Protesta e qytetarëve të Maliqit kundër bashkimit me Bashkinë e Korçës duket se ka marrë edhe një tjetër ngjyrë, atë të përplasjes me propagandën dhe mënyrën se si mediat pranë qeverisë e kanë pasqyruar ngjarjen.
Në qendër të reagimeve është 45-vjeçari Arian Asimi, banor i Maliqit, i cili është proceduar penalisht nga Policia pas qëndrimit të tij publik lidhur me protestën.
Asimi nuk pranoi të heshtë. Ai ngriti zërin kundër asaj që e konsideron si të papranueshme për qytetarët e Maliqit dhe kundërshtoi publikisht versionin e servirur nga mediat që, janë të afërta me qeverinë Rama.
45-vjeçari denoncoi atë që e cilëson si propagandë qeveritare, duke kundërshtuar raportimet se protesta ishte zhvilluar me vetëm dy persona. Sipas Asimit, në tubim kishin marrë pjesë shumë më tepër qytetarë dhe pamja e përcjellë në disa media nuk pasqyronte realitetin në terren.
Pra, në vend që të mbetej thjesht një protestues mes të tjerëve, Asimi zgjodhi të përballet publikisht me atë që e quan propagandë të qeverisë Rama dhe me mediat që, sipas tij, tentojnë të minimizojnë zërin e qytetarëve.
Dhe ky qëndrim i ka kushtuar një procedim penal.
Në një kohë kur qytetarët e Maliqit po protestojnë kundër një vendimi që e konsiderojnë të papranueshëm, rasti i Arian Asimit ngre pikëpyetje mbi hapësirën që u lihet qytetarëve për të kundërshtuar publikisht pushtetin dhe për të denoncuar atë që ata e konsiderojnë propagandë.
Ai nuk kërkoi të bëhej hero. Thjesht zgjodhi të mos heshtë. Por pikërisht pse foli, sot ndodhet nën procedim penal.

