishte një ushtri klasike e një shteti të konsoliduar. Ishte një ushtri guerile e një populli që nuk kishte shtet. Dhe pikërisht kjo e bën historinë e saj të komplikuar. Mund të ketë pasur krime të kryera nga pjesëtarë të saj. Mund të ketë pasur viktima shqiptare, serbe, rome apo pjesëtarë të komuniteteve të tjera. Nëse individë kanë kryer krime, ato duhet të hetohen dhe gjykohen. Por një gjë është tjetër:të gjykosh një individ për një krim. Dhe tjetër gjë:të krijosh përshtypjen se historia e një lufte çlirimtare mund të reduktohet në aktakuzën e saj penale. Këto janë dy gjëra krejt të ndryshme. Dhe vetë aktgjykimi i fundit e tregon këtë dallim. Sepse katër të akuzuarit u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit, pasi trupi gjykues arriti në përfundimin se prokuroria nuk kishte provuar përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e një sulmi të gjerë ose sistematik ndaj popullsisë civile. Pra, edhe vetë gjykata vendosi një vijë ndarëse. Por pyetja mbetet: A mund të dënohen individët pa u cenuar historia e një populli? Po. Por vetëm nëse drejtësia e bën dallimin me kirurgji, jo me çekan. Në këtë proces kanë dëshmuar 134 dëshmitarë: 125 të thirrur nga prokuroria, dy nga Mbrojtja e Viktimave dhe shtatë nga mbrojtja. Dhe këtu lind një tjetër pyetje. A është numri i dëshmitarëve prova e së vërtetës? Jo. Një dëshmitar nuk është e vërteta. Është dëshmi. Dhe dëshmia duhet të vlerësohet, të krahasohet, të verifikohet, të vendoset në kohë, hapësirë, rrethanë dhe kontekst. Sepse historia e Kosovës nuk mund të ndërtohet vetëm nga ajo që dikush kujton pas 25 vjetësh. Historia ndërtohet me dokumente. Me urdhra. Me data. Me vende. Me komunikime. Me prova materiale. Me dëshmi të verifikueshme. Dhe mbi të gjitha, me kontekst. Haga nuk është Kosova Këtu qëndron ironia ime më e madhe me Hagën. Një gjykatë që ndodhet në Holandë, me gjyqtarë ndërkombëtarë dhe një strukturë të krijuar jashtë sistemit të zakonshëm gjyqësor të Kosovës, vendos sot për përgjegjësinë penale të njerëzve që luftuan në Kosovë. Dhe pastaj vendimi lexohet: “Në emër të Popullit të Kosovës.” Në emër të popullit që nuk ishte në sallë. Në emër të popullit që nuk votoi për gjykatën. Në emër të popullit që nuk zgjodhi gjyqtarët. Në emër të popullit që e përjetoi luftën në lëkurën e vet. Në emër të popullit që humbi njerëzit e vet. Në emër të popullit që u kthye nga kampet e refugjatëve. Në emër të popullit që pa NATO-n të hyjë në Kosovë. Dhe tani, 27 vjet më vonë, drejtësia ndërkombëtare i tregon atij populli se si duhet ta lexojë luftën e vet. Kjo është ironia që nuk mund të mos thuhet. Po Millosheviçi,Karaxhiçi, Mlladiçi? Nuk është argument serioz të thuhet se krimet e kryera nga njëra palë i bëjnë të pamundura krimet e palës tjetër.Jo. Krimi nuk pastrohet me krim. Por drejtësia ndërkombëtare duhet të ketë një standard të vetëm. Nëse gjykohet një luftëtar shqiptar për një krim, ai duhet të gjykohet. Nëse një ushtar serb ka vrarë një fëmijë shqiptar, ai duhet të gjykohet. Nëse një komandant serb ka urdhëruar dëbimin e mijëra shqiptarëve, ai duhet të përgjigjet. Nëse një shqiptar ka vrarë një civil serb, edhe ai duhet të përgjigjet. Kjo është drejtësi. Por drejtësia humbet besueshmërinë kur viktima fillon të mendojë se historia e saj po vendoset në peshore me njësi të ndryshme matëse. Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavinë gjykoi figura të larta serbe, përfshirë Millosheviçin, Karaxhiçin dhe Mladiçin. Por kjo nuk do të thotë se Kosova duhet të mbrohet nga çdo akuzë ndaj shqiptarëve. Do të thotë vetëm se standardi duhet të jetë i njëjtë. I njëjti ligj. E njëjta provë. I njëjti standard Plaga më e madhe e Kosovës nuk është vetëm se katër ish-drejtues të UÇK-së u dënuan. Plaga është se sot, pas gjithë kësaj historie, ekziston rreziku që brezi i ardhshëm ta mësojë luftën e Kosovës vetëm përmes dosjeve penale. Kjo do të ishte një humbje historike. Sepse Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi mund të gjykohen si individë. Por UÇK-ja nuk mund të gjykohet si një individ. As Kosova. As lufta për çlirim. As historia e një populli. Gjykata mund të japë një aktgjykim. Por nuk ka mandat të japë një aktgjykim mbi historinë. Historia është shumë më e madhe se një dosje. Është e pamundur të mos shohësh dimensionin politik që rrethon këtë proces. Sepse katër njerëzit e dënuar nuk janë katër qytetarë të rastësishëm. Janë figura që kanë qenë në majën e politikës së Kosovës. Thaçi ishte kryeministër dhe president. Veseli ishte kryetar i Kuvendit dhe figurë qendrore politike. Krasniqi ishte kryetar Kuvendi dhe një nga figurat publike të Kosovës. Selimi ishte një nga figurat e rëndësishme të UÇK-së dhe më pas të politikës kosovare. Prandaj aktgjykimi nuk mund të ketë vetëm një efekt juridik. Ka edhe efekt politik. Dhe këtë duhet ta pranojmë pa paranojë, por edhe pa naivitet. Drejtësia dhe politika nuk janë gjithmonë dy botë hermetikisht të ndara. Sidomos në Ballkan. Sidomos kur bëhet fjalë për luftën e Kosovës. Sidomos kur bëhet fjalë për marrëdhëniet Kosovë–Serbi. Sidomos kur bëhet fjalë për një konflikt ku ende nuk është mbyllur historia politike. Dhe sot çfarë mbetet? Mbetet Kosova. Mbetet historia. Mbeten viktimat. Mbeten varret. Mbeten dëshmitarët. Mbeten dokumentet. Mbeten edhe pyetjet. Dhe njëra prej tyre është shumë e thjeshtë: A mund të dënohen luftëtarët pa u dënuar lufta që ata bënë? Përgjigjja juridike duhet të jetë: po, nëse individualisht provohen krime. Por përgjigjja historike është më e ndërlikuar. Sepse lufta e Kosovës nuk mund të futet në një qeli 25-vjeçare. Nuk mund të dënohet me 18 vjet. Nuk mund të dënohet me 13 vjet. Dhe as me 81 vjet gjithsej. Individët përgjigjen për veprimet e tyre. Historia gjykon një epokë. Dhe populli ruan kujtesën e vet. Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mund të kalojnë vite në burg. Vendimi mund të apelohet. Procesi juridik mund të vazhdojë. Dhe përfundimi përfundimtar ligjor mund të ndryshojë ose të konfirmohet në instancat e tjera. Por edhe sikur të qëndrojë vendimi, ai nuk e ndryshon një fakt themelor të historisë së Kosovës: Kosova u çlirua pas një lufte kundër regjimit serb dhe pas ndërhyrjes së NATO-s. Kjo është historia. Krimet individuale janë tjetër gjë. Përgjegjësia penale është tjetër gjë. Dhe drejtësia duhet t’i ndajë këto dy gjëra. Sepse përndryshe, në vend që të kemi drejtësi, kemi një tjetër betejë për historinë. Dhe kjo do të ishte ironia e fundit e Hagës: të mendonte se mund të mbyllte historinë e Kosovës me një aktgjykim. Jo, të nderuar zotërinj të Hagës. Mund të mbyllni një proces. Mund të shkruani një vendim. Mund të caktoni 81 vite burg. Por historinë e Kosovës nuk e shkruan Trupi Gjykues. Atë e shkruajnë dokumentet, dëshmitë, viktimat, luftëtarët, të vrarët dhe brezat që do të vijnë. Dhe luftëtarët e lirisë, edhe kur një gjykatë i dënon si individë, nuk zhduken nga historia. Ata do të vdesin një ditë siç vdes çdo njeri. Por nëse historia e Kosovës do t’i mbajë mend si luftëtarë të lirisë apo vetëm si të dënuar të Hagës, këtë nuk e vendos sot as Brukseli, as Washington, as Beogradi dhe as Haga. Këtë do ta vendosë koha. U.D/ReportTv.al kosove William Walker Gjyqi ndaj UCK ne Hage ilir demalia Komento Komente Sondazhi i ditës: Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së, si e vlerësoni? Të drejtë 5.8% Të gabuar 89.1% Nuk e di 5.1% Vota total: 2277 Sondazhi i ditës: Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së, si e vlerësoni?