Një 28-vjeçar shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje me paramendim është arrestuar në Bolzano të Italisë, në kuadër të operacionit policor të koduar “The Wanted”. Policia e Shtetit bën me dije se Vanxhel Balla, lindur në Dibër, është arrestuar me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë. Balla ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër e kishte dënuar në vitin 2020 me 12 vite burg për veprën penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim. Sipas policisë, atij i kanë mbetur për të vuajtur edhe 9 vite burg. Nga hetimet rezulton se 28-vjeçari, së bashku me vëllain e tij, A. B., pas një konflikti për motive të dobëta, kanë vrarë me mjet prerës, thikë, shtetasin A. Z., alias I. Z. Arrestimi u krye në Bolzano falë bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe homologëve italianë. Autoritetet shqiptare dhe italiane vijojnë procedurat për ekstradimin e Ballës drejt Shqipërisë.
