Një 56-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga policia në kuadër të operacionit të koduar “Mesazhi”, pasi tentoi t’i merrte përmes kërcënimit për jetën një shumë prej 300 mijë eurosh kushëririt të tij. Ngjarja është regjistruar në fshatin Gërdec të Bashkisë Vorë, ku i dyshuari përdori mesazhe kanosëse ndaj të afërmit dhe familjes së tij për përfitim pasuror. Sipas të dhënave zyrtare, hetimet e shpejta nisën pas kallëzimit të bërë nga shtetasi E. M., i cili deklaroi se në portën e banesës së tij kishte gjetur një fishek arme zjarri dhe një letër me përmbajtje kërcënuese. Përmes këtij shantazhi, autori kërkonte dorëzimin e menjëhershëm të shumës prej 300 mijë eurosh, duke kërcënuar me jetë pjesëtarët e familjes në rast se nuk përmbushej kërkesa financiare. Strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 7, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe nën drejtimin e Prokurorisë, organizuan punën operative që çoi në lokalizimin, identifikimin dhe arrestimin e shtetasit A. M., 56 vjeç, banues në Vorë. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e të dyshuarit, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale municion luftarak, veshjet e përdorura gjatë kryerjes së veprës penale si dhe një aparat celular. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme, ndërsa ndaj 56-vjeçarit renditen akuzat për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
