Një 45-vjeçar është vënë në pranga këtë të enjte në Cërrik, pasi dyshohet se është autori i zjarrvënies në një market në lagjen nr. 3, mëngjesin e sotëm. Sipas raportimeve të policisë, në pranga ka rënë shtetasi A. M., 45 vjeç, i cili rreth orës 07:30 i ka vendosur zjarrin marketit, ku u dogjën produkte dhe u rrezikuan punonjësit e subjektit. Njoftimi i plotë i policisë: Rreth orës 07:30 të datës 08.10.2026, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në një supermarket në lagjen nr. 3, ishte vënë qëllimisht, zjarr, shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik shkuan në vendngjarje dhe si rezultat i veprimeve operative dhe procedurale, mundësuan në pak orë, identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar të rastit, shtetasit A. M., 45 vjeç, banues në Cërrik. Si pasojë e flakëve u rrezikuan punonjësit që ndodheshin në subjekt, si dhe u dogjën produkte. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
