Të hënën në Jabukë të Zubin Potokut nisën gërmimet nën dyshimet për varrezë masive. Në këtë lokacion, që është i dyti ku po kryhen zhvarrime janë gjetur mbetje mortore të katër personave.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se viktimat pas ekzekutimit ishin hedhur në një gropë.
Sveçla është zotuar se hetimet do të vazhdojnë dhe përgjegjësit do të sillen para drejtësisë.
Gjetjen e mbetjeve mortore në Jabukë e kanë konfirmuar edhe nga Komisioni qeveritar për persona të zhdukur, të cilët njoftuan se mbetjet mortore janë dërguar për analizat që mundësojnë identifikimin.
“Mbetjet mortore janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për ekzaminime të mëtejshme mjekoligjore, përfshirë identifikimin përmes analizës së ADN-së”, deklaruan nga Komisioni.
Deri më tani autoritetet nuk kanë dhënë informacione mbi identitetin e mundshëm të viktimave, megjithatë kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se dyshohet se mbetjet mortore u përkasin 23 intelektualëve të Mitrovicës të zhdukur në prill të vitit 1999.
Gërmimet do të vazhdojnë në të dy lokacionet në Zubin Potok. Lidhur me këtë rast të krimeve të luftës deri tani janë arrestuar tre persona. Top Channel

