Mungesa e Zlatan Ibrahimovic në ceremoninë mortore të legjendës së Milanit, Franco Baresi, ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, por pas vendimit të suedezit qëndron një arsye e thellë personale. Ish-sulmuesi i Milanit, aktualisht këshilltar i pronarëve të klubit kuqezi, nuk ka marrë pjesë në funeralet e figurave të njohura prej vitesh, pas një tragjedie familjare që ndryshoi mënyrën e tij të përballimit të humbjeve.
Në vitin 2014, Ibrahimovic humbi vëllain e tij, Sapko, i cili u nda nga jeta pas një beteje me leuçeminë. Që prej asaj kohe, suedezi ka zgjedhur të mos marrë pjesë në ceremonitë mortore, si pjesë e një mënyre shumë personale për të përballuar dhimbjen dhe zinë.
Përjashtimi i vetëm nga ky vendim ishte ceremonia e lamtumirës për Mino Raiolan, agjentin dhe mikun e tij të ngushtë, e zhvilluar më 5 maj 2022 në Monte Karlo. Në atë rast, Ibrahimovic bëri një përjashtim për një person që kishte pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në karrierën dhe jetën e tij profesionale.
Mungesa e tij në funeralin e Baresit ka ndarë opinionet. Për shumë tifozë të Milanit, prania e Ibrahimovic do të ishte një shenjë respekti ndaj një prej kapitenëve më të mëdhenj në historinë e klubit, sidomos duke pasur parasysh rolin e tij aktual në strukturat drejtuese të kuqezinjve.
Nga ana tjetër, ata që njohin historinë personale të suedezit e konsiderojnë vendimin e tij të kuptueshëm, duke kujtuar se i njëjti qëndrim e ka bërë atë të mungojë edhe në funeralin e Sinisa Mihajlovic, me të cilin kishte një marrëdhënie të afërt. Top Channel

