Lajme Zone
'I përkëdhelte fëmijët, më pas u merrte jetën', vdes prapa hekurave 'Kasapi i Bosnjës', Ratko Mlladiç! U burgos përjetë për masakrën e Srebrenicës ku u vranë mbi 8 mijë burra dhe djem boshnjakë
PolitikëShqiptarja
Ky artikull është pjesë e një historie me 4 burime — Krahaso mbulimin →

'I përkëdhelte fëmijët, më pas u merrte jetën', vdes prapa hekurave 'Kasapi i Bosnjës', Ratko Mlladiç! U burgos përjetë për masakrën e Srebrenicës ku u vranë mbi 8 mijë burra dhe djem boshnjakë

Emri i Ratko Mlladiçit lidhet me gjenocidin në Srebrenicë, ku në korrik të vitit 1995 u vranë mbi 8 mijë burra dhe djem boshnjakë. I njohur si "Kasapi i Bosnjës", ai u shpall fajtor nga Tribunali i Hagës për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, duke u dënuar me burgim të përjetshëm.

Ratko Mlladiç, gjenerali serb i dënuar për gjenocidin në Srebrenicë, ka vdekur sot në moshën 84-vjeçare. Ai ndërroi jetë në burgun e Hagës, ku vuante dënimin me burgim të përjetshëm të dhënë nga gjykata ndërkombëtare për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte gjatë konfliktit në Bosnje. Mlladiç vuante prej kohësh nga probleme të rënda shëndetësore. Në vitet e fundit ai kishte pësuar një goditje në tru dhe një infarkt, ndërsa gjendja e tij ishte përkeqësuar vazhdimisht. Djali i tij, Darko Mlladiç, kishte kërkuar lirimin e tij për arsye humanitare, duke argumentuar se gjendja shëndetësore ishte terminale. “Mjekët në Hagë më kanë shpjeguar se është në fund të jetës. Mendoj se ta mbash në burg nuk është humane. Gjenerali është 84 vjeç dhe nuk paraqet rrezik arratisjeje”, ishte shprehur ai. LEXO EDHE:Vrau veten me pistoletën e të atit! Historia e vdekjes së vajzës së Ratko Mlladiçit që vazhdon të ngjallë pikëpyetje 32 vjet më vonë Megjithatë, kërkesa për lirimin e parakohshëm u rrëzua disa herë. Refuzimi i fundit erdhi vetëm pak orë para vdekjes së Mlladiçit, kur presidentja e Mekanizmit Ndërkombëtar Rezidual për Gjykatat Penale, Graciela Gati Santana, vendosi të mos e pranonte kërkesën. Gjykata e Hagës argumentoi se, edhe pse Mlladiç kishte probleme të rënda me frymëmarrjen, mbante stimulues kardiak (pacemaker) dhe vuante nga dëmtime të rënda në veshka, arsyet humanitare të paraqitura nuk justifikonin një masë të jashtëzakonshme si lirimi i parakohshëm. Vetëm pak orë më vonë, ai ndërroi jetë në spitalin e paraburgimit në Sheveningen. Lufta dhe gjyqet Ratko Mlladiç lindi në vitin 1942 në një fshat në jug të Sarajevës. Ai iu bashkua ushtrisë që në moshë të re dhe ngjiti shpejt shkallët e karrierës ushtarake, duke u bërë kolonel në vitin 1991. Me shpërthimin e luftës në Bosnje dhe Hercegovinë në vitin 1992, Mlladiç mori drejtimin e forcave serbe të Bosnjës. Ai ishte komandanti i rrethimit të Sarajevës, një nga rrethimet më të gjata të një qyteti në historinë moderne, që zgjati gati katër vjet. Në korrik të vitit 1995, Mlladiç urdhëroi gjenocidin në Srebrenicë, ku u vranë të paktën 8.372 boshnjakë, kryesisht burra dhe djem. Gjenocidi në Srebrenicë konsiderohet krimi më i rëndë i kryer në Evropë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Përgjegjësitë e Ratko Mlladiçit dolën në dritë menjëherë pas përfundimit të luftës, por ai arriti