Deputeti socialist Ulsi Manja ka reaguar pas votimit të reformës territoriale në Kuvend, duke vënë theksin te uniteti i Partisë Socialiste dhe mbështetja që mori nisma me 85 vota. Në një postim në rrjetet sociale, Manja u shpreh se rezultati i votimit tregoi se socialistët qëndruan të bashkuar, pavarësisht dallimeve të brendshme lidhur me mënyrën dhe thellësinë e reformës.
Ai theksoi se debati brenda PS-së nuk duhet parë si shenjë dobësie, por si pjesë e diskutimit politik në parti.
Manja bëri të ditur gjithashtu se qëndrimi i tij personal ka qenë në favor të një ndarjeje territoriale me 36 bashki, duke ruajtur standardin për bashkitë minoritare.
Duke komentuar reagimet e opozitës, deputeti socialist pretendoi se ajo kishte shpresuar për përçarje në radhët e shumicës, por kjo nuk u reflektua në rezultatin e votimit.
Ai kritikoi gjithashtu protestën e thirrur nga Sali Berisha, duke deklaruar se nuk arriti objektivin e synuar.
Postimi i Manjajt:
85 vota dhe një zhgënjim i madh për oborrin opozitar!
Sot kam ndjekur gjatë gjithë ditës reagimet e oborrit opozitar. Dhe kur them oborr opozitar, kam parasysh të gjithë ata që janë kundër qeverisë dhe shumicës socialiste, me apo pa parti.
Janë të zhgënjyer! Jo sepse Shqipëria do të ketë 46 bashki nga 61 që ka sot. Për këtë, në fakt, as që u bëhet vonë! Janë të zhgënjyer sepse socialistët e Edi Ramës nuk u përçanë, por qëndruan “grusht bashkuar” rreth Partisë Socialiste, siç thonë ata vetë, në përpjekje për t’u justifikuar përpara mbështetësve të tyre, të cilët prej 13 vitesh i mbajnë me gajret me të njëjtin refren: “Po ikën Rama! Hë sot, hë nesër!”
Na vjen keq që ju zhgënjyem, por kjo tregon se nuk e njihni fare PS-në dhe socialistët!
Dallimet e brendshme me dy kolegët tanë, siç e kanë shpjeguar edhe vetë, lidheshin me procesin dhe thellësinë e Reformës Territoriale 2.0, por jo me domosdoshmërinë e saj. Siç edhe unë vetë e kam deklaruar publikisht në komision dhe në Parlament, jam për 36 bashki, duke ruajtur standardin tashmë të vendosur për bashkitë minoritare. Sepse në PS debati nuk është dobësi, por forcë. Dhe uniteti nuk e përjashton mendimin ndryshe!
Sa mjerane të mendosh se Sali Berisha, pasi luajti mbrëmë të gjithë gurët e diversionit politik, nga vënia në sedër e deputetëve socialistë, te sulmet ndaj biznesit të ndershëm të kolegut Vullnet Sinaj, e deri te instrumentalizimi i identitetit historik e kulturor të bashkive që bashkohen, në fund dështoi!
Tani përpiqet ta justifikojë dështimin me përrallën e radhës për gjoja kërcënimet e Ramës ndaj deputetëve socialistë.
Por Berisha nuk dështoi vetëm brenda sallës së Kuvendit. Dështimin më të madh politik e pësoi jashtë saj! Protesta që kishte thirrur për të rrethuar Parlamentin nuk arriti atë që ai synonte. Dhe kjo është disfata e tij e vërtetë politike!
Dy herë i dëshpëruar: nga uniteti i socialistëve brenda Kuvendit dhe nga mungesa e mbështetjes që priste jashtë tij!
Kjo tregon sa sipërfaqësisht e njeh ai Partinë Socialiste, kohezionin e saj politik dhe shoqëror. PS është parti e shqiptarëve, jo parti e sajuar me copa rrugës!
Keqardhje edhe për ata që mbrëmë fërkonin duart, duke rendur nga një studio televizive në tjetrën, me shpresën se PS nuk i kishte 84 votat!
Por tabela elektronike e Kuvendit shënoi 85 VOTA!
Dhe, me mënyrën se si po përzihet vatha e opozitës, mos u çudisni nëse një ditë bëhemi 87 apo edhe 90! Edhe pse, për të qenë të qartë, nuk na duhen!
Na vjen keq, por nuk ju ndihmojmë dot! As opozitën, as oborrtarët e saj dhe as ata që kishin varur shpresat te përçarja e socialistëve!
Partia Socialiste di të debatojë, di të vendosë dhe, mbi të gjitha, di të qëndrojë e bashkuar kur bëhet fjalë për interesin e vendit!
Reformat që kemi premtuar nuk i lëmë në mes. Nuk i kemi lënë dje dhe nuk do t’i lëmë as nesër!
Këta jemi ne. Kjo është PS! Top Channel

