Në kohët e sotme, kur nga Silicon Valley ngrihet një alarm, në vend që të shohim gishtin që tregon etikën — dhe rrezikun e zhdukjes së njerëzimit — duhet të shohim Hënën. Domethënë Kinën. Dhe konkurrencën teknologjike me Shtetet e Bashkuara. I pari që e bëri këtë ishte vetë Donald Trump. Ngjarjet rrodhën kështu. Dario Amodei (Anthropic), Sam Altman (OpenAI) dhe Elon Musk (xAI) kishin bërë një thirrje — të papritur, por jo të paparashikueshme — për të ngadalësuar zhvillimin e modeleve më të avancuara të inteligjencës artificiale. LEXO edhe...Një ishull me qira në Bahamas, si një oligark rus i afërt me Putinin financoi fshehurazi dasmën e djalit të Trump Presidenti amerikan u përgjigj: "Jemi përpara Kinës dhe, sinqerisht, dua të vazhdojmë të jemi, sepse kush fiton garën e AI-së, fiton gjithçka". Ishte e diela e kaluar. Pothuajse në të njëjtën kohë, CBS transmetonte një intervistë me Dario Amodei, i cili deklaronte: "Kina është dilema më e vështirë... Nëse nuk do të ndodheshim në këtë situatë, mund t’i jepnim vetes shumë më tepër kohë". Me fjalë të tjera: nuk është faji ynë, është gjeopolitika ajo që na ka detyruar të vrapojmë. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze i hodhi poshtë akuzat: «Nxitja e frikës, konfrontimit dhe e një konkurrence të egër vetëm sa do të pengojë një qeverisje të shëndetshme globale të inteligjencës artificiale dhe kjo nuk është në interesin e askujt». Edhe më i prerë ishte Global Times, gazeta pranë Partisë Komuniste Kineze, e cila e cilësoi alarmin e Silicon Valley-t si një skenar «tipik të manualit të Luftës së Ftohtë». Por çfarë po ndodh në të vërtetë? Akuza Për ta kuptuar, duhet nisur nga një dokument prej 18 faqesh, i publikuar më 8 shtator nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare (NSA), Agjencia për Sigurinë Kibernetike dhe të Infrastrukturës (CISA) dhe FBI-ja. Titulli: «Kompanitë e inteligjencës artificiale me seli në Kinë po zhvillojnë fushata distilimi në shkallë industriale kundër kompanive amerikane të AI-së». Me pak fjalë: po na vjedhin inteligjencën artificiale. Bëhet fjalë për një akuzë zyrtare të qeverisë amerikane. Raporti pretendon se, që nga viti 2024, laboratorët kryesorë kinezë kanë pyetur miliona herë modelet tepër të kushtueshme amerikane, duke nxjerrë miliarda tokenë përgjigjesh, të cilat më pas janë përdorur për të trajnuar modelet e tyre. Një token është njësia më e vogël me të cilën një model lexon dhe shkruan; në thelb, është një «copëz» fjale. Një miliard tokenë korrespondojnë afërsisht me tekstin e 10 mijë librave. Pra, kur flasim për «miliarda tokenë», po flasim për një bibliotekë me dhjetëra mijëra vëllime — jo libra ekzistues, por përgjigje të gjeneruara sipas kërkesës. Pra, bëhet fjalë për një vjedhje të pretenduar të miliarda tokenëve? Dhe pse ka kaq shumë rëndësi? Sepse SHBA-ja, për arsye të sigurisë kombëtare, është përpjekur më kot ta mbysë inteligjencën artificiale kineze që në lindje. Uashingtoni është përpjekur ta bëjë këtë në mënyra të ndryshme, por masa më efikase ka qenë ndalimi që Nvidia — liderja absolute e tregut — t’i shesë Kinës çipat e saj më të avancuar. Si pasojë, Kina është detyruar të përdorë çipat më pak të fuqishëm të Huawei-t, si dhe qarqe e memorie më pak efikase. Por të mos largohemi nga tema. Kina i është përgjigjur kësaj sfide në disa mënyra, të cilat objektivisht kanë rezultuar të suksesshme. Këtë e dëshmon edhe raporti më i fundit i Universitetit Stanford, i publikuar në prill 2026, sipas të cilit diferenca mes modeleve më të mira kineze dhe atyre amerikane është ngushtuar në vetëm 2.7%, ndonëse Pekini shpenzon shumë më pak se rivalët e tij. Si është e mundur? Arsyet janë disa, ndër to çmimi i energjisë elektrike dhe fakti që modelet kineze janë «të hapura», ose open weight. Paradoksi Por ajo që i tërbon amerikanët është distilimi: teknika e bombardimit të një modeli tjetër me pyetje dhe më pas e trajnimit të modelit tënd duke përdorur përgjigjet e tij. Në këtë mënyrë nuk përftohet një kopje e modelit origjinal, por mund të përvetësohet një pjesë e madhe e aftësive të tij, me një kosto trajnimi pakrahasimisht më të ulët. Paradoksi qëndron në faktin se, për amerikanët — të cilët i kanë zhvilluar modelet e tyre duke përdorur pa leje gjithçka që gjendej në internet dhe shpesh biblioteka të tëra dhe arkiva gazetash — ajo që po bëjnë kinezët konsiderohet vjedhje. Një akuzë paradoksale, sepse kinezët, teknikisht, kanë paguar për ato tokenë duke u abonuar në një shërbim, edhe pse kanë shkelur kushtet e përdorimit të platformave — por kjo është një çështje tjetër. I gjithë thelbi i këtij alarmi për «fundin e botës» qëndron pikërisht këtu: te konkurrenca me Kinën. Kur propozon ngadalësimin e zhvillimit të modeleve amerikane, Amodei e thotë qartë: ne mund të ngadalësojmë, por ndërkohë dikush duhet të ndalë Kinën. Në këtë pikë, ai dhe Trump kanë të njëjtin vizion./CorrieredellaSera U.D/ReportTv.al Kina donald trump inteligjenca artificiale Komento Komente Sondazhi i ditës: Gjykata e Lartë la në burg Erion Veliajn, si e vlerësoni? Të drejtë 22.2% Të gabuar 66.7% Nuk e di 11.1% Vota total: 63 Sondazhi i ditës: Gjykata e Lartë la në burg Erion Veliajn, si e vlerësoni?

