Statuja e Stalinit që protestuesit rrëzuan në Budapest gjatë kryengritjes hungareze të vitit 1956. Foto: Universal Images Group Editorial/Universal History Archive. / Tridhjetë e shtatë vjet pas rënies së regjimit komunist, Hungaria publikon dokumentet që mund të identifikojnë deri në 60.000 informatorë të policisë sekrete. Hapja e arkivave synon të zbardhë të kaluarën dhe t'i japë shoqërisë mundësinë të pajtohet me historinë, por ngre edhe pikëpyetje për rrezikun e përdorimit të dosjeve si armë në betejat politike. Nëse do të mësonit se një koleg, mik apo edhe bashkëshorti juaj ju kishte tradhtuar dekada më parë, duke i dorëzuar shtetit sekretet tuaja më intime, a do të dëshironit ta dinit të vërtetën? Kjo është pyetja me të cilën do të përballen tani miliona hungarezë, pasi dosjet e policisë sekrete të vendit janë bërë publike, 37 vjet pas rënies së komunizmit.
Kryeministri Péter Magyar e cilësoi këtë hap si një vendim të vonuar prej kohësh, por pranoi se “shumë familje do të përballen tani me informacione të vështira”. Përvoja e vendeve të tjera ish-komuniste tregon se hapja e arkivave të shërbimeve sekrete mund të shkaktojë tronditje të thella politike dhe shoqërore.
Këtë javë, Hungaria publikoi dokumente që mund të identifikojnë deri në 60.000 informatorë, të cilët furnizonin me informacione një regjim shtypës gjatë periudhës 1945-1990. Data e zgjedhur ishte 4 nëntori, sepse pikërisht në këtë ditë të vitit 1956, Bashkimi Sovjetik nisi një pushtim masiv për të shtypur Revolucionin Hungarez.
Dokumentet janë tashmë të aksesueshme falas në internet për të gjithë qytetarët. Mjafton të kërkosh emrin ose të dhëna të tjera identifikuese të një personi për të zbuluar nëse ai ka pasur lidhje me policinë sekrete gjatë periudhës komuniste.
Që nga viti 1990, qeveritë e njëpasnjëshme e kishin shqyrtuar këtë mundësi, por në fund ishin tërhequr. Por për Magyar-in hapja e dosjeve ishte një premtim elektoral në zgjedhjet e prillit 2026, të cilat ai i fitoi me rezultat dërrmues, duke i dhënë fund 16 viteve të pushtetit të Viktor Orbánit.
Tashmë duhej ta mbante fjalën. Magyar e pranon se përballja me informacionet e publikuara, mund të jetë e dhimbshme për familjet dhe u ka kërkuar qytetarëve që t’i trajtojnë zbulimet me “dinjitet dhe humanizëm”. Madje qeveria po krijon edhe linja telefonike këshillimi për t’u ofruar mbështetje emocionale atyre që do të kenë nevojë.
Por asnjë masë, nuk mund t’i mbrojë njerëzit nga zbulime që mund t’u ndryshojnë jetën. Mjafton të kujtojmë përvojën e Mario Röllig, një kundërshtar i regjimit të Gjermanisë Lindore dhe një prej viktimave të tij. Ai ishte burgosur pasi kishte tentuar të arratisej drejt Berlinit Perëndimor për të qenë pranë të dashurës së tij.
Në vitin 1997, kur mori dosjen që policia sekrete e Gjermanisë Lindore, STASI, kishte përgatitur për të, zbuloi se “pjesa më e tmerrshme ishin raportet e spiunëve”. “Mësova se katër persona ishin ngarkuar të më përgjonin: dy kolegë, një fqinj dhe miku im më i mirë…”, tha ai.
Kur u përball me mikun e tij, ky i fundit u përpoq të justifikohej, duke argumentuar se nëse nuk do ta kishte bërë ai, do ta kishte bërë dikush tjetër. Miqësia e tyre mori fund. Shërbimet sekrete komuniste mblidhnin gjithashtu të dhëna jashtëzakonisht intime për jetën private të njerëzve. Dosjet e STASI-t, të cilat i kam studiuar ndër vite si historiane, përmbanin gjithçka: nga vëzhgime të parëndësishme, si “M. merret me punime artizanale në kohën e lirë”, deri te zakonet e konsumimit të alkoolit dhe lidhjet jashtëmartesore, të cilat mund të përdoreshin për shantazh.
