Lajme Zone
“Hera e dytë që po ndodh, s’po më lejoni të takoj klientin tim”/ Avokati i Veliajt letër drejtorit të burgut të Fierit: Do ju kallëzoj penalisht nëse…
PolitikëTop Channel
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

“Hera e dytë që po ndodh, s’po më lejoni të takoj klientin tim”/ Avokati i Veliajt letër drejtorit të burgut të Fierit: Do ju kallëzoj penalisht nëse…

Avokati Plarent Ndreca ka ngritur shqetësimin për pengimin e takimeve me klientin e tij, kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgimin e burgut të Fierit.

Avokati Plarent Ndreca ka ngritur shqetësimin për pengimin e takimeve me klientin e tij, kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgimin e burgut të Fierit. Përmes një shkrese drejtuar drejtuesit të institucionit, Ndreca pretendon se i është refuzuar për herë të dytë hyrja në ambientet e burgut për të zhvilluar një takim me Veliajn. Avokati e konsideron këtë veprim një shkelje të së drejtës për mbrojtje dhe të ushtrimit të detyrës së tij profesionale.

Në letrën e tij, Ndreca i referohet nenit 51 të ligjit, i cili sipas tij garanton të drejtën e avokatit për të takuar klientin në çdo kohë. Ai paralajmëron gjithashtu se, nëse situata nuk zgjidhet, do t’i drejtohet oficerit të policisë gjyqësore për të depozituar kallëzim penal për shpërdorim detyre ndaj punonjësve që, sipas tij, janë përgjegjës për pengimin e takimit.

Avokati i kërkon drejtorit të burgut të ndërhyjë menjëherë për të garantuar respektimin e ligjit, duke theksuar se e drejta e mbrojtjes nuk mund të varet nga vullneti apo interpretimi i punonjësve të institucionit.

Në mesazhin e tij, Ndreca shprehet se nuk ka pasur si qëllim përshkallëzimin apo publikimin e çështjes, por pretendon se përsëritja e pengesës e detyron të ndjekë rrugën ligjore.

Letra e Ndrecës:

Drejtor,

Është hera e dytë që përsëritet e njëjta situatë. Edhe sot po pengohem të hyj në institucion dhe të takohem me klientin tim.

Po ju rikujtoj edhe një herë se neni 51 i ligjit parashikon shprehimisht të drejtën e avokatit për të takuar klientin e tij në çdo kohë.

Pengimi i ushtrimit të detyrës sime si mbrojtës cenon drejtpërdrejt të drejtat kushtetuese të klientit tim sjell përgjegjësi penale për personat përgjegjës, përfshirë veprën e shpërdorimit të detyrës.

Nuk kam ardhur këtu për të përshkallëzuar situatën, për ta bërë publike apo për ta kthyer në çështje penale. Kam ardhur vetëm për të ushtruar detyrën time si avokat. Por përsëritja e kësaj pengese po më detyron të ndërmarr veprime ligjore.

Ju kërkoj të ndërhyni menjëherë dhe të garantoni zbatimin e ligjit!

Në të kundërt, do të detyrohem t’i drejtohem oficerit të policisë gjyqësore në shërbim për të paraqitur kallëzim penal për shpërdorim detyre ndaj të gjithë punonjësve përgjegjës për pengimin e ushtrimit të detyrës sime.

Respektimi i ligjit nuk është çështje vullneti apo diskrecioni të punonjësve të institucionit. Është detyrim! Top Channel