Foto ilustruese Fabrika dronësh në Serbi, teknologji ushtarake në Kroaci, ndërsa në Shqipëri lidhjet shkojnë shumë më larg: nga Elbit Systems dhe siguria kibernetike te Data Center-at, kapitali bankar dhe biznesmenët izraelitë. Teksa lufta në Gaza ka sjellë përplasje të Izraelit me disa vende europiane, në Ballkan po ndërtohet një hartë tjetër marrëdhëniesh. Në Beograd, Aleksandar Vuçiç sapo ka inauguruar një fabrikë dronësh, por adresa e saj mbahet e fshehtë.
Në Tiranë, kompania izraelite Elbit Systems ka hyrë në sistemin e trajnimit të aviacionit ushtarak dhe po diskutohet që ekspertiza izraelite të shtrihet edhe te Forcat Speciale. Një tjetër kompani izraelite ka firmosur marrëveshje për një Data Center në zonën ekonomike TEDA, ndërsa kapital izraelit gjendet edhe në strukturën aksionare të JET Bank.
Në Kroaci, sistemi izraelit Trophy do të jetë pjesë e mbrojtjes së tankeve të rinj Leopard 2A8.
Të shikuara veçmas, janë marrëveshje ushtarake, investime private, projekte teknologjike dhe marrëdhënie diplomatike.
Të vendosura në të njëjtën hartë, tregojnë një zhvillim më të madh: Izraeli, kompanitë e tij strategjike dhe kapitali privat izraelit po zgjerojnë praninë në Ballkan në disa drejtime njëkohësisht.
Kjo po ndodh ndërsa marrëdhëniet e qeverisë së Benjamin Netanyahut me një pjesë të Europës janë tensionuar për shkak të luftës në Gaza. Sllovenia, për shembull, ndaloi në korrik 2025 importin, eksportin dhe transitin e armëve drejt dhe nga Izraeli. Masa specifike u shfuqizua nga qeveria e re në qershor 2026, duke argumentuar se kontrollet ekzistuese ligjore ishin të mjaftueshme.
Kjo nuk do të thotë se Izraeli është ekonomikisht apo ushtarakisht i izoluar nga Europa. Përkundrazi, të dhënat tregojnë një paradoks: ndërsa presioni politik është rritur në disa vende, industria izraelite e mbrojtjes po thyen rekorde.
Ministria izraelite e Mbrojtjes njoftoi se eksportet ushtarake arritën 19.2 miliardë dollarë gjatë vitit 2025, pothuajse 30% më shumë se një vit më parë. Rreth 10 miliardë dollarë erdhën vetëm nga marrëveshjet qeveri më qeveri. Vetë Ministria e Mbrojtjes e përshkruan zgjerimin e eksporteve si instrument jo vetëm ekonomik, por edhe për forcimin e partneriteteve strategjike dhe objektivave të politikës së jashtme.
Ballkani është një nga hapësirat ku ky zgjerim shihet gjithnjë e më qartë.
Shqipëria, aty ku marrëdhënia shkon përtej armëve
Në asnjë prej rasteve të rajonit tabloja nuk është aq shumëdimensionale sa në Shqipëri. Këtu marrëdhënia nuk mund të reduktohet te një kontratë ushtarake.
Ajo kalon nga marrëdhënia politike Rama-Netanyahu te mbrojtja, teknologjia ushtarake dhe siguria kibernetike; më pas vazhdon te investimet në infrastrukturën digjitale dhe arrin deri te kapitali privat izraelit në sektorin bankar. Kompania sekrete e skemës “Delvina Gas”: Si lidhen Ron Yeffet, 2 ukrainaset dhe biznesmeni ruso-izraelit
16 Shtator, 20:55 Në këtë mozaik dalin edhe individë që nuk përfaqësojnë shtetin e Izraelit, por që kanë ndërtuar interesa biznesi në Shqipëri.
Kjo ndarje është e rëndësishme: një investitor privat izraelit nuk është Izraeli dhe një kompani izraelite nuk përfaqëson domosdoshmërisht politikën e qeverisë Netanyahu.
Por, kur marrëdhëniet shtetërore, kompanitë strategjike dhe investimet private vendosen së bashku, ato tregojnë se lidhja Shqipëri-Izrael është zgjeruar në shumë më tepër sektorë sesa diplomacia tradicionale.
Rama-Netanyahu, marrëdhënia politike
Në krye të kësaj marrëdhënieje qëndron afrimi politik mes Edi Ramës dhe Benjamin Netanyahut.
Në janar 2026, Rama zhvilloi një vizitë të nivelit të lartë në Izrael, ku pati takim kokë më kokë me Netanyahun dhe më pas iu drejtua Knessetit në një seancë të posaçme.
Netanyahu e prezantoi publikisht kryeministrin shqiptar si “një mik të madh” të popullit hebre, të shtetit të Izraelit dhe të tij personalisht. Rama, nga ana tjetër, iu drejtua Netanyahut me “Bibi” gjatë fjalimit të tij në parlamentin izraelit.