Patinatorja e famshme Katarina Vit, dy herë kampione olimpike, ishte vënë nën vëzhgimin e STASI-t që kur ishte vetëm 7-vjeçe.
Shërbimi sekret kishte regjistruar hollësi intime të jetës së saj, përfshirë edhe lidhjet e para sentimentale gjatë adoleshencës. Një shënim në dosjen e saj thotë: “Midis orës 6.00 dhe 6.18 pati marrëdhënie seksuale”.
Qeveria hungareze, premton se informacione të tilla tepër personale do të hiqen nga dokumentet e publikuara. Por kufiri midis asaj që konsiderohet tepër intime për t’u bërë publike dhe asaj që mund të zbulohet, mbetet gjithmonë i paqartë.
Hapja e dosjeve ka edhe një dimension të fuqishëm politik. Partia Fidesz e Orbán, ka votuar më shumë se 30 herë kundër publikimit të tyre që nga viti 2010, megjithëse ishte themeluar në vitin 1988 si një lëvizje studentore antikomuniste dhe kishte luajtur rol të rëndësishëm në kalimin e Hungarisë drejt demokracisë, me një Orbán të ri në krye.
Megjithatë, pikërisht ky profil historik e bën Fidesz-in më të ekspozuar ndaj pasojave të publikimit. Përfaqësuesit e saj janë mesatarisht 10 vjet më të moshuar se kundërshtarët politikë dhe për këtë arsye, kanë më shumë gjasa të kenë emrat e tyre në dosjet e policisë sekrete.
Orbán është sot 63 vjeç dhe ishte aktiv politikisht gjatë viteve 1980, ndërsa pasardhësi i tij, Péter Magyar, është 45 vjeç dhe ishte ende fëmijë kur komunizmi mori fund në Hungari. Për këtë arsye, tronditja politike që pritet të shkaktojnë zbulimet ka shumë më tepër gjasa të godasë Fidesz-in.
Ose, siç do të argumentonin mbështetësit e hapjes së dosjeve, të nxjerrë në dritë të kaluarën e anëtarëve të saj. Historiani Krisztián Ungváry e mirëpret këtë vendim. Sipas tij, “gënjeshtrat e një shoqërie, çojnë në mënyrë të pashmangshme në një marrëdhënie të tensionuar me politikën dhe çmimi që paguam për këtë ishin 16 vitet e qeverisjes së Fidesz”.
Një debat i ngjashëm është zhvilluar edhe në Finlandë, ku publikimi i të ashtuquajturës Lista e Tiitinenit është diskutuar ashpër prej vitesh. Ky dokument iu dorëzua Shërbimit Finlandez të Sigurisë, SUPO, nga shërbimi informativ i Gjermanisë Perëndimore pas rënies së Murit të Berlinit.
Në të renditen 18 shtetas finlandezë, të dyshuar për kontakte me STASI-n. Gjatë Luftës së Ftohtë, Finlanda kishte një pozicion të veçantë, mes bllokut komunist dhe atij kapitalist, duke mbajtur kontakte të ngushta me Gjermaninë Lindore dhe Bashkimin Sovjetik.
SUPO refuzoi ta publikonte dokumentin, duke argumentuar se kjo mund të “rrezikonte sigurinë kombëtare”. Sipas shërbimit finlandez, nuk ishte e qartë se çfarë natyre kishin pasur marrëdhëniet e personave të përmendur me STASI-in.
Për më tepër, publikimi mund të dëmtonte imazhin e figurave të rëndësishme politike të vendit, veçanërisht në një moment delikat, kur Finlanda po përgatitej të anëtarësohej në NATO në vitin 2023. Megjithatë, këtë vit kryeministri Petteri Orpo, sipas raportimeve, ka deklaruar se është i gatshëm ta bëjë publike listën.
Probleme të tjera lidhen me boshllëqet në dokumentacionin historik. Shumë dosje të policive sekrete komuniste janë të paplota ose kanë humbur. Në Hungari vlerësohet se kanë ekzistuar rreth 150.000 informatorë, por të dhënat janë ruajtur për më pak se gjysmën e tyre.
Kjo do të thotë se mungesa e informacionit për një person, nuk provon domosdoshmërisht se ai nuk ka bashkëpunuar me shërbimet sekrete. Për pasojë, zbulimet mund të marrin edhe karakterin e një lotarie.
