Influencuesja e njohur e TikTok, Sydney Towle, ka ndërruar jetë në moshën 26-vjeçare, pas një beteje gati trevjeçare me kolangiokarcinomën në stadin e katërt, një formë e rrallë e kancerit të kanalit biliar. Lajmi u konfirmua nga familja e saj përmes një postimi në Instagram, vetëm pak ditë pasi kishte bërë të ditur se Sydney kishte hyrë në kujdes paliativ.
“Do të të duam gjithmonë, Sydney. Jam shumë krenare për mënyrën se si luftove. Të dua”, shkruhej në mesazhin prekës të familjes.
Towle u bë e njohur në rrjetet sociale duke ndarë me mbi një milion ndjekës përditshmërinë e saj me sëmundjen, duke sfiduar stereotipet se si duket një pacient me kancer. Në videot e saj ajo shfaqej duke udhëtuar, kërcyer, bërë surfing dhe duke jetuar jetën me optimizëm, edhe gjatë trajtimeve të vështira.
Ajo u diagnostikua në vitin 2023, pasi kërkoi ndihmë mjekësore për fryrje dhe djegie në bark. Fillimisht mjekët dyshuan për një hernie, por një ekografi zbuloi një masë tumorale. Më pas iu konfirmua kolangiokarcinoma, një lloj kanceri që zakonisht diagnostikohet te personat mbi 50 vjeç.
Përmes videove në TikTok, Sydney tregoi hapur sfidat e trajtimit, humbjen e flokëve, udhëtimet dhe momentet me familjen, duke përcjellë vazhdimisht mesazhe shprese dhe mirënjohjeje.
Ajo u përball edhe me komente fyese nga përdorues që vinin në dyshim sëmundjen e saj. Në një intervistë për The New York Times në vitin 2025, Towle u përgjigj:
“Unë nuk jam një personazh i rremë. Unë jam një person.”
Një nga mesazhet e saj më të njohura për ndjekësit ishte:
“Shkoni merrni një akullore Ben & Jerry’s, shikoni filmin tuaj të preferuar dhe mos harroni se jeta është e bukur. Ndonjëherë ndodhin gjëra të këqija, por kjo nuk do të thotë se jeta është e keqe.”
Pas njoftimit të vdekjes së saj, rrjetet sociale u mbushën me mijëra mesazhe ngushëllimi nga ndjekës dhe persona që thanë se ishin frymëzuar nga guximi dhe pozitiviteti i saj gjatë betejës me sëmundjen. Top Channel

