Foto ilustruese/ Pas armëve dhe përleshjes në hotelin e Vasil Bedinajt qëndron një sipërfaqe prej mbi 300 mijë metrash katrorë pranë kompleksit “Delta”. Toka ishte pronë shtetërore, ndërsa disa AMTP të falsifikuara e kthyen në pasuri private dhe e futën në një projekt ndërtimi. Ergys Agasi garantoi marrëveshjen, kurse Lorena Goxhobelli i dha grabitjes vulën e Kadastrës. Arrestimi i Agasit prishi ekuilibrat dhe nxori në shesh përplasjen për pronën.
Përplasja e armatosur në hotelin “Regina Palm” iu servir publikut si një histori gjobëvënieje. Sipas versionit të Policisë, Luan Muça shkoi me një grup personash te Vasil Bedinaj, i kërkoi 5 milionë euro dhe i la 48 orë kohë për t’u larguar nga Shqipëria.
Ky shpjegim e mban vëmendjen te skena e fundit: njerëzit e armatosur, përleshja, makinat që u larguan me shpejtësi dhe arrestimet. Historia e vërtetë fillon shumë më herët, në zyrat e Kadastrës, mbi hartat e Palasës dhe në dosjet ku një tokë shtetërore u pajis me pronarë privatë.
Në qendër të konfliktit ndodhet një sipërfaqe prej më shumë se 300 mijë metrash katrorë, pranë kompleksit “Delta”. Toka gjendet ngjitur me pronën ku Luan Muça kishte siguruar kontratën për zhvillimin e projektit të tij. Janë dy sipërfaqe të ndryshme, të vendosura në kufi me njëra-tjetrën.
Roli i Muçës ishte ai i zhvilluesit të kompleksit “Delta”. Ai kishte siguruar kontratën për pronën e projektit dhe kishte nisur procedurat për realizimin e investimit. Sipërfaqja ngjitur njihej si pasuri shtetërore. Përfshirja e saj në zhvillim kërkonte një marrëveshje të posaçme me institucionet, së bashku me përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe financiare ndaj shtetit.
Kompania kishte nisur bisedimet me institucionet për këtë procedurë. Toka do të mbetej pasuri e shtetit dhe përdorimi i saj do të rregullohej përmes një kontrate. Ky proces do t’i sillte të ardhura shtetit dhe do ta mbante pronën nën kontrollin publik.
Gjatë kësaj periudhe, mbi sipërfaqen shtetërore u shfaqën disa akte të marrjes së tokës në pronësi. AMTP-të ishin të falsifikuara. Mbi bazën e tyre u kryen regjistrimet në Kadastër dhe u lëshuan certifikata pronësie në favor të privatëve.
Qindra mijëra metra katrorë në një nga zonat më të shtrenjta të bregdetit shqiptar ndërruan status me disa veprime administrative. Prona e shtetit mori emra pronarësh, numra pasurie dhe kartela të reja. Vlera e saj u shumëfishua sapo letra e Kadastrës e ktheu nga tokë shtetërore në truall privat ndërtimi.
Një skemë e tillë kërkonte bashkëpunim në çdo hallkë. AMTP-ja duhej pranuar. Origjina e saj duhej kaluar pa kontroll. Koordinatat duheshin hedhur në hartë. Kartela e pasurisë duhej hapur dhe certifikata duhej firmosur. Të gjitha rrugët çonin në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.
Në krye të këtij institucioni qëndronte Lorena Goxhobelli, mikesha dhe e besuara e Ergys Agasit. Ajo drejtonte zyrën që kishte në dorë fatin juridik të sipërfaqes. Kadastra mund të kontrollonte dokumentet, të krahasonte hartat, të verifikonte kufijtë dhe të mbronte pronën shtetërore. Nën drejtimin e Goxhobellit ndodhi e kundërta: dokumentet e falsifikuara u kthyen në tituj pronësie.
Goxhobelli i dha formë zyrtare një grabitjeje të kryer me letra. AMTP-të kaluan nëpër zyrat e saj, toka u regjistrua dhe pronarët e rinj morën certifikatat që u hapën rrugën drejt lejes së ndërtimit. Çdo veprim mbante autoritetin e shtetit, megjithëse përfitimi shkonte te privatët.
