Lajme Zone
I nominuar për ambasador në Shqipëri/ Senati amerikan ‘hap rrugën’ për Eric Wendt
BotëCNA
Ky artikull është pjesë e një historie me 3 burime — Krahaso mbulimin →

I nominuar për ambasador në Shqipëri/ Senati amerikan ‘hap rrugën’ për Eric Wendt

Senati i Shteteve të Bashkuara ka miratuar një rezolutë që...

Senati i Shteteve të Bashkuara ka miratuar një rezolutë që autorizon shqyrtimin dhe votimin në bllok të 74 emërimeve të administratës amerikane në Kalendarin Ekzekutiv, përfshirë kandidaturën e Eric Wendt për ambasador të SHBA-ve në Shqipëri.

Rezoluta u miratua me 50 vota pro dhe 47 kundër, sipas vijave partiake. Tre senatorë – Marsha Blackburn, Mitch McConnell dhe Thom Tillis, abstenuan nga votimi.

Lista e emërimeve të përfshira në rezolutë përfshin edhe Eric Wendt, i nominuar për pozicionin e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë. Megjithatë, miratimi i Rezolutës nuk përbën konfirmimin e tij si ambasador.

Rezoluta është e natyrës procedurale dhe i jep Senatit mundësinë të shqyrtojë dhe votojë për këto emërime së bashku, në vend që secili prej tyre të trajtohet veçmas.

Nëse kandidatura e tij miratohet, Wendt do të bëhet ambasadori i parë i SHBA-ve në Tiranë pas largimit të Yuri Kim në qershor 2023. Që atëherë, ambasada është drejtuar nga të ngarkuarit me punë, ndërsa emërimet e mëvonshme nuk arritën të finalizoheshin.

Mungesa e një ambasadori me kohë të plotë për një periudhë kaq të gjatë është parë nga shumë vëzhgues si një periudhë në të cilën ndikimi i drejtpërdrejtë diplomatik amerikan në politikën shqiptare ka qenë më i kufizuar. Në këtë kontekst, emërimi i një figure me profil të lartë ushtarak dhe përvojë në strukturat e NATO-s shihet si një sinjal se Washingtoni synon të rrisë angazhimin e tij në Shqipëri.

Kandidatura e Wendt u dorëzua në Senat më 13 prill 2026 nga Presidenti amerikan Donald Trump. Më 20 maj, ai doli përpara Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë, ku prezantoi prioritetet e tij për marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Shqipërisë, duke vënë theksin te lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, siguria kibernetike dhe rritja e investimeve amerikane.

Më 4 qershor, komisioni miratoi kandidaturën e tij me 19 vota pro dhe 3 kundër, duke e dërguar atë për shqyrtim në Senatin amerikan./ CNA Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.