Lajme Zone
I akuzuar për trafikim dhe abuzim seksual, mbyllet çështja kundër manjatit amerikan të mundjes
BotëTop Channel

I akuzuar për trafikim dhe abuzim seksual, mbyllet çështja kundër manjatit amerikan të mundjes

Gjykata Federale e Connecticut në Shtetet e Bashkuara ka urdhëruar mbylljen e padisë civile të ngritur nga ish-punonjësja e WWE, Janel Grant, kundër ish-drejtuesit të kompanisë, Vince McMahon, dhe vetë WWE-së.

Gjykata Federale e Connecticut në Shtetet e Bashkuara ka urdhëruar mbylljen e padisë civile të ngritur nga ish-punonjësja e WWE, Janel Grant, kundër ish-drejtuesit të kompanisë, Vince McMahon, dhe vetë WWE-së. Grant kishte paraqitur padinë në janar të vitit 2024, duke akuzuar McMahon për trafikim seksual dhe abuzim gjatë kohës kur ai drejtonte kompaninë si shef ekzekutiv.

Sipas mediave amerikane PWInsider dhe Wrestlenomics, gjyqtarja Sarah F. Russell miratoi kërkesën e përbashkët të palëve për mbylljen e çështjes, pasi ato kishin arritur një marrëveshje për ta transferuar konfliktin në arbitrazh privat.

Padia është rrëzuar “me paragjykim”, çka do të thotë se Janel Grant nuk mund ta rihapë të njëjtën çështje në gjykatë në të ardhmen.

Vendimi i gjykatës ishte kryesisht formal, pasi palët kishin rënë dakord që në mesin e muajit qershor për ta zgjidhur mosmarrëveshjen jashtë procesit gjyqësor publik.

Problemet ligjore të Vince McMahon nisën në vitin 2022, kur një hetim i bordit drejtues të WWE u hap pas një raportimi të The Wall Street Journal, i cili pretendonte se ai kishte paguar miliona dollarë në marrëveshje konfidenciale ndaj disa grave, përfshirë edhe Janel Grant, për të mos bërë publike marrëdhëniet me të.

Skandali e detyroi McMahon të tërhiqej fillimisht nga drejtimi i WWE-së, megjithëse ai u rikthye në bordin drejtues në janar 2023. Dorëheqja e tij përfundimtare erdhi në janar 2024, vetëm pak ditë pasi Grant ngriti padinë, në periudhën kur WWE u bashkua me UFC për të krijuar kompaninë TKO Group Holdings.

Megjithatë, mbyllja e kësaj padie nuk i jep fund problemeve ligjore të McMahon. Ai vazhdon të përballet me një tjetër proces gjyqësor në shtetin e Maryland-it, ku ish-punonjës të WWE-së e akuzojnë për abuzim seksual. Në këtë çështje janë përfshirë edhe bashkëshortja e tij, Linda McMahon, si dhe kompania WWE. Top Channel