Paolo Maldini ka rrëfyer në detaje prapaskenat e aventurës së tij shumë të shkurtër si drejtor teknik i Kombëtares së Italisë. Në një intervistë për Corriere della Sera, ish-legjenda e Milanit dhe e “Azzurrëve” ka folur për marrëdhënien e tij me presidentin e ri të Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), Giovanni Malagò, zgjedhjen e trajnerit, kandidaturën e Andrea Pirlos, kontaktet me Carlo Ancelottin dhe takimin me Pep Guardiolën.
Maldini, i cili qëndroi vetëm 16 ditë në detyrën e drejtorit teknik, dha dorëheqjen pas mosmarrëveshjeve me drejtuesit e rinj të federatës. Sipas tij, arsyeja kryesore ishte ndryshimi i marrëveshjeve fillestare dhe, mbi të gjitha, ndryshimi i mënyrës së zgjedhjes së trajnerit.
Maldini e nis rrëfimin duke sqaruar se nuk kishte asnjë interes personal për të mbajtur postin.
“Unë nuk jam i lidhur me pozicionin. Ndihem shumë i lirë në zgjedhjet e mia. Falë Zotit, nuk kam nevoja financiare. Ajo që më shtyn të pranoj një rol është mundësia për ta realizuar dhe për të dhënë kontributin tim”, shprehet ai.
Sipas Maldinit, ai e kishte pranuar propozimin e Malagòs sepse në futboll kishte vetëm dy prioritete: Milanin dhe Kombëtaren e Italisë.
Ai tregon se Malagò e kishte kontaktuar që në periudhën e Pashkëve, duke i thënë se mund të kandidonte për president të FIGC-së dhe se dëshironte ta kishte Maldinin në krah.
“Unë i dhashë gatishmërinë time. Pastaj nuk dëgjova më prej tij. Një ditë para zgjedhjeve më telefonoi përsëri dhe më tha: ‘Nesër votojmë, ka shumë mundësi që të fitoj dhe do të doja të ishe pjesë e projektit’. I thashë: të flasim.”
Sipas Maldinit, propozimi ishte shumë më i gjerë sesa thjesht rindërtimi i Kombëtares.
“Malagò më kërkoi të bëhesha president i Club Italia. Nuk bëhej fjalë vetëm për rilançimin e Kombëtares, por për rindërtimin e futbollit italian.”
Ish-mbrojtësi i Milanit tregon se një nga pikat kryesore të marrëveshjes ishte mënyra e zgjedhjes së trajnerit.
“Gjëja e parë që e pyeta ishte: kush e zgjedh trajnerin? Malagò më tha: ‘Ti vendos trajnerin dhe unë e miratoj’. Kjo ishte marrëveshja. Më pas ngjarjet bënë që ajo të ndryshonte.”
Sipas Maldinit, pikërisht ndryshimi i kësaj marrëveshjeje çoi në prishjen e bashkëpunimit.
“Kur marrëveshjet u ndryshuan, e vetmja gjë që mund të bëja ishte të jepja dorëheqjen. Ose, më saktë, të refuzoja të firmosja kontratën katërvjeçare që duhej të niste më 1 gusht.”
Në këtë projekt Maldini kishte bashkëpunuar edhe me Leonardo, i cili ishte parashikuar si këshilltar i Kombëtares dhe gjithashtu dha dorëheqjen.
“Me Leon e ndaj miqësinë, vlerat dhe parimet. Ka aftësi të mëdha organizative dhe kemi një mirëkuptim shumë të mirë. Nisëm të punonim bashkë dhe menduam për një rol të ri: drejtimin teknik.”
Maldini shpjegon se drejtori teknik do të kishte shërbyer si një hallkë mes trajnerit dhe drejtuesve të federatës.
“Drejtimi teknik nuk kishte ekzistuar më parë në organigramën e Kombëtares. Trajneri raportonte drejtpërdrejt te presidenti. Por kjo nuk ishte e drejtë. Trajneri duhet të ketë dikë me të cilin konsultohet.”
Ish-drejtori i Milanit kishte përgatitur një projekt afatgjatë për futbollin italian, të ndarë në dy drejtime.
