Lajme Zone
Hëngshi kokat tuaja
PolitikëPamfleti

Hëngshi kokat tuaja

Prandaj, përgjigjja më e ndershme për këtë sherrnajë banale është fare e shkurtër: Hëngshi kokat tuaja!

Karikatura Pamfleti / Politikanët që dyfishuan pagat e veta dhe magjistratët që kërkojnë rroga deri në 567 mijë lekë po luftojnë për supremaci mbi arkën publike, ndërsa paga minimale mbetet 50 mijë lekë dhe pensionistët numërojnë qindarkat... Politika dhe drejtësia kanë hyrë në luftë. Jo për qytetarin, as për shërbimin publik dhe as për cilësinë e shtetit. Po luftojnë për pagat dhe të drejtën mbi Thesarin e Shtetit. Njëra palë tund votat e Parlamentit, tjetra vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Njëra thotë se administron buxhetin, tjetra thotë se mbron pavarësinë. Në mes është qytetari që e mbush atë buxhet, por nuk është ftuar as në debat dhe as në ndarjen e parave.

Prandaj, përgjigjja më e ndershme për këtë sherrnajë banale është fare e shkurtër: Hëngshi kokat tuaja!

Në vitin 2023, socialistët dhe demokratët harruan menjëherë çdo armiqësi politike dhe votuan dyfishimin e pagave të deputetëve. Rroga bruto e një deputeti kaloi nga 156 770 lekë në 310 250 lekë, ndërsa ajo e ministrit nga 174 760 lekë në rreth 318 750 lekë. Kur erdhi puna te xhepat e tyre, mazhoranca dhe opozita nuk kërkuan dialog, ndërmjetësim ndërkombëtar apo konsensus të gjerë shoqëror. U mjaftoi kartoni.

Sot paga minimale është 50 mijë lekë në muaj. Një deputet merr mbi gjashtë paga minimale, ndërsa një ministër afro gjashtë paga e gjysmë. Këto janë vetëm pagat bazë bruto. Deputetëve u shtohen pagesat për komisionet, karburantin, telefonin, udhëtimet dhe privilegje të tjera që punonjësi me 50 mijë lekë nuk i sheh as në ëndrrën më bujare të një nate vere.

Përballë politikës qëndron drejtësia, e cila nuk hyn në këtë betejë me duar bosh. Sipas shifrave të bëra publike nga ministri i Financave, paga aktuale bruto e një gjyqtari të shkallës së parë është 376 381 lekë dhe kërkesa e re e çon atë në 567 421 lekë. Për gjyqtarin e Apelit, shifra kalon nga 388 927 në 586 335 lekë. Në kategori të veçanta, pretendimi financiar i afrohet një milion lekëve në muaj. Ministria e Financave e llogarit efektin shtesë në rreth 40 milionë euro çdo vit dhe pretendimin për periudhën 2023-2026 në 125 milionë euro. Këto janë llogaritjet e qeverisë dhe duhen trajtuar si të tilla, jo si një preventiv i verifikuar në mënyrë të pavarur.

Edhe pa e pranuar automatikisht interpretimin e ministrit, disproporcioni mbetet brutal. Një pagë prej 567 421 lekësh përfaqëson më shumë se njëmbëdhjetë paga minimale. Krahasuar me pensionin rural prej rreth 11 500 lekësh, shifra është afro pesëdhjetëfish. Krahasuar me pensionin mesatar urban, ajo përfaqëson të ardhurat e më shumë se një viti e gjysmë të një pensionisti, të marra brenda një muaji të vetëm. Shifrat e përdorura nga vetë qeveria gjatë prezantimit të buxhetit e vendosnin pensionin rural në rreth 11 500 lekë, ndërsa paga minimale u caktua në 50 mijë lekë nga 1 janari 2026.

Një gjyqtar duhet të paguhet mirë. Puna, përgjegjësia, kufizimet ligjore dhe ekspozimi ndaj presioneve e justifikojnë një trajtim financiar dinjitoz. Pagat e ulëta nuk prodhojnë drejtësi të ndershme dhe as magjistratë të pavarur. Megjithatë, nga ky parim deri te ideja se një korporatë publike mund të përcaktojë vetë formulën, faturën dhe pagesën e saj, ekziston një hendek që nuk mbushet me termin e keqpërdurur “pavarësi”.