t’i shpëtonte drejtësisë për 16 vjet. Gjatë kësaj periudhe, ai u mbrojt fillimisht nga strukturat e sigurisë serbe dhe ato të serbëve të Bosnjës, e më pas nga familja e tij. Mlladiç u arrestua vetëm në vitin 2011 në Serbi dhe pak ditë më vonë u ekstradua në Hagë, ku u përball me akuzat për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Në vitin 2017, Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë e dënoi me burgim të përjetshëm, ndërsa në vitin 2021 apeli u rrëzua dhe dënimi u la përfundimisht në fuqi. Masakrat dhe krimet kundër njerëzimit Darko Mlladiç, i cili edhe në intervistat e fundit i referohej të atit si “gjenerali”, kërkoi që ai të lirohej nga burgu për të kaluar ditët e fundit të jetës në Serbi dhe për të parë edhe një herë nipin e tij. Ndryshe nga motra e tij Ana, e cila, sipas disa biografëve, u vetëvra në vitin 1994. Disa autorë e kanë lidhur vendimin e saj me tronditjen nga raportimet për krimet e luftës që i atribuoheshin të atit, ndërsa familja e Mlladiçit e ka kundërshtuar gjithmonë versionin zyrtar të vetëvrasjes. Ndërsa familja kërkonte lirimin e tij për arsye humanitare, mbi Ratko Mlladiçin rëndonte dënimi për disa nga krimet më të rënda të luftës në Bosnje. Tribunali i Hagës e shpalli fajtor për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, duke e mbajtur përgjegjës për gjenocidin në Srebrenicë dhe për një fushatë të gjerë dhune ndaj popullsisë boshnjake, që përfshinte vrasje, dëbime, përdhunime dhe tortura. Në vendimin e gjykatës përshkruhen ekzekutimet masive të mijëra burrave dhe djemve boshnjakë pas rënies së Srebrenicës në korrik 1995, si edhe përpjekjet për të fshehur krimet duke zhvendosur trupat e viktimave në varre masive dytësore. Gjykata e shpalli Mlladiçin fajtor për rolin e tij në këto krime dhe e dënoi me burgim të përjetshëm. Përgjegjësia e “helmetave blu” Masakra e Srebrenicës hapi gjithashtu një debat të gjatë për përgjegjësinë e forcave paqeruajtëse të OKB-së. Në korrik të vitit 1995, enklava ishte shpallur “zonë e sigurt” dhe mbrohej nga një batalion holandez i “helmetave blu”, i cili nuk arriti të ndalonte hyrjen e forcave të Ratko Mlladiçit. Vite më vonë, ish-gjenerali francez Philippe Morillon, i cili gjatë luftës kishte komanduar forcat e OKB-së në Bosnje, vizitoi Memorialin e Srebrenicës për të kërkuar falje. Ai tha se kishte ardhur “si i krishterë”, në shenjë pendese për dështimin e misionit paqeruajtës në mbrojtjen e civilëve boshnjakë. Por familjarët e viktimave nuk e pranuan gjestin e tij. Sipas raportimeve të kohës, disa prej nënave të Srebrenicës e dëbuan nga varrezat përkujtimore, duke e akuzuar OKB-në se kishte dështuar të mbronte mijëra civilë që kërkuan strehim në zonën e shpallur të sigurt. Njëra prej tyre iu drejtua me fjalët: “Shikoje mirë këtë vend, Morillon! Është pasqyra jote. Zoti nuk do të të falë kurrë.” Ushtari holandez: “U ndjeva si një ushtar i SS-së” Përvjetorët e gjenocidit të Srebrenicës kanë qenë gjithmonë të mbushur me polemika dhe plagë të hapura. Në 10-vjetor, në kulmin e luftës globale kundër terrorizmit, sipas shumë vëzhguesve, komuniteti ndërkombëtar nuk i kushtoi vëmendjen e duhur masakrës. Në 20-vjetor pati incidente dhe përplasje, ndërsa 