“Rindërtimi i futbollit italian kërkon kohë. Zhvillimi i talenteve të rinj dhe krijimi i një mentaliteti të ri është një proces i gjatë.”
Sipas tij, duhej krijuar një lëvizje e re që të përfshinte të gjitha nivelet e futbollit: Serie A, Serie B, Serie C, futbollin amator, trajnerët, lojtarët dhe arbitrat. Por, paralelisht, duhej menduar edhe për rezultatet e menjëhershme.
“Kishte edhe një tren tjetër që duhej të ecte shumë më shpejt, sepse në më pak se dy muaj do të luanim kundër Belgjikës, Turqisë dhe Francës në Nations League. Duhej të përgatiteshim për të nesërmen dhe të performonim mirë sot. Duhej të fillonim përsëri të fitonim.”
Maldini shpjegon edhe arsyen pse zgjedhja e tij kishte rënë mbi Andrea Pirlo.
“Projekti ynë lidhej me teknikën, lojën sulmuese dhe ndryshimin. Në Itali kemi mbetur prapa në shumë aspekte. Donim që zhvillimi i lojtarëve të rinj të mos bazohej te ekzagjerimi taktik, por te teknika, duelet një kundër një dhe mentaliteti ofensiv.”
Tre emrat e parë ishin Andrea Pirlo, Daniele De Rossi dhe Fabio Grosso. Të tre janë kampionë bote me Italinë.
Por, sipas Maldinit, një marrëveshje e lidhur me zgjedhjen e Malagòs e bëri të pamundur kontaktimin e trajnerëve që drejtonin ekipe të Serie A-së.
“Presidenti na tha se, bazuar në marrëveshjet që kishin çuar në zgjedhjen e tij dhe me mbështetjen e të gjitha klubeve, përveç Lazios, nuk mund të kontaktonim trajnerët e Serie A-së. Kështu De Rossi dhe Grosso u përjashtuan.”
Më pas, sipas tij, projekti vijoi me Pirlon.
Maldini zbulon se një nga kontaktet e para ishte me Carlo Ancelottin.
“Bëmë një telefonatë me trajnerin më të mirë italian të të gjitha kohërave, mikun tim të ngushtë Carlo Ancelotti. Ai na tha se Brazili i kishte konfirmuar besimin e plotë dhe na uroi fat. Ishte një telefonatë që duhej bërë.”
Por historia më interesante ishte ajo me Pep Guardiolën.
Sipas Maldinit, ish-trajneri i Manchester Cityt ishte realisht një kandidat për stolin e Italisë.
“Guardiola është trajneri që mishëron më së miri lojën teknike dhe sulmuese. Përmes disa miqve, ai kishte shprehur idenë se dëshironte të drejtonte një Kombëtare.”
Maldini tregon se ai dhe bashkëpunëtorët e tij udhëtuan në Barcelonë për t’u takuar me Guardiolën.
“Shkuam ta takonim në Barcelonë. Hëngrëm drekë bashkë dhe folëm gjatë gjithë ditës. Ai ishte shumë i tunduar. Ishte shumë pranë pranimit. Madje filloi të shkruante formacionet në letër.”
Maldini mohon se paratë ishin problemi kryesor.
“20 milionë eurot për të cilat u fol nuk ishin kurrë çështja. Pep na tha qartë: ‘Më jepni një euro më pak se trajneri i fundit dhe jam në rregull’.”
Në fund, Guardiola vendosi të mos e pranonte ofertën.
“Tha jo për shkak të lodhjes. Vinte nga dhjetë vite shumë të vështira në Premier League. Kishte bërë edhe një ndërhyrje kirurgjikale në shpinë dhe dëshironte të pushonte.”
Maldini thekson se bisedimet kishin qenë serioze dhe se ishte diskutuar edhe për strukturën e të gjithë futbollit italian, nga ekipet e moshave deri te Kombëtarja A.
“Studionim skuadrat, nga U17 e lart. Malagò dinte gjithçka. E informonim hap pas hapi.”
Për kritikat se Pirlo nuk kishte një CV të mjaftueshme si trajner për të drejtuar Italinë, Maldini ka një përgjigje të qartë.
“Kjo është një opinion personal. Ne donim një trajner të ri që të përqafonte projektin dhe që kishte pasur një karrierë të nivelit të lartë si lojtar.”
