Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj vendimit për hapjen e konsullatës së Serbisë në Shkodër, duke e cilësuar këtë zhvillim si një tjetër dëshmi të marrëdhënieve të ngushta mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç.
Berisha akuzoi Ramën se pas takimeve me Vuçiç-in është sjellë si argat i presidentit serb dhe se ka zbatuar porosi të Beogradit.
Në vijim, Berisha e lidhi qëndrimin e tij me zhvillimet e fundit në raportet Shqipëri-Serbi dhe me hapjen e konsullatës serbe në Shkodër.
Sipas tij, në një kohë kur kishte reagime kritike nga vende dhe institucione europiane ndaj deklaratave të një zyrtareje serbe, Tirana zyrtare nuk pati një dënim të ngjashëm.
Ai e konsideroi hapjen e konsullatës një vendim që, sipas tij, bie ndesh me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore, duke pretenduar se kushtet për hapjen e saj nuk janë përmbushur. “Një dëshmi tjetër flagrante se si Edi Rama sillet tërësisht si një argat i Vuçiç-it. Po të marrësh Milaim dhe të analizosh raportet e tij me Vuçiç-in mund të vësh shumë etiketa. Në fakt, dua t'ua them shqiptarëve t'ua rikujtoj se takimi vetëm për vetëm në Beograd, nuk ka qenë vetëm për vetëm. Ka qenë Danjolli i Sherkos, ka qenë Baton Haxhia.
Se pse do ishte agjenti personal i Stanishiçit në takimin e quajtur me katër sy, atë e dinë Vuçiç-i dhe Edi Rama. Po unë nuk hyj në hipoteza që s'i faktoj dot, por them me përgjegjësi të plotë se Edi Rama pas atij takimi është sjellë si argat, në kuptimin që ka zbatuar çdo porosi të Aleksandër Vuçiç-it. Dhe në qoftë se po marrim këtë zhvillimet e fundit, deklarata e monstrës ministre, s'i njoh, Zvezhanka Paunoviç a si quhet, e dënoi mbarë Europën, u dënua nga Ministria e Jashtme e Britanisë së Madhe, u dënua nga Komisioni Europian.
Tirana qeveritare dhe zyrtare asnjë dënim, asnjë dënim. Përkundrazi, në një akt, si të thuash karshillëku ndaj shqiptarëve, ndaj kombit, shpallën rikthimin pas 70 e sa vitesh të konsullatës serbe në Shkodër, konsullatë të cilën e mbylli Enver Hoxha pas lufte me urdhër të Beogradit. Pra, është një akt që bie në kundërshtim flagrant, absolutisht flagrant, me Konventën e Vjenës për konsullatat. Në asnjë pikë të nenit të kësaj konvente që i referohet hapjes së konsullatave, nuk plotësohet në rastin e Shkodrës, përveç vasaliteti i Edi Ramës ndaj Aleksandër Vuçiç-it”, tha Berisha./CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

