Lajme Zone
Hiqej si italian dhe premtonte “pako surprizë”, Prokuroria e Tiranës çon në gjyq nigerianin që zhvaste shqiptarët online
Të tjeraTop Channel
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Hiqej si italian dhe premtonte “pako surprizë”, Prokuroria e Tiranës çon në gjyq nigerianin që zhvaste shqiptarët online

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq shtetasin nigerian me iniciale L.O., i akuzuar për mashtrim kompjuterik ndaj qytetarëve shqiptarë përmes rrjeteve sociale dhe skemave me pagesa për pako të rreme.

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq shtetasin nigerian me iniciale L.O., i akuzuar për mashtrim kompjuterik ndaj qytetarëve shqiptarë përmes rrjeteve sociale dhe skemave me pagesa për pako të rreme. Sipas njoftimit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, L.O. akuzohet për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, parashikuar nga neni 143/b/1 i Kodit Penal.

Hetimi nisi pas kallëzimit të bërë nga një shtetase me iniciale M.E., e cila punonte si operatore në një call center që merrej me shitjen e energjisë elektrike dhe gazit.

Sipas hetimeve, ajo është kontaktuar në rrjetet sociale nga një person i cili krijoi një komunikim të vazhdueshëm me të, duke u prezantuar si shtetas italian. Megjithatë, gjatë bisedave rezultoi se ai nuk dinte të komunikonte në gjuhën italiane.

Pas komunikimeve fillimisht në Instagram dhe më pas në WhatsApp, personi i kërkoi shtetases të kryente një pagesë, duke pretenduar se nuk mund ta realizonte vetë, me qëllim marrjen e një “pakete surprizë”.

Më tej, përmes kësaj skeme, viktimës iu kërkuan edhe të dhëna bankare dhe pagesa të tjera, duke i premtuar se pakoja do t’i dërgohej. Por, edhe pas kryerjes së pagesave, pakoja nuk mbërriti kurrë dhe kërkesat për para vazhduan.

Pas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Tiranës dhe shkëmbimit të informacionit me autoritetet italiane përmes letërporosive, u bë i mundur identifikimi i personit që kishte në përdorim llogarinë financiare PostePay Evolution.

Autoritetet identifikuan si posedues të kësaj llogarie shtetasin nigerian L.O., lindur në Nigeri dhe me banim në Itali, i cili tashmë do të përballet me drejtësinë shqiptare.

Prokuroria e Tiranës ka bërë apel për qytetarët që të tregohen të kujdesshëm gjatë komunikimeve online dhe të mos japin të dhëna personale apo informacione bankare te persona të panjohur.

Sipas organit të akuzës, rastet e mashtrimeve në internet janë në rritje, ku autorët përdorin profile false dhe mesazhe të rreme për të marrë të dhëna sensitive dhe për të përvetësuar shuma parash. Top Channel