30-vjetori, i shënuar në vitin 2025, u shoqërua sërish me tensione dhe zemërim. Ndjenja e fajit vazhdon të rëndojë mbi shumë prej atyre që ishin dëshmitarë të ngjarjeve të korrikut 1995. Pas masakrës, qeveria e Holandës dha dorëheqjen, pasi u përball me kritika për dështimin e batalionit holandez të OKB-së në mbrojtjen e civilëve në zonën e shpallur të sigurt. Njëri prej ish-ushtarëve holandezë, Raymond Braat, i cili në atë kohë ishte vetëm 20 vjeç, ka folur hapur për peshën që mban ende mbi ndërgjegje. “Një mbrëmje po shikonim një film për nazistët dhe i thashë gruas sime: ‘E sheh atë? Edhe unë kam qenë ashtu, si një ushtar i SS-së’. E dinim shumë mirë se gjithë ata njerëz do të vdisnin”, ka rrëfyer ai. Sot, Braat përpiqet të përballet me traumën duke dalë në skenë në një shfaqje teatrore së bashku me Alma, një grua që humbi të atin në gjenocidin e Srebrenicës. Gjatë shfaqjes ai i drejtohet me fjalët: “Për një kohë të gjatë kam dashur të vdes. Nuk mund ta kthej babanë tënd, Alma, por më thuaj çfarë mund të bëj për ty tani.” Bilanci i viktimave të SrebrenicësEdhe pas tre dekadash, numri i saktë i viktimave të gjenocidit në Srebrenicë mbetet i papërcaktuar. Ekzekutimet masive zgjatën tetë ditë dhe deri më sot janë identifikuar 8.372 viktima. Megjithatë, procesi i identifikimit vazhdon ende. Mbi 1.500 trupa nuk janë identifikuar plotësisht, ndërsa besohet se të paktën një mijë persona të tjerë rezultojnë ende të zhdukur. Dhimbja e familjarëve nuk është shuar. “Nga burri im u gjet vetëm nofulla. Kam pritur më kot që të gjendeshin edhe pjesët e tjera të trupit. Tani dua vetëm të kem një varr ku të mund ta qaj”, ka rrëfyer Mevlida Omeroviç, e cila humbi rreth 50 të afërm gjatë gjenocidit. Heshtja dhe revizionizmi Edhe pas më shumë se tre dekadash, shumë familje vazhdojnë të kërkojnë eshtrat e të afërmve të zhdukur. Gjatë viteve të fundit janë zhvilluar kërkime në pyje dhe në lumin Drina, por shumë viktima nuk janë gjetur ende. Një nga arsyet, sipas familjarëve të viktimave dhe organizatave që merren me dokumentimin e krimeve të luftës, është se shumë prej atyre që kanë dijeni për vendndodhjen e varreve masive nuk kanë folur kurrë. Ndërkohë, në një pjesë të opinionit publik serb vazhdon të mohohet ose të relativizohet gjenocidi i Srebrenicës. Në vitin 2024, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë që shpalli 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë të vitit 1995, duke riafirmuar vendimet e gjykatave ndërkombëtare që e kanë cilësuar masakrën si gjenocid. Megjithatë, udhëheqës të serbëve të Bosnjës vazhdojnë ta kundërshtojnë këtë përcaktim. Milorad Dodik, president i Republikës Sërpska, ka deklaruar vazhdimisht se Srebrenica ishte një krim i rëndë lufte, por jo gjenocid, duke hedhur poshtë vendimet e Tribunalit të Hagës dhe të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Në të kundërt, një nga ish-komandantët e forcave serbe të Bosnjës, gjenerali Radislav Krstiç, i dënuar gjithashtu nga Tribunali i Hagës, ka pranuar se forcat serbe kryen gjenocid ndaj myslimanëve boshnjakë në Srebrenicë. “Është e qartë se forcat e ushtrisë sime kryen një gjenocid të vërtetë kundër myslimanëve të Bosnjës. Disa anëtarë