Presidenti amerikan Donald Trump ka folur në mënyrë të pazakontë dhe të gjatë për kushtet e motit, pasi në rrjetet sociale u përhapën komente dhe spekulime të shumta lidhur me pamjen e tij dhe, veçanërisht, flokët.
Debati nisi pas paraqitjes së Trumpit më 5 gusht në resortin Red Rock në Las Vegas, ku shumë përdorues të rrjeteve sociale vunë re se flokët e presidentit dukeshin ndryshe nga zakonisht.
Edhe pse Trump, 80 vjeç, gjatë qëndrimit në Las Vegas foli për mosmarrëveshjet tregtare me Kanadanë dhe objektivat e tij politike, këto tema mbetën në plan të dytë.
Vëmendjen e përdoruesve të rrjeteve sociale e tërhoqi pamja e flokëve të tij. Disa prej tyre krahasuan pamjet e reja me ato të publikuara vetëm pak ditë më herët, duke pretenduar se flokët e presidentit dukeshin më të rrallë. Madje, në rrjet u përhapën edhe pretendime se Trump mund të mbajë paruke.
Gazetari Aaron Rupar shkroi në platformën X: “A mban Trump paruke apo çfarë dreqin po ndodh këtu?”.
Reagim pati edhe nga profili zyrtar i Partisë Demokratike, i cili publikoi një fotografi të Trumpit me mbishkrimin: “Kështu dukeshin flokët e Trumpit më pak se tre muaj më parë”.
Vëmendje të shtuar morën edhe disa pamje të 2 gushtit, ku Trump shihet duke hyrë në avionin presidencial Air Force One. Në ato momente, era ia ekspozoi pjesën e sipërme të kokës, duke nxitur edhe më shumë komentet në rrjet.
Duke folur në kopshtin e trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë, Trump ia atribuoi ndryshimin e pamjes së flokëve kushteve të këqija atmosferike.
Ai e përshkroi motin si “më të keqin që kam përjetuar ndonjëherë, përveç ndoshta një uragani në Florida”.
Për të argumentuar se nuk mban paruke, presidenti amerikan solli në kujtesë një episod nga një tubim i zhvilluar në aeroportin e Daytonit më 16 mars 2024.
“Dola në skenë dhe era po frynte jashtëzakonisht fort. Për vite me radhë kam dëgjuar histori se mbaj paruke. Nuk mbaj. Atë mbrëmje të gjithë mund ta shihnin këtë, sepse po të kisha paruke, do të më ishte marrë nga koka”, deklaroi Trump.
Më pas ai tregoi për forcën e erës gjatë atij tubimi.
“Teksa po i afrohesha foltores, teleprompterët, të përgatitur për fjalimin tim të shkëlqyer, thjesht fluturuan nga skena. Ranë rreth 50 metra më tej, afërsisht në mes të një fushe futbolli. U zhdukën sapo u ngjita në skenë”, rrëfeu ai.
Megjithatë, shpjegimi i Trumpit nuk i ndali komentet në platformën X. Përdoruesit vazhduan të publikojnë reagime kryesisht negative për pamjen e tij, duke bërë krahasime dhe komente të ndryshme.
Një prej tyre shkroi se Trump “duket si Jabba the Hutt me paruke”, ndërsa të tjerë komentuan për bebëzat e syve dhe pamjen e tij, duke e krahasuar edhe me një bretkosë.
Një tjetër postim shkruante: “Po shndërrohet në një derr. Është i shëmtuar nga brenda dhe jashtë”.
Një përdorues tjetër shkoi edhe më tej, duke shkruar: “Tani e kuptoj pse njerëzit besojnë te njerëzit-zvarranikë. Duket si një kostum prej lëkure njeriu”.