Por afrimi politik kishte nisur të materializohej institucionalisht shumë më herët. Në qershor 2023, Shqipëria dhe Izraeli firmosën Memorandumin e Mirëkuptimit për Sigurinë dhe Mbrojtjen.
Sipas Ministrisë shqiptare të Mbrojtjes, marrëveshja krijoi bazën ligjore për bashkëpunim në siguri, mbrojtje, teknologji ushtarake, trajnim dhe shkëmbim informacioni. Tirana shprehte gjithashtu hapur synimin për ta thelluar bashkëpunimin në sigurinë kibernetike dhe industrinë e mbrojtjes.
Tre vjet më vonë, rezultatet janë të dukshme.
Elbit hyn në sistemin shqiptar të mbrojtjes
Elbit Systems është një nga kompanitë më të mëdha të mbrojtjes në Izrael.
Në prill 2025, kompania shtetërore shqiptare KAYO dhe Elbit nënshkruan marrëveshjen për ringritjen e Akademisë së Aviacionit në Vlorë.
Në korrik 2026, Shkolla Kombëtare e Fluturimit hapi dyert.
Qeveria shqiptare e paraqiti projektin si pjesë të modernizimit të Forcës Ajrore dhe ngritjes së kapaciteteve për përgatitjen dhe certifikimin e pilotëve dhe kontrollorëve të fluturimit.
Por Rama njoftoi aty se bashkëpunimi me Elbit nuk do të mbaronte me pilotët.
“Hapi tjetër është Shkolla Kombëtare e Forcave Speciale. Përsëri me partnerët tanë të Elbit Systems, ne jemi në diskutime për të sjellë këtu një nga ekselencat botërore të stërvitjes, të trajnimit, të edukimit dhe certifikimit të forcave speciale nga Izraeli”, deklaroi kryeministri.
Ambicia e shpallur nga Rama është edhe rajonale.
Sipas tij, shkolla e ardhshme do të jetë e hapur për personel nga vendet aleate, “duke filluar nga Kosova”, ndërsa dy shkollat synohet të shndërrohen në qendra ekselence përtej kufijve shqiptarë.
Kjo e çon marrëdhënien në një nivel tjetër. Nuk kemi më vetëm blerje pajisjesh.
Kemi transferim ekspertize, edukim ushtarak dhe potencialisht ndikim mbi mënyrën e trajnimit të njësive shqiptare.
Izraeli edhe në mbrojtjen kibernetike të Shqipërisë
Një tjetër shtyllë është siguria kibernetike. Pas sulmeve masive kibernetike të vitit 2022 ndaj institucioneve shqiptare, të cilat Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara ia atribuuan Iranit, Tirana kërkoi forcimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse.
Mes partnerëve ishte Izraeli.
Autoriteti shqiptar i sigurisë kibernetike dhe Israel National Cyber Directorate nënshkruan një memorandum bashkëpunimi që parashikon bashkëpunim bilateral në menaxhimin e rreziqeve dhe mbrojtjen e mjedisit digjital.
Kështu marrëdhënia shtrihet nga territori fizik në territorin digjital. Por në Shqipëri historia izraelite nuk mbaron te shteti.
Nga siguria kombëtare te Data Center-i
Në shkurt 2025 ndodhi një tjetër zhvillim. Këtë herë nuk bëhej fjalë për Ministrinë e Mbrojtjes, por për teknologjinë dhe infrastrukturën digjitale.
TEDA Tiranë, Bashkia e Tiranës dhe kompania izraelite H.A.P.I Advanced Technologies LTD firmosën marrëveshjen për ndërtimin e një Data Center-i. Në ceremoni ishte sërish Edi Rama.
Qeveria e prezantoi projektin si investim strategjik që synon ta kthejë Shqipërinë në një qendër rajonale për ruajtjen dhe menaxhimin e të dhënave. Data Center-i 100 mln € i Ramës/ Kush qëndron pas ADC-së dhe pse pronarët mbeten sekret?
13 Shtator, 19:51 Por pikërisht këtu nis një histori shumë më komplekse.
Një investigim i “Pamfletit”, duke iu referuar edhe të dhënave të publikuara nga media ekonomike izraelite “Globes”, raportoi se projekti parashikohet të arrijë rreth 100 milionë euro, me kapacitet fillestar 32 MW dhe mundësi zgjerimi deri në 100 MW.
Pas strukturave të lidhura me projektin janë shfaqur biznesmenët izraelitë Roi Shaposhnik, Noam Frank, Shlomi Avni dhe Itai Melchior. Për Melchior raportohet se ka pasur më herët role në zyrën e kryeministrit izraelit dhe në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Izraelit.
Nga Data Center-i te banka
Dhe gjurma e kapitalit privat izraelit shfaqet edhe në një tjetër sektor të ndjeshëm: bankat. JET Bank kontrollohet përmes JET Holdings B.V. Sipas dokumentacionit të pronësisë të analizuar nga “Pamfleti”, pesë kompani izraelite zotërojnë së bashku 28.5% të JET Holdings.
