Ish-deputetja e Partisë Socialiste, Marjana Koçeku, ka reaguar lidhur me diskutimet për hapjen e konsullatës serbe në qytetin e Shkodrës, duke e cilësuar këtë iniciativë si një akt të papranueshëm. Përmes një reagimi, Koçeku ka bërë me dije se ditën e diel në Shkodër do të organizohet një protestë kundër këtij vendimi, ndërsa akuzoi institucionet shqiptare për sqarime të turbullta dhe përpjekje për ta kaluar çështjen në heshtje. Sipas saj, hapja e një konsullate serbe në veriun e Shqipërisë është një vendim që “nuk kalon lehtë” dhe që shkel ndjeshmërinë kombëtare. “Para dy ditësh filluen gërmimet në Zubin Potok për gjetjen e trupave të viktimave të luftës së Kosovës. Dyshohet për nji varrezë masive me 23 intelektualë të vramë nga forcat serbe, ndërsa deri më tash janë gjetë trupat e 6 prej tyne. Dje, gjatë bastisjeve, u gjet edhe armatim, si dhe u arrestue nji person që kishte qenë anëtar i Armatës Jugosllave. Ndërkohë që po ndodhin të gjitha këto, shteti shqiptar flet për hapjen e konsullatës serbe në Shkodër. Po çfarë konsullate more?! Deri më sot për këtë çështje ka vetëm sqarime të turbullta nga institucionet shqiptare, pra përpjekje me mos me sqaru hiç. Flitet për parime diplomacie, marrëdhanie bilaterale, përfitime ekonomike por harrojnë ma të randësishmen: realitetin e nji populli të masakruem. Të dielën pritet të nisin protestat në Shkodër kundër hapjes së konsullatës serbe. Kjo nuk asht nji punë që kalon lehtë. Ndërkohë që shteti shqiptar flet për konsullatë e fqinjësi të mirë me Serbinë, në Kosovë vazhdojnë të gjenden varre masive trupash të vramë edhe tash mbas 25 e kusur vitesh”, ka shkruar Koçeku.
