Një i ri, pjesëmarrës në protestën para Kryeministrisë, ngriti shqetësimin për largimin e të rinjve nga Shqipëria, duke deklaruar se institucionet kanë dështuar t’u ofrojnë atyre perspektivë. Duke iu referuar 12 Gushtit, Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, ai tha se pyetja që duhet të shtrohet është se çfarë u është ofruar të rinjve në vend. “Më 12 gusht është Dita e Rinisë. Pyetja që shtroj është: Çfarë i kemi ofruar kësaj rinie? Pse po ikin?”, u shpreh ai. Ai kujtoi edhe marrëveshjet e mëparshme të qeverisë me studentët, duke pyetur se çfarë është bërë me premtimet për arsimin e lartë. “U bë një pakt me kryeministrin. Çfarë bëre me paktin për universitetin? Çfarë të ardhme u dhe këtyre të rinjve që po largohen nga Shqipëria?”, deklaroi protestuesi.
Në vijim, ai akuzoi politikën se po krijon kushte që nxisin emigrimin e të rinjve dhe kritikoi ligjin për ndarjen territoriale, duke pretenduar se ai është hartuar në interes të një grupi të caktuar. Ku janë këta politikanë që e kanë për qëllim të largojnë rininë? Ky ligj është bërë për interes të disa personave”, tha ai. Në përfundim të fjalës së tij, i riu përcolli një mesazh drejtuar klasës politike: “Kam vetëm një thirrje: Shqipëria e shqiptarëve, jo e pushtetarëve!” © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: protesta