Ai shton: “Teknikisht, kur flas me Pirlon, e gjej jashtëzakonisht të përgatitur. I shoqëruar dhe i mbështetur nga një drejtor teknik dhe një këshilltar, ai do të kishte qenë trajneri ideal.”
Maldini sjell si shembull edhe trajnerët që fituan dy Kupat e Botës së fundit.
“Cilat ishin CV-të e dy trajnerëve të fundit që fituan Botërorin, Scaloni dhe De la Fuente? Nëse gjithçka lidhet me trajnerin në stol, shikon vetëm të sotmen dhe kurrë të nesërmen. Ndërkohë, ne vijmë pas tri kualifikimesh të dështuara.”
Një nga temat më të debatueshme ishte lidhja e Pirlos me një kompani ruse bastesh. Maldini pranon se kjo çështje ndikoi në vendimmarrje, por mohon se ekzistonte ndonjë pengesë ligjore që e ndalonte Pirlon të bëhej trajner i Italisë.
“Kjo sigurisht luajti një rol. Ne nuk ishim në dijeni. Opinioni publik bëri punën e vet. Por ligjërisht nuk kishte asgjë që mund ta pengonte Andrean të bëhej trajner i Kombëtares.”
“Do të thosha po. U shfrytëzua në mënyrë absolutisht të ekzagjeruar. Pirlo ishte i gatshëm të ndërpriste lidhjet me kompaninë ruse të basteve. Është një njeri shumë korrekt dhe nuk e meritonte gjithë atë zhurmë.”
Sipas Maldinit, u përmendën edhe kodi etik dhe disa rregulla të tjera, por nëse ekzistonte vërtet dëshira për ta emëruar Pirlon, nuk do të kishte pengesa ligjore.
Një tjetër temë ishte pretendimi për një konflikt interesi të lidhur me djemtë e Maldinit dhe Pirlos, Christian Maldini dhe Nicolò Pirlo, të cilët kishin nisur të punonin në fushën e menaxhimit të futbollistëve.
“Askujt nuk i interesoi ta përmendte faktin se ai rregull ishte hequr në vitin 2019. Edhe një herë, ligjërisht nuk kishte asgjë që i pengonte djemtë tanë të bëheshin agjentë.”
Maldini shton se sot Christian Maldini punon si skaut.
“Asgjë nuk më pengonte mua të isha drejtor teknik i Kombëtares dhe Pirlo të ishte trajner. Nëse do të ishte provuar një papajtueshmëri reale mes rolit tim dhe profesionit të djalit tim, do të isha dorëhequr menjëherë.”
Sipas Maldinit, momenti vendimtar erdhi kur Malagò e njoftoi atë dhe Leonardon se mënyra e zgjedhjes së trajnerit do të ndryshonte.
“Malagò telefonoi Leonardon dhe mua dhe tha: ‘Sipas mendimit tim, Pirlo nuk mund të merret më. Nga sot trajnerin e vendos unë. Nga sot ndryshojnë rregullat: unë zgjedh trajnerin dhe ju e miratoni’.”
Për Maldinin, kjo ishte e papranueshme.
“Nëse kam një detyrë, nëse kam një përgjegjësi dhe dua ta ushtroj atë, kjo është një propozim i papranueshëm.”
Pas 24 orësh, ai dhe Leonardo dorëzuan dorëheqjet, edhe pse kontrata e tyre nuk kishte nisur ende zyrtarisht.
“Nuk e di nëse kjo quhet të jesh i pakompromis ose arrogant. Unë jam mësuar me një mënyrë tjetër pune. Kushtet e besimit nuk ekzistonin më për të realizuar një punë që është e jashtëzakonshme, por në të njëjtën kohë emocionuese.”
Ish-kapiteni i Milanit mendon se futbollit italian i duhet një periudhë e gjatë për t’u rikthyer në majat e Europës.
“Rindërtimi kërkon tetë deri në dhjetë vite.”
Ai pranon se kjo pikë kishte hasur skepticizëm në Ligën e Serie A-së, por sipas tij afati bazohej në eksperiencat e vendeve të tjera që kanë kaluar procese të ngjashme.