Ergys Agasi mbante në dorë anën tjetër të aferës. Ai jepte garancinë se marrëveshja do të zbatohej, se Kadastra do të bindej dhe se pengesat do të hiqeshin. Emri i tij mungonte në AMTP dhe në kartelën e pasurisë, pasi pushteti i vërtetë ushtrohej përmes njerëzve të vendosur në zyrat shtetërore.
Gysi jepte fjalën. Lorena jepte certifikatën.
Kjo ishte ndarja e punëve mes tyre. Agasi administronte interesat, caktonte kufijtë dhe mbante nën kontroll personat e përfshirë. Goxhobelli kujdesej për regjistrimin, hartat dhe mbulesën zyrtare. Fuqia e Agasit mbi Kadastër kalonte përmes saj.
Prona shtetërore u kthye kështu në mall për grupin. Një AMTP e falsifikuar prodhonte certifikatë, certifikata sillte lejen dhe leja shumëfishonte vlerën e tokës. Pasuria e përbashkët përfnte në themelet e një kompleksi privat, ndërsa dokumentet krijonin pamjen e një procedure të rregullt.
Pas regjistrimit, sipërfaqja ngjitur me kompleksin e “Deltës” u përfshi në projektin e lidhur me Vasil Bedinajn. Në rendin e ditës së Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, më 17 tetor 2025, u paraqit leja e ndërtimit për një kompleks turistik në Palasë, me zhvillues “Regina Group”. Projekti parashikonte godina deri në katër kate, rezidenca, hoteleri, pishina dhe mur rrethues.
Toka shtetërore kishte kaluar tashmë nëpër të gjitha fazat e tjetërsimit. AMTP-ja e rreme i dha pronarin, Kadastra i dha certifikatën dhe projekti i ndërtimit i dha vlerën prej dhjetëra milionë eurosh. Pas kësaj skeme qëndronin garancitë e Agasit dhe veprimet e Goxhobellit.
Për sa kohë Agasi ishte i lirë, marrëveshja mbahej në këmbë. Ai njihte interesat e secilit dhe përcaktonte deri ku mund të shtrihej çdo palë. Personat e përfshirë kishin një ndërmjetës me pushtet mbi institucionet dhe një garanci se dokumentet e prodhuara nga Kadastra do të mbroheshin.
Arrestimi i Agasit e hoqi këtë garanci brenda natës. Jashtë mbetën toka, certifikatat, projektet dhe njerëzit që kishin mbështetur llogaritë e tyre te fjala e tij. Secili nisi të ruante interesin e vet, ndërsa marrëveshjet e dikurshme humbën vlerën.
Gysi hyri në burg dhe la litarin jashtë.
Vasil Bedinaj ishte paralajmëruar disa herë të pezullonte punimet në sipërfaqen me status juridik të kontestuar. Ndërhyrjet në terren preknin drejtpërdrejt zonën pranë kompleksit “Delta” dhe cenonin projektin për të cilin Luan Muça kishte siguruar kontratën e zhvillimit.
Bedinaj vijoi punimet, i mbështetur te certifikatat e nxjerra nga Kadastra dhe te garancitë e marra më parë. Çdo ndërtim i ri e forconte zotërimin faktik të tokës dhe e bënte më të vështirë kthimin e saj te shteti. Njëkohësisht, përparimi i projektit të tij shtonte dëmin ndaj zhvillimit fqinj të “Deltës”.
Konflikti mbërriti më pas në tavolinën e hotelit “Regina Palm”. Shuma prej 5 milionë eurosh lidhej me llogaritë e pronës, dëmin ekonomik dhe interesat e krijuara rreth saj. Etiketa e gjobëvënies e shkëput shumën nga toka që e prodhoi dhe nga pazari që e kishte mbajtur të fshehur për vite.
Luan Muça u përfshi në konflikt si zhvilluesi i projektit fqinj, i dëmtuar nga regjistrimi dhe shfrytëzimi i sipërfaqes shtetërore. Ai kishte siguruar kontratën për kompleksin “Delta” dhe po përballej me një pronë ngjitur që kishte ndërruar status përmes AMTP-ve të falsifikuara.
Arrestimi i njerëzve që nxorën armët zgjidh vetëm pjesën e dukshme të çështjes. Dosja e pronës gjendet te regjistrimi fillestar, kartelat, AMTP-të, hartat dhe ndryshimet e koordinatave. Aty janë emrat e personave që e kthyen tokën shtetërore në pasuri private.
