Lajme Zone
Helidon Haliti: Beni, qyteti dhe urrejtja ndaj pasqyrës
KulturëReport TV
Ky artikull është pjesë e një historie me 5 burime — Krahaso mbulimin →

Helidon Haliti: Beni, qyteti dhe urrejtja ndaj pasqyrës

E lexova Ben Blushin dhe, mes gjithë batutave, ironisë, gomarëve, rakisë, furgonëve dhe aktorëve kosovarë, mendova se pyetja më interesante nuk ishte: Pse janë kaq të shëmtuar filmat e rinj shqiptarë? LEXO edhe...Ben Blushi: Pse janë kaq të shëmtuar filmat e rinj shqiptarë? Por: Pse Beni ka kaq shumë nevojë t’i shëmtojë ata? Sepse një pjesë e asaj që thotë është e vërtetë. Filmi shqiptar ka proble

E lexova Ben Blushin dhe, mes gjithë batutave, ironisë, gomarëve, rakisë, furgonëve dhe aktorëve kosovarë, mendova se pyetja më interesante nuk ishte: Pse janë kaq të shëmtuar filmat e rinj shqiptarë? LEXO edhe...Ben Blushi: Pse janë kaq të shëmtuar filmat e rinj shqiptarë? Por: Pse Beni ka kaq shumë nevojë t’i shëmtojë ata? Sepse një pjesë e asaj që thotë është e vërtetë. Filmi shqiptar ka probleme me skenarin, me ritmin, me dialogun. Ka një lloj zymtësie që përsëritet aq shumë sa rrezikon të kthehet në formulë. Ka edhe një marrëdhënie jo të shëndetshme me fondin, festivalin dhe jurinë, sikur suksesi të matet më shumë me sigurimin e financimit sesa me spektatorin. Deri këtu, Beni ka një pikë. Pastaj fillon diçka tjetër. Në vend që të kritikojë filmin, ai fillon të kritikojë botën që filmi fotografon. E bezdis balta. E bezdis fshati. E bezdis rakia. E bezdis fytyra e rrudhur. E bezdis gruaja pa buzëkuq. E bezdis burri pa kostum. Dhe përballë kësaj bote kërkon qytetin: xhamin, hotelin, makinën e bukur, gruan mbi taka, jetën e natës, luksin, shpejtësinë. Sikur filmi të bëhej i mirë sapo kamera të largohej nga kasollja dhe të hynte në hotel. Por arti nuk është agjenci imobiliare. Nuk është adresa ajo që e bën një film të mirë. Është syri që e sheh atë adresë. Mund të bësh art të madh me një gomar dhe art shumë të keq me një Ferrari. Mund të krijosh një personazh të paharrueshëm në baltë dhe një personazh bosh mes xhamave të një hoteli luksoz. Prandaj problemi nuk është fshati. Problemi është kur fshati bëhet formulë. Njësoj siç do të ishte formulë edhe qyteti po ta mbushnim ekranin me taka, makina, banka, bare dhe njerëz të bukur pa pasur asgjë për të thënë. Por këtu Beni më çon te një paradoks shumë më interesant. Beni flet për qytetin, ndërkohë që shpesh vishet si rural. Dhe kjo nuk është aspak kritikë për mënyrën si vishet. Përkundrazi. Është pikërisht prova se sa interesante është marrëdhënia e qytetit me fshatin. Moda e shtrenjtë sot merr çizmen e bariut, xhaketën e punëtorit, leshin, drurin, trastën, baltën dhe i kthen në luks. Pra qyteti e do fshatin. Por vetëm pasi ia ndryshon çmimin. Ne shqiptarët kemi një marrëdhënie edhe më të çuditshme me të. Ne e duam fshatin kur është modë dhe e urrejmë kur është origjinë. Në fshat duam të dukemi qytetarë. Në qytet duam të dukemi europianë. Kur bëhemi europianë, blejmë rroba që na bëjnë të dukemi si barinj. Në fund nuk dimë më nëse po ikim nga fshati apo po kthehemi tek ai. Dhe këtu më vjen ndër mend babai im, Faslli Haliti. Poezia e tij për mësueset e fshatit më erdhi menjëherë ndër mend duke lexuar Benin. Mësueset, kur vinin nga fshati në qytet, lanin këpucët. Duhej të hiqnin baltën. Sekretarët e partisë bënin të kundërtën. Zbrisnin nga makinat luksoze dhe i ngjyenin këpucët në pellgje që të