Duhet pasur parasysh edhe fakti se shumë njerëz detyroheshin ose shantazhoheshin për t’u bërë informatorë. Të tjerë jepnin informacione të parëndësishme ose të pavërteta për kolegët dhe miqtë, me qëllim që të siguronin një vend në universitet apo të mbronin familjet e tyre nga ndëshkimi.
Në shumë raste, dosjet nuk përmbajnë të dhëna të mjaftueshme për të kuptuar shkallën, natyrën dhe rrethanat e bashkëpunimit. Karriera dhe marrëdhënie njerëzore mund të njollosen, madje edhe të shkatërrohen, vetëm sepse një emër figuron në një dokument.
“Në shumicën dërrmuese të raporteve të agjentëve që kanë mbijetuar, nuk është e mundur të identifikohet as vetë agjenti, e aq më pak motivet e tij”, argumenton Zsuzsanna Borvendég, historiane dhe eurodeputete e Lëvizjes së ekstremit të djathtë “Atdheu Ynë”.
Prandaj, nevojitet kujdes në trajtimin e dosjeve dhe në interpretimin e informacioneve që ato zbulojnë ose nuk zbulojnë. Megjithatë, Hungaria ka përpara edhe një mundësi të rëndësishme: të përballet me të kaluarën e saj në mënyrë më të hapur se shumë vende të tjera, të cilat nuk kanë guxuar të ndërmarrin një hap të tillë.
Dhe kjo përballje nuk mund të ndodhë për sa kohë që sekretet vazhdojnë të mbeten të fshehura. Për vite me radhë, hamendësimet për atë që mund të fshihet në arkiva janë përdorur në Hungari si armë në luftën politike dhe për të diskredituar kundërshtarët.
E njëjta situatë vërehet edhe në Gjermani, ku dosja e Angela Merkelit për periudhën e STASI-t vazhdon të mbetet e mbyllur. Rregullat gjermane për qasjen në dokumentet personale janë të rrepta, dhe në përgjithësi lejojnë shqyrtimin e tyre vetëm nga personi i prekur dhe familjarët e tij më të afërt.
Ish-kancelarja gjermane, e cila u rrit në Gjermaninë Lindore, e ka pranuar se policia sekrete ishte përpjekur ta rekrutonte kur kishte aplikuar për një vend pune në universitet. Megjithatë, ajo ka këmbëngulur se e kishte refuzuar ofertën, duke u thënë agjentëve se nuk ishte e zonja për të gënjyer, ndaj nuk mund të ishte një informatore e dobishme.
Por, meqenëse dosja e saj nuk është e aksesueshme, spekulimet për lidhjet e mundshme me STASI-n nuk janë shuar kurrë. Për këtë arsye, pjesa tjetër e ish-bllokut lindor do ta ndjekë me vëmendje këtë eksperiment të guximshëm të Hungarisë për transparencë të plotë.
Për qeverinë hungareze, pasojat politike dhe personale mund të përfaqësojnë një çmim të lartë për t’u paguar. Por përfitimi mund të jetë një përballje e sinqertë me historinë, e cila, në planin afatgjatë, mund të rezultojë e shëndetshme për vendin.
Ose siç u shpreh Magyar: “Është e pamundur të përballesh me një traumë pa diskutuar dhe pa bërë pyetje”./Pamfleti nga “The Telegraph” Shënim: Katja Hoyer, historiane gjermane dhe autore e librave “Përtej Murit: Gjermania Lindore 1949-1990” dhe “Vajmari: Jeta në prag të katastrofës”.
hungaria dosjet e komunizmit Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Forum Përse pasuria nuk krijoi elitë në Shqipëri? 7 Nëntor 2026, 13:5613:56Forum Revolucioni që brezi i ri e bëri ndryshe! 7 Nëntor 2026, 10:2210:22Forum Fundi i “përbindëshave” të Beogradit, revolucioni që përmbysi Serbinë 6 Nëntor 2026, 21:4021:40Forum Parodia e revolucionit që bëri çorbë fazat 6 Nëntor 2026, 18:5018:50Forum Brukseli dërgoi një raport, në Tiranë mbërritën dy! 6 Nëntor 2026, 11:1111:11Forum Skandali me humbjen e parave në bankat dixhitale në botë dhe iluzioni në Shqipëri! 5 Nëntor 2026, 22:2722:27Forum