Hetuesit duhet të përcaktojnë institucionin që administronte sipërfaqen, datën kur u paraqitën AMTP-të, personat në emër të të cilëve u lëshuan dhe punonjësit që i pranuan. Krahasimi i hartave të vjetra me koordinatat e regjistruara më pas do të tregojë mënyrën si u zhvendos prona dhe si u fut brenda gjurmës së projektit.
Lorena Goxhobelli duhet të japë llogari për çdo veprim të kryer në Kadastër. Ajo duhet të shpjegojë pranimin e AMTP-ve të falsifikuara, hapjen e kartelave, ndryshimin e statusit dhe lëshimin e certifikatave. Sistemi ruan datën, orën dhe përdoruesin që ka prekur dosjen. Arkivi ruan urdhrat dhe shkresat që shoqëruan regjistrimin.
Përgjegjësia e Goxhobellit shkon përtej një firme. Ajo vendosi Kadastrën në shërbim të Ergys Agasit dhe u dha fuqi shtetërore pazareve të tij. Nën drejtimin e saj, dokumenti i falsifikuar fitoi më shumë peshë se inventari i pronave publike.
Agasi duhet të përgjigjet për garancitë e dhëna, ndikimin mbi drejtuesen e Kadastrës dhe marrëveshjet mes personave që përfituan nga tjetërsimi. Përplasja në Vlorë zbuloi peshën që ai kishte në këtë skemë. Sapo u hoq nga loja, gjithë ndërtesa e ngritur mbi fjalën e tij filloi të çahej.
Policia po merret me njerëzit që u përleshën për pasojat. Prokuroria duhet të shkojë te njerëzit që krijuan shkakun.
Prona shtetërore u grabit me AMTP të falsifikuara. Ergys Agasi garantoi kalimin e saj në duar private. Lorena Goxhobelli përdori Kadastrën për t’i dhënë grabitjes pamjen e ligjshmërisë. Përplasja mes Muçës dhe Bedinajt ishte fatura që doli në sipërfaqe pasi u prish marrëveshja.
Gysi hyri në burg. Litarin e la jashtë, të lidhur te dera e Lorena Goxhobellit. /Pamfleti
© Copyright Pamfleti
Ky artikull është material ekskluziv i Pamfleti dhe mbrohet nga e drejta e autorit, në përputhje me Ligjin Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Ripublikimi i plotë ose i pjesshëm i këtij shkrimi nga media të tjera lejohet vetëm duke cituar qartësisht Pamfleti si burim dhe duke vendosur në fund të materialit linkun e artikullit origjinal.
Çdo përdorim, kopjim apo ripublikim pa respektuar këto kushte përbën shkelje të së drejtës së autorit dhe mund të sjellë përgjegjësi ligjore sipas legjislacionit në fuqi.lorena goxhobelli ergys agasi përplasjen në vlorë Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Anti-Mafia Dosja e Gjuhadolit: Ekspertiza false dhe presioni i Blendi Gonxhes mbi specialistët që mbrojtën veprën e Idromenos 2 Shtator 2026, 15:2115:21Anti-Mafia Si e dorëzoi Edi Rama në SPAK Ergys Agasin e AKSH-it, dhe pse e mban fort Engjëll Agaçin e klanit “Aruba” 1 Shtator 2026, 13:1413:14Anti-Mafia Dokumenti/ Drejtoresha Eni Vasili i kërkon qeverisë nga plazhi, 19.5 milionë euro shtesë fondi për RTSH-në 1 Shtator 2026, 11:3611:36Anti-Mafia Dosja e Mario Berberit në Kapshticë: kompanitë me prestanome, kontrabanda dhe lidhja me kreun e doganës, Dritan Çekani 31 Gusht 2026, 13:3313:33Anti-Mafia Nga pallati i shembur natën te kulla 16 kate/ I hapet rruga PAGA VILLAGE; kush është Genci Osmënaj dhe beteja për truallin te “Petro Nini”? 30 Gusht 2026, 13:5413:54Anti-Mafia Çfarë e lidh ish-nr. 2 të Hipotekës, sot biznesmen kullash, me dhunuesit e avokatit Sokol Mëngjesi? 30 Gusht 2026, 11:2111:21Anti-Mafia

