Një nënë nga Elbasani i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një apel për ndihmë, pasi djali i saj 12-vjeçar rezulton i zhdukur prej gati dy javësh.
Sipas saj, Arjanito është larguar nga banesa më 15 korrik, ndërsa më 17 korrik familja ka bërë kallëzim në Policinë e Elbasanit. Megjithatë, deri në këto momente, ajo thotë se nuk ka marrë asnjë informacion për vendndodhjen e tij.
Nëna tregon se kjo nuk është hera e parë që djali largohet nga shtëpia. Edhe në raste të mëparshme ai është larguar pa njoftuar familjen, por është gjetur pas disa ditësh. Ajo shprehet se këtë herë situata është më shqetësuese, pasi kanë kaluar rreth dy javë pa asnjë kontakt.
Sipas rrëfimit të saj, ditën e largimit i mituri ishte në banesë dhe më pas është larguar në mënyrë të fshehtë, duke dalë nga ballkoni, ndërsa familjarët po flinin.
Nëna thotë se ka marrë informacione jozyrtare se ai mund të jetë parë në Durrës, ndaj po shkon edhe vetë atje në përpjekje për ta gjetur.
Familja u bën thirrje të gjithë qytetarëve që, nëse kanë parë të riun ose kanë ndonjë informacion që mund të ndihmojë në gjetjen e tij, të kontaktojnë në numrin: +355 69 395 4449
Çdo informacion, sado i vogël, mund të jetë i rëndësishëm për familjen.

