Të rinjtë po i drejtohen gjithnjë e më shumë informatikës, ndërsa kërkesa për profesionistë të teknologjisë rritet. Daniel Isufaj ka ndërtuar me shpenzimet e tij një robot inteligjent që monitoron kushtet atmosferike dhe synon ta përdorë në të ardhmen për eksplorimin e Liqenit të Ohrit. Ky është Daniel Isufaj, një nga të rinjtë pogradecarë që ka zgjedhur të studiojë informatikë. Degë të tilla po përzgjidhen gjithnjë e më shumë nga të rinjtë, edhe për shkak të kërkesës në tregun e punës dhe përdorimit të teknologjisë në shumë shërbime publike dhe private. Pas përfundimit të studimeve, Danieli ka nisur të vërë në praktikë njohuritë e fituara. Me një buxhet personal, ai ka ndërtuar prototipin e parë të një roboti, i cili mund të kryejë disa funksione njëkohësisht, nga matja e temperaturës, lagështirës dhe intensitetit të dritës, deri te sinjalizimi i rasteve të zjarrit. Sipas Danielit, pas disa përmirësimeve të mëtejshme, synimi është që roboti të mund të përdoret edhe për eksplorimin e Liqenit të Ohrit. “ Tani jam fokusuar te krijimi i projekteve të internetit dhe robotikës. Kam krijuar një robot inteligjent me mikrokontrollues, pajisje më të njohura të kësaj fushe. Gjithashtu, kam përdorur sensorë të ndryshëm, duke i kombinuar dhe, si përfundim, kam nxjerrë një robot që ka aftësinë të lëvizë, të monitorojë kushtet atmosferike dhe të na japë një paraqitje të bukur, duke na shfaqur të gjitha matjet atmosferike. Roboti mat temperaturën, lagështirën, na shfaq pamje reale të asaj që mat nëpërmjet kamerës”, është shprehur Danieli. Edhe pse sektori i teknologjisë ofron mundësi të shumta, një nga kërkesat më të zakonshme të punëdhënësve është eksperienca, duke e bërë më të vështirë hyrjen e të rinjve në tregun e punës. Kjo është një nga arsyet që, sipas Danielit, i shtyn shumë të rinj të mendojnë për të kërkuar mundësi jashtë vendit.