të shtabit tonë kishin këtë qëllim”, ka deklaruar ai. Ceremonia përkujtimore e 2025-ës Pak ditë para 11 korrikut 2025, autoritetet e Republikës Sërpska, të udhëhequra nga Milorad Dodik, organizuan në Bratunac një ceremoni të veçantë përkujtimore, si alternativë ndaj përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë. Në ceremoni mori pjesë edhe patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, i cili e cilësoi atë si një ditë zie për të përkujtuar 3.300 serbë të vrarë gjatë luftës në Bosnje, duke thënë se vuajtjet e tyre kanë mbetur të panjohura dhe të anashkaluara. Gjatë aktivitetit, emri i Srebrenicës nuk u përmend. Organizatorët iu referuan vetëm “ngjarjes tjetër që po zhvillohej jo larg prej këtu”, ndërsa u bënë thirrje institucioneve ndërkombëtare që, sipas tyre, të vendosin drejtësi edhe për viktimat serbe të luftës./CorrieredellaSera Rendit zhvillimet sipas orarit: Të Fundit Të Parat Ora 15:46 Vrau veten me pistoletën e të atit! Historia e vdekjes së vajzës së Ratko Mlladiçit që vazhdon të ngjallë pikëpyetje 32 vjet më vonë Më 24 mars 1994, në kulmin e luftës në Bosnje, një tragjedi goditi familjen e Ratko Mlladiçit. Vajza e tij, Ana Mlladiç, studente 23-vjeçare e mjekësisë në Beograd, u gjet e vdekur pasi, sipas hetimit zyrtar, kishte qëlluar veten me një pistoletë Zastava 7.65 milimetra që i përkiste të atit.Arma kishte një vlerë të veçantë për Mlladiqin. Sipas biografëve të tij, ai e kishte marrë si dhuratë pas diplomimit në shkollën ushtarake dhe e konsideronte armën e tij të preferuar. Madje, thuhet se ishte betuar se do ta përdorte vetëm për të festuar lindjen e nipit ose mbesës së parë.Vdekja e Anës u regjistrua si vetëvrasje, por familja e Ratko Mlladiqit nuk e pranoi kurrë këtë përfundim. Për vite me radhë, ata kanë pretenduar se 23-vjeçarja ishte vrarë nga armiqtë e tij gjatë luftës. Megjithatë, këto pretendime nuk u provuan dhe versioni zyrtar mbeti ai i vetëvrasjes.Arsyet që e shtynë Anën drejt këtij akti nuk janë sqaruar kurrë. Një nga teoritë e përmendura në libra dhe biografi kushtuar Mlladiqit është se ajo kishte rënë në depresion pasi, gjatë një udhëtimi në Moskë, mësoi më shumë për raportimet mbi rolin e të atit në luftën e Bosnjës, përfshirë rrethimin e Sarajevës dhe krimet për të cilat ai më vonë do të akuzohej. Kjo mbetet një teori e autorëve dhe nuk është konfirmuar nga ndonjë hetim zyrtar.Historianë dhe biografë që kanë studiuar jetën e Ratko Mlladiqit kanë shkruar se vdekja e së bijës pati ndikim të madh tek ai. Sipas tyre, pas marsit të vitit 1994, sjellja e komandantit serb gjatë luftës u bë edhe më e ashpër dhe më e paparashikueshme. Ngjarjet që pasuan do të hynin ndër më të tmerrshmet e luftës në Bosnje. Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8 mijë burra dhe djem boshnjakë në Srebrenicë. Mlladiçi u shpall fajtor për gjenocidin në Srebrenicë, si edhe për rrethimin shumëvjeçar të Sarajevës dhe fushatën e spastrimit etnik kundër popullsisë joserbe në Bosnje. U.D/Shqiptarja.com Share Ora 15:35 Letra e fundit për Mlladiçin! Vuçiç kërkoi ta nxirrte nga burgu i Hagës para vdekjes Vetëm shtatë ditë para vdekjes së Ratko Mlladiçit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i