Bëhet fjalë për Israel Albania Holdings me 12.4%, Nathan Lawrence Ltd me 4.9%, Yebogogo Ltd me 4.9%, DON Albania Holdings me 3.7% dhe Ori Eyal Ltd me 2.6%. Zbërthehet pronësia e JET Bank/ “Sani”, El Goren, Israel Albania, DON Albania dhe biznesmenët e jahteve pas 28.5%
17 Shtator, 13:01 Por pas emrave të kompanive dalin njerëzit. Dhe njëri prej tyre ka një profil të veçantë në marrëdhëniet Shqipëri-Izrael. Israel Albania Holdings lidhet, sipas dokumentacionit të pronësisë të publikuar sot nga “Pamfleti”, me Saniel “Sani” Sanilevich. Kompania zotëron 12.4% të JET Holdings. Sanilevich nuk është vetëm biznesmen.
Ai është edhe Konsull Nderi i Shqipërisë në Izrael, me mandat nga shkurti 2023 deri në shkurt 2027.
Serbia, fabrika misterioze e dronëve
Pak qindra kilometra larg Tiranës, modeli është tjetër. Në Beograd dominon industria ushtarake.
Më 17 shtator, Aleksandar Vuçiç inauguroi një fabrikë për montimin e dronëve izraelitë. Gazetarët nuk u lejuan brenda. Madje, vendndodhja e saktë nuk u bë publike.
Sipas materialit të BBC-së, arsyeja e dhënë ishte “konfidencialiteti i procesit të prodhimit”. Fabrika pritet të punësojë rreth 100 persona dhe të prodhojë dronë për ushtrinë serbe dhe potencialisht për ushtri të vendeve të tjera.
Vuçiç njoftoi diçka edhe më të rëndësishme: Me partnerët izraelitë pritet të hapen “të paktën edhe tri fabrika”. Kokat luftarake për dronët do të prodhohen nga fabrika serbe Krušik.
Projekti lidhet me Elbit Systems dhe kompaninë shtetërore serbe Jugoimport SDPR. Raportimet para hapjes së fabrikës flisnin për një strukturë ku Elbit do të kontrollonte 51% dhe pala serbe 49%.
Pra, i njëjti Elbit që në Shqipëri trajnon pilotët dhe diskutohet të përfshihet në shkollën e Forcave Speciale, në Serbi po hyn drejtpërdrejt në prodhimin e dronëve.
Kroacia, një tjetër model
Në Kroaci, marrëdhënia është më tradicionale dhe lidhet kryesisht me modernizimin ushtarak brenda NATO-s. Zagrebi po pajiset me 44 tanke Leopard 2A8. Dhe pjesë e paketës është Trophy, sistemi izraelit i mbrojtjes aktive i prodhuar nga Rafael.
Në shkurt 2026, ministri kroat i Mbrojtjes Ivan Anušić vizitoi Izraelin dhe u takua me homologun Israel Katz. Qeveria kroate tha se një nga objektivat ishte forcimi i bashkëpunimit mes industrive të mbrojtjes dhe shkëmbimi i eksperiencës për teknologjitë e avancuara izraelite.
Kështu krijohet një tjetër pikë në hartë.
Shqipëria – trajnim, cyber, industri mbrojtjeje, Data Center dhe kapital privat.
Serbia – dronë, armatime, prodhim dhe informacion sekret.
Kroacia – teknologji ushtarake e avancuar.
Modelet janë të ndryshme, por kompanitë dhe teknologjia izraelite janë gjithnjë e më të pranishme.
Prandaj pyetja nuk është më nëse Izraeli është i pranishëm në Ballkan. Ai është.
Pyetja është se çfarë forme do të marrë kjo prani në vitet e ardhshme dhe sa thellë do të hyjë në ekonomitë, teknologjinë dhe arkitekturën e sigurisë së vendeve të rajonit? /Pamfletiizraeli ballkan rama netanyahu Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Aktualitet Pas Flamingove: Çfarë Shqipërie do të vijë? 17 Shtator 2026, 16:2416:24Aktualitet “Jam kërcënuar, por s’kam frikë”, Dashnor Sula: Rama më riktheu dinjitetin! 17 Shtator 2026, 16:0816:08Aktualitet Protesta që nuk ndalet: A po ndryshon kursi i Shqipërisë? 17 Shtator 2026, 15:1115:11Aktualitet S'ka liri për Metën, lihet në burg ish presidenti 17 Shtator 2026, 14:3814:38Aktualitet Gjykata e Tiranës liron protestuesit: Arrestimi i tyre, i paligjshëm 17 Shtator 2026, 13:1013:10Aktualitet Protestuesit bllokojnë rrugët e Tiranës, përmbysin kazanët e mbeturinave para selisë së PD! 17 Shtator 2026, 12:3312:33Aktualitet

