Nën masa të rrepta sigurie paraqitet në apelin e GJKKO Ilir Selmani, i akuzuar si pjesë e ‘klanit Duka’ dhe i përfshirë në vrasjen e ish-policit Santiago Malko, i njohur si krahu i djathtë i Ervis Martinaj. Në orën 14:30 nis seanca ku SPAK ka kërkuar dënimin me 28 vite burg. Selmani u lirua pak kohë më parë në arrest shtëpie për shkak të tejkalimit të afateve të paraburgimit. Ilir Selmani është shpallur fajtor nga Shkalla e Parë si pjesë e të ashtuquajturit “Klani Duka”, grup që sipas akuzës organizoi dhe ekzekutoi ish-policin Santiago Malko në gusht të vitit 2019 në Tiranë. Malko konsiderohej krahu i djathtë i Ervis Martinajt, i cili rezulton i zhdukur prej vitit 2022. Disa ditë më parë pranë banesës së tij, e cila ruhet nga forca të shumta policie, u arrestua me armë Emiljano Nina, i konsideruar si një person me lidhje të ngushta me grupin e Ervis Martinajt. Ky zhvillim ka bërë që hetuesit të dyshojnë se mund të ishte planifikuar një atentat për hakmarrje. Mësphet se gjatë seancës ka pasur përplasje mes palëve, ku i akuzuari Ilir Selmani është shprehur para trupit gjykues se është i pafajshëm dhe nuk ka lidhje me këtë ngjarje. Ilir Selmani: Deklaroj që jam i pafajshëm, nuk kam asnjë lidhje me këtë ngjarje. Ndërkohë, e ëma e ish-policit Santiago Malko ka kërkuar që Ilir Selmani të dënohet me 28 vite burg. E ëma e viktimës: Ky ma ka vrarë djalin, të dënohet me 28 vite burg ose më sillni djalin në shtëpi ta shikoj dhe nxirreni jashtë këtë. Pas diskutimeve, është mbyllur me tensione në Apelin e GJKKO-së shqyrtimi gjyqësor ndaj Ilir Selmanit, teksa bëhet e ditur se vendimi ndaj tij do të shpallet më 17 korrik.

