Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka dalë në një konferencë për mediat, ku ka bërë një bilanc në lidhje me incidentet gjatë protestave. Hita bëri të ditur se 167 shtetas janë arrestuar, 388 janë proceduar penalisht dhe 7 punonjës policie janë pezulluar nga detyra, ndërsa ndaj tyre ka nisur hetimi disiplinor për tejkalim të detyrës. “janë arrestuar 167 shtetas dhe janë proceduar penalisht 388 shtetas të tjerë. Paralelisht, janë pezulluar nga detyra 7 punonjës policie dhe ndaj tyre ka nisur menjëherë hetimi disiplinor për tejkalim të detyrës, mosrespektim të parimit të proporcionalitetit dhe mënyrën e trajtimit të një protestuesi nga ana e punonjësve të Policisë. Dua t’i siguroj qytetarët se asnjë punonjës policie nuk ka marrë urdhër, në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë, për të vepruar në kundërshtim me procedurat standarde të punës. Çdo rast i evidentuar i tejkalimit të kompetencave apo mosrespektimit të këtyre procedurave do të trajtohet sipas ligjit. Punonjësit e Policisë janë instruktuar vazhdimisht që, në çdo rast ndërhyrjeje apo vetëmbrojtjeje ndaj sulmeve, të zbatojnë me rigorozitet procedurat standarde të punës dhe parimin e proporcionalitetit. Gjatë tubimeve të dhunshme, ashtu si në vendet e Bashkimit Evropian, Policia e Shtetit përdor mjetet e përcaktuara nga legjislacioni dhe procedurat standarde të punës për garantimin e rendit dhe sigurisë, si dhe për mbrojtjen e punonjësve të Policisë. Përdorimi i këtyre mjeteve bëhet në përputhje me kuadrin ligjor dhe në raport me shkallën e rrezikut. Dua të theksoj se, gjatë ditëve të tubimeve, punonjësit e Policisë janë sulmuar me gurë, pllaka guri, sende metalike, zara metalikë të hedhur me llastikaë, lëndë piroteknike, bomba molotov dhe sende të tjera. Si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj punonjësve të Policisë, kryesisht në Tiranë, por edhe në Shkodër dhe Lezhë, janë dëmtuar 132 punonjës policie. Disa prej tyre vijojnë të marrin ndihmë mjekësore në spital. Gjithashtu, dua të bëj me dije se në rrjetet sociale, kryesisht në grupe të hapura së fundmi në Telegram, po bëhen thirrje të vazhdueshme për ushtrimin e dhunës ndaj punonjësve të Policisë. Këto thirrje, sipas të dhënave që disponohen në kuadër të hetimeve penale, synojnë nxitjen e sulmeve me çdo mjet të mundshëm, përfshirë lëndë djegëse dhe plasëse. Edhe gjatë paradites së sotme, në këto rrjete janë publikuar thirrje që protestuesit e maskuar të sigurojnë mjete të ndryshme për të sulmuar Policinë dhe për t’u vënë zjarrin automjeteve të saj. Përballë kësaj situate, në zbatim të ligjit dhe në përmbushje të detyrës, Policia e Shtetit ka marrë masat për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në këto veprime, si dhe për t’iu përgjigjur çdo akti kriminal me forcën e ligjit, në mbrojtje të punonjësve të Policisë, institucioneve shtetërore dhe pronës publike e private.”, tha ai.
