Momente paniku janë regjistruar në një shkollë të mesme në Lion të Francës, ku dy nxënës dyshohet se ndezën një mjet piroteknik dhe e hodhën në mes të bashkëmoshatarëve të tyre, gjatë pushimit të paradites.
Ngjarja ndodhi të hënën, më 23 nëntor, rreth orës 09:55, në gjimnazin “La Martinière-Montplaisir”. Sipas gazetës franceze “Le Progrès”, nxënësit ndodheshin në hollin e shkollës kur fishekzjarri shpërtheu pranë tyre. Pamjet e publikuara tregojnë momentet e panikut, teksa të rinjtë përpiqen të largohen nga vendi i shpërthimit.
Rreth 40 nxënës iu drejtuan infermierisë së shkollës. Disa kishin pësuar lëndime të lehta, ndërsa të tjerë ndodheshin në gjendje shoku. Dy nxënës, të identifikuar nga drejtoria si autorë të hedhjes së mjetit piroteknik, u ndaluan nga policia para mesditës.
Ky incident vjen vetëm katër ditë pas një tjetër episodi të ngjashëm në të njëjtën shkollë, ku drejtori dhe një këshilltare e personelit arsimor u plagosën nga shpërthimet e mjeteve piroteknike brenda institucionit.
Pas ngjarjes së fundit, mësuesit vendosën të ndërpresin mësimin gjatë pasdites, duke ushtruar të drejtën e tërheqjes nga puna për shkak të shqetësimeve për sigurinë.
Përsëritja e këtyre episodeve ka shtuar shqetësimin për dhunën dhe përdorimin e mjeteve piroteknike brenda shkollave në Francë. View this post on Instagram A post shared by JOQ Albania (@joqalbania)