dërgoi një kërkesë me shkrim administratës së Mekanizmit Ndërkombëtar Rezidual për Gjykatat Penale në Hagë, duke kërkuar që i dënuari për gjenocidin në Srebrenicë të lirohej për arsye humanitare dhe ditët e fundit të jetës t'i kalonte në një spital në Serbi.Sipas mediave serbe, Vuçiç e bazoi kërkesën në raportin mjekësor që tregonte se gjendja shëndetësore e Mlladiqit ishte terminale. Në letrën e tij, presidenti serb argumentoi se lejimi i transferimit të Mlladiqit në Serbi për trajtim ishte një çështje humaniteti dhe jo një çështje që vinte në diskutim vendimet gjyqësore të Tribunalit.Në mesin e muajit gusht, edhe mbrojtja e Mlladiqit kishte paraqitur një kërkesë për lirim të parakohshëm me kushte për arsye humanitare, duke argumentuar se raportet mjekësore konfirmonin se ai ndodhej në fazën e fundit të jetës.Megjithatë, Mekanizmi Ndërkombëtar Rezidual për Gjykatat Penale në Hagë e rrëzoi kërkesën. U.D/Shqiptarja.com Share Ora 15:23 Djali i Ratko Mlladiç rrëfen orët e fundit të jetës në burg të kriminelit të luftës: Lëngonte në shtrat, i dhanë fentanil për dhimbjet! I dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë, krimin më të rëndë të kryer në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, krimineli i luftës Ratko Mlladiç i kaloi ditët e fundit të jetës në spitalin e burgut në Hagë, duke lwnguar nga dhimbjet e forta. Sipas familjes gjendja e tij ishte përkeqësuar në mënyrë të pakthyeshme.Djali i tij, Darko Mlladiç , tha se javët e fundit i ati pothuajse nuk fliste më. Sipas tij, mjekët i kishin nisur trajtimin me fentanil, një opioid i fuqishëm që përdoret për lehtësimin e dhimbjeve të forta, ndërsa qëndrimi i gjatë në shtrat i kishte shkaktuar plagë në trup.Familja pretendon se gjithçka nisi më 10 prill, kur Mlladiqi pësoi goditjen e parë në tru. Sipas Darkos, mjekët nuk e diagnostikuan siç duhej dhe një muaj më vonë ai pësoi edhe një goditje të dytë, e cila ia përkeqësoi gjendjen. Prej gushtit të vitit 2024, ai nuk ishte ngritur më në këmbë dhe lëvizte vetëm me karrocë.Darko Mlladiç tha se babai i tij vuante gjithashtu nga probleme me zemrën, veshkat dhe diabeti. Sipas tij, mjekët e kishin njoftuar familjen se ai mund të vdiste brenda pak ditësh, ndaj u bë edhe një kërkesë e fundit për lirimin e tij për arsye humanitare. Kërkesa u refuzua.Ratko Mlladiç vdiq në moshën 84-vjeçare, duke vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm të dhënë nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë. Gjykata e shpalli fajtor për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, duke e mbajtur përgjegjës për vrasjen e mbi 8 mijë burrave dhe djemve boshnjakë në Srebrenicë, si edhe për rrethimin e Sarajevës. U.D/Shqiptarja.com Share U.D/Shqiptarja.com TAG: Bosnje Hercegovina Ratko Mlladiç Masakra e Srebrenicës Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 4.0 / 5 (4 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:

24 Gusht, 21:21

Si ju duket plani i qeverisjes i paraqitur në Pogradec nga Rama? Mirë 52.3% Keq 34.9% Nuk e di 12.7% Vota total: 3692 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 24 Gusht, 21:21 Si ju duket plani i qeverisjes i paraqitur në Pogradec nga Rama?