dukej sikur vinin nga fshati, nga ara, nga populli. Kjo metaforë, për mua, vazhdon të jetë Shqipëria. Vetëm pellgu ka ndryshuar. Sot pellgu mund të jetë moda, Instagrami, politika, festivali apo kinemaja. Por këpucët vazhdojmë t’i lyejmë sipas personazhit që duam të luajmë. Sepse problemi ynë më i madh ndoshta nuk është fshati. Është pasqyra. Ne shqiptarët nuk e duam shumë pasqyrën. Kur jemi të varfër, duam të dukemi të pasur. Kur jemi provincialë, duam të dukemi metropolitanë. Kur arrijmë të bëhemi metropolitanë, fillojmë të romantizojmë provincialen. Kur kemi baltë, e lajmë. Kur nuk kemi, ndonjëherë e kërkojmë për dekor. Dhe pikërisht këtu filmi shqiptar mund të ketë një problem real. Jo sepse tregon fshatin. Por sepse ndonjëherë e përdor atë si kostum. Beni kërkon madhështi në kinema. Edhe unë.Kërkon humor, ritëm, aventurë, erotizëm, personazhe që kanë jetë. Edhe unë. Por madhështia nuk lind nga kostumi. Humori nuk vjen nga trotuari. Erotizmi nuk lind nga një palë taka dhe aventura nuk fillon automatikisht sapo furgoni mbërrin në Tiranë. Arti është më kokëfortë se kaq. Megjithatë, ndërsa e lexoja shkrimin deri në fund, më shqetësoi diçka tjetër. Një zakon i vjetër shqiptar që mund të përmblidhet shumë thjesht: “E bona unë, bohet. S’e bona unë, s’bohet.” Nuk mjafton të ecësh. Duhet që tjetri të mos ecë. Nuk mjafton të jesh përpara. Duhet të mbetesh vetëm. Dhe nganjëherë, duke lexuar Benin, krijohet përshtypja se qëllimi nuk është vetëm që filmi shqiptar të bëhet më i mirë. Sikur duhet të pastrohet e gjithë skena. Të ikin regjisorët. Të ikin aktorët. Të ikin kosovarët. Të ikin fshatarët. Të ikin mushkat, pulat, rakia, cigaret pa filtër dhe Qendra e Filmit. Dhe pasi të jenë larguar të gjithë, në skenë të ketë mbetur vetëm një njeri. Beni. Por kultura nuk rritet duke e zbrazur skenën. Kultura rritet duke e mbushur. Me filma të mirë dhe të këqij. Me shkrimtarë që na pëlqejnë dhe të tjerë që na acarojnë. Me piktorë të mirë dhe të dobët. Me fshat dhe qytet. Me luks dhe baltë. Me njerëz të bukur dhe të shëmtuar. Me gra mbi taka dhe gra me çizme. Sepse arti nuk ka detyrë të na bëjë të bukur. Ka detyrë të na bëjë të dukshëm. Në këtë kuptim, po, Beni ka të drejtë kur kërkon që filmi shqiptar të ndryshojë. Por ndryshimi nuk vjen duke dëbuar fshatin nga ekrani. Duhet dëbuar formula. Nuk na duhen më shumë makina të shtrenjta. Na duhet më shumë jetë. Nuk na duhen medoemos aktorë më të bukur. Na duhen personazhe që mbeten në kujtesë.Nuk kemi nevojë ta zëvendësojmë baltën me xham. Kemi nevojë të mësojmë ta shohim Shqipërinë pa kompleks. Të mos e zbukurojmë. Të mos e shëmtojmë. Ta shohim. Ashtu siç është. Pa kompleksin e fshatit dhe pa makijazhin e qytetit, pa baltën e vendosur qëllimisht mbi këpucë dhe pa këpucët e lara me ngut për të fshehur nga vijmë. Sepse në fund problemi nuk është nëse jemi qytetarë apo fshatarë. Problemi është kur turbullojmë ujin që të mos na duket fundi. Dhe siç thotë poeti Faslli Haliti në poezinë “Pellgu”: “Pse rri i turbullt ti, pellg? Të fsheh fundin, të dukem i thellë!” Ndoshta këtu fillon dhe mbaron e gjithë historia. Jo vetëm e kinemasë sonë. Por edhe e jona. Xh.K/ReportTv.al ben blushi helidon haliti Komento Komente Sondazhi i ditës: Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë? Qeverisë 80.1% Magjistratëve 14.3% Nuk e di 5.7% Vota total: 778 Sondazhi i ditës: Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë?