Një shtetas që vuante dënimin në burgun e Fierit ka humbur jetën në rrethana ende të paqarta. Burime pranë IEVP Fier thonë se shtetasi 58-vjeçari kishte kërkuar ndihmën mjekësore teksa ndodhej brenda qelisë dhe ka humbur ndjenjat pasi u transferua ne infermieri.
Menjëherë është bërë transportimi i tij drejt spitalit të Fierit, por mjekët konstatuan vdekjen e tij. Sipas informacioneve të deritanishme, dyshohet se 58-vjeçari pësoi hemorragji cerebrale, sakaq pritet kryerja e autopsisë.
Ai ishte transferuar disa muaj më parë nga burgu 313 i Tiranës dhe ishte dënuar nga GJKKO për pastrim të produkteve të veprës penale me 10 vjet burg.
“Në IEVP Fier trajtohet me statusin e të dënuarit shtetasi Ardjan Malasi, i datëlindjes 05.04.1968, lindur në Ballsh dhe banues në Ballsh, me shtetësi dhe kombësi shqiptare.
Me vendimin Nr. 65, datë 17.01.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, “ndryshuar nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin Nr. 28, datë 01.06.2026”, shtetasi Ardian Malasi është deklaruar fajtor dhe dënuar me 8-vite burg (Siguri e lartë), për kryerjen e veprave penale “Pastrimi i produktit të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në forma bashkëpunimi të veçantë dhe në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i Strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 287/1, 28/4-334/1 dhe 333/a/2 të Kodit Penal.
Vendimi ka marrë formë të prerë më datë 01.06.2026.
Për këtë vendim ka nxjerrë Urdhër Ekzekutimi Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me shkresë përcjellëse Nr. 22750 Prot./Q.Sh, datë 06.07.2026.
Arrestuar më datë 26.10.2023.
Ardhur në IEVP Fier më datë 16.07.2026, transferuar nga IEVP “Jordan Misja” Tiranë (për arsye të marrjes së vendimit të formës së prerë si i dënuar).
Referuar dinamikës së vuajtjes së dënimit rezulton se nga dënimi i dhënë me 8-vite burg (Siguri e lartë):
Ka vuajtur: 4-vite, 1-muaj e 18-ditë burg.
Mbetur për të vuajtur edhe: 3-vite, 10-muaj e 12-ditë burg”, deklaron IEVP Fier. Top Channel