Këshilli i Lartë Gjyqësor e caktoi pagën referuese në 222 425 lekë, nga 156 800 lekë, duke i shtuar edhe 14 mijë lekë për nivelin e kualifikimit. Vendimi parashikoi gjithashtu kompensim për rritjen e munguar nga prilli 2023 deri në korrik 2026. Gjykata Kushtetuese, nga ana e saj, kujtoi se vendimi i saj i 17 shkurtit është përfundimtar dhe i detyrueshëm. Ligjërisht, qeveria nuk mund të sillet sikur vendimet kushtetuese janë sugjerime që zbatohen kur i tepron ndonjë lek. Politikisht dhe moralisht, drejtësia nuk mund ta trajtojë buxhetin si një kasafortë pa pronar.

Ironia bëhet edhe më e rëndë kur Edi Rama shfaqet si mbrojtës i pensionistëve dhe rrogëtarëve. Ai pyet me zemërim se si mund të paguhen gjyqtarët me pesë mijë euro në një vend të varfër. Pyetja është e drejtë, por vjen nga njeriu i gabuar. Ishte pikërisht mazhoranca e tij që dyfishoi pagat e politikanëve. Asokohe nuk dëgjuam ligjërata për pensionistin rural, shitësen me pagë minimale apo infermieren që mban turnin e natës. Varfëria e popullit zbulohet nga qeveria vetëm kur dikush tjetër kërkon një copë më të madhe nga torta.

Edhe magjistratët kanë një problem me kredibilitetin. Ata kërkojnë që shoqëria ta lexojë çdo pretendim financiar si garanci të pavarësisë. Mirëpo pavarësia nuk matet vetëm në bordero. Matet me dosjet e pushtetarëve, me shpejtësinë e gjykimeve, me barazinë para ligjit dhe me aftësinë për të mos u përkulur përballë parasë dhe politikës. Një drejtësi që kërkon pagë europiane duhet të japë llogari për standard europian, jo vetëm për formulë europiane.

Kjo nuk është përplasje mes së mirës dhe së keqes. Është përplasje mes dy qendrave të privilegjuara që kërkojnë të dominojnë jetën institucionale dhe sociale të vendit. Politika dëshiron një drejtësi që t’i bindet. Drejtësia kërkon një autonomi financiare që rrezikon të kthehet në papërgjegjshmëri. Të dyja palët përdorin qytetarin si dekor: qeveria për të justifikuar bllokimin e parave, magjistratët për të justifikuar rritjen e tyre.

Zgjidhja nuk është t’ua ulim pagat gjyqtarëve në nivelin e varfërisë dhe as t’i lëmë politikanët të mbajnë çelësat e kasafortës. Pagat më të larta të shtetit duhet të lidhen me një formulë transparente që merr si referencë pagën mesatare dhe atë minimale, jo vetëm rrogën e deputetit. Çdo pagesë, shtesë, kompensim dhe efekt prapaveprues duhet të publikohet. Parlamenti duhet të mbajë përgjegjësinë për faturën, ndërsa gjykatat për kushtetutshmërinë. Asnjë palë nuk duhet të caktojë vetë rrogën dhe pastaj t’i dërgojë urdhrin arkëtarit.

Deri atëherë, qytetari nuk ka asnjë detyrim të zgjedhë skuadër. Nuk ka pse të brohorasë për deputetin me 310 mijë lekë kundër gjyqtarit me 567 mijë, ose për gjyqtarin kundër ministrit me 318 mijë. Ata mund ta vazhdojnë betejën për epërsi, privilegj dhe pushtet.

Nga poshtë, prej pagës minimale dhe pensionit 11 500 lekë, përgjigjja mbetet e njëjtë: Hëngshi kokat tuaja!/Pamfletihëngshi kokat tuaja gjergj zefi Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Editorial Ditë të zeza po vijnë... 12 Shtator 2026, 10:3110:31Editorial Lëvizjet me pikatore dhe të vonuara të Edi Ramës në qeveri 11 Shtator 2026, 12:5112:51Editorial Shqipëria si plaçkë e mbijetesës së Edi Ramës 9 Shtator 2026, 14:3614:36Editorial Si t’ia shpëtojmë jetën Edi Ramës 8 Shtator 2026, 14:5014:50Editorial A jemi lodhur nga demokracia?! 7 Shtator 2026, 16:5816:58Editorial “Shqipëria i rri e vogël Edit tim” 6 Shtator 2026, 15:5115:51Editorial