“Ky është i vetmi aspekt ku gjeta njëfarë skepticizmi. Por ky ishte afati që kishim vlerësuar duke parë eksperiencën jo vetëm të fuqive të mëdha si Anglia, Franca dhe Spanja, por edhe të vendeve të tjera që kanë rindërtuar futbollin e tyre, si Zvicra.”
Maldini pranon se rezultatet e menjëhershme mbeten të domosdoshme.
“Botërori i ardhshëm është pas katër vitesh, Europiani pas dy vitesh. E di shumë mirë se, nëse nuk do të ishim kualifikuar, do të ishim jashtë. Ndoshta nuk është e drejtë, por kështu është. Duhet të fitojmë menjëherë. Por duhet të përgatitemi edhe për të ardhmen.”
Në intervistë, Maldini ka folur edhe për problemet strukturore të futbollit italian.
Sipas tij, Italia nuk po prodhon më mjaftueshëm lojtarë të talentuar.
“Teknikisht, jemi një vend që nuk prodhon më lojtarë të talentuar. Diçka është sistematikisht e gabuar.”
Ai kritikon edhe mënyrën se si punohet me të rinjtë.
“Djemtë e mi e kanë parë këtë te akademitë e Milanit: gjithçka lidhet me taktikat. Nëse një djalë ka talent, ai bëhet problem. Por kjo bie ndesh me rregullat e futbollit modern.”
Maldini përmend gjithashtu stadiumet e amortizuara, qendrat sportive të pamjaftueshme dhe nevojën për ndryshime rregullatore.
“Duhet një Pakt për Kombëtaret. Rregulla që të favorizojnë lojtarët italianë në Serie A, B dhe C. Investime të detyrueshme në sektorët e të rinjve. Sot nuk dimë më të mbrohemi apo të sulmojmë, jemi të ngadaltë dhe arbitrat fishkëllejnë shumë.”
Maldini thotë se një nga objektivat do të ishte rritja e numrit të futbollistëve italianë në kampionatin vendas.
“Rregullat europiane për lëvizjen e lirë nuk e lejojnë drejtpërdrejt, por do të gjenim një zgjidhje.”
Ai kërkon gjithashtu investime më të mëdha në formimin e trajnerëve të moshave.
“Sot një trajner që punon me fëmijë nga 10 deri në 14 vjeç fiton rreth një mijë euro në muaj. Duhet të ketë edhe një punë të dytë. Duhet t’i ndihmojmë, sepse ajo është mosha vendimtare.”
Në fund, Maldini flet edhe për Claudio Ranierin dhe rolin që mund të ketë në të ardhmen e futbollit italian.
“Historia e tij flet vetë. Të kesh një figurë si Ranieri është një bonus, diçka e jashtëzakonshme. Mund të them vetëm se puna që duhet bërë është enorme.”
Megjithatë, ai shpreh shqetësimin se fokusi mund të mbetet shumë te Kombëtarja dhe jo mjaftueshëm te rindërtimi i futbollit italian.
“Kam një peng që do ta mbaj me vete. Kisha marrë përsipër një angazhim shumë të vështirë që, me kalimin e ditëve, ishte shndërruar pothuajse në një ëndërr: të bëja diçka për brezat e ardhshëm, të ndërtoja një Itali konkurruese.”
Dhe për Maldinin, kjo ëndërr u ndërpre shumë shpejt.
“Një ëndërr e ndërprerë, por e bukur, edhe për shkak të shumë njerëzve që gjeta të gatshëm për të punuar.”
Në intervistë, Maldini ndalet edhe te humbja e mikut, ish-shokut të skuadrës dhe bashkëkampionit të tij te Milani, Franco Baresi.
“Përtej një trishtimi të thellë, kam rikthyer në mendje 40 vitet e fundit të jetës së Frankos. 25 prej tyre i kalova me të.”
Maldini e përshkruan marrëdhënien me Baresin si diçka shumë më të madhe se një miqësi.
“Kur luan me dikë, kalon ditë dhe net me të, argëtohesh bashkë, vuan bashkë, fiton bashkë. Krijon një lidhje të pathyeshme.”
Për Maldinin, Baresi ishte një shembull i përsosur lidershipi.
“Ai më tregoi se si doja të isha: pak fjalë, shumë veprime.” Top Channel

