Një 43-vjeçar i kërkuar ndërkombëtarisht është vënë në pranga këtë të hënë nga Policia në qytetin e Durrësit, i cili është dënuar me 14 vite burg për trafikim të lëndëve narkotike. Sipas njoftimit të Policisë, është arrestuar Kastriot Dyrmishi, alias Kastriot Dermishi, 43 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit, Firence, Itali, e ka dënuar me 14 vjet burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, dënim nga i cili i kanë mbetur për të vuajtur 12 vjet, 9 muaj dhe 24 ditë burgim. Ndërkohë, pritet ekstradimi i tij drejt Italisë. “Si rezultat i koordinimit informativ dhe operacional me homologët në Itali, nëpërmjet Interpol Tiranës, si dhe i veprimeve të shpejta policore, specialistët e Seksionit për Mbështetjen Operacionale të Hetimit finalizuan operacionin e koduar “Wanted 37”, si rezultat i të cilit, u kap në lagjen nr. 17/1, dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasi Kastriot Dyrmishi, alias Kastriot Dermishi, 43 vjeç, banues në Durrës. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit, Firenze, Itali, e ka dënuar me 14 vjet burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, dënim nga i cili i kanë mbetur për të vuajtur 12 vjet, 9 muaj dhe 24 ditë burgim. Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët italianë, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali”, thuhet në njoftimin